Rënia e popullsisë në tre dekadat e ardhshme, Ballkani më i prekuri në rang botëror

23 gusht 2023 | 10:05

Rënia e popullsisë është një temë tejet shqetësuese dhe aktuale në gjithë botën, e veçanërisht në kontinentin evropian, me fillimin e ndjeshëm të recesionit të lindjeve në disa vende dhe çështje të hapura të migrimit në disa të tjerë.

Të dhënat e fundit gjithsesi, tregojnë një pasqyrë tejet negative, mbi të gjitha për rajonin e Ballkanit, ku shifrat flasin për rënie astronomike popullsie në tre dekadat e ardhshme.

Kryesuese (negative) e listës, është Bullgaria, e cila brenda vitit 2050, pritet që t’i pakësohet popullsia me 22.5%. Praktikisht, në 30 vjet, vetëm 75% e numrit aktual të bullgarëve që jetojnë brenda territorit, do të jetojnë ende aty.

Vendet baltike janë po ashtu të prekura, duke parë se lart në renditjen për së prapthi radhiten Lituania dhe Letonia, me respektivisht rënie popullsie prej 22.1 dhe 21.6%.

Ukraina po ashtu pritet të bjerë me 19.5% të popullatës në 30 vitet e ardhshme.

Në Ballkanin Perëndimor, alarmin kryesor e lëshon Serbia, e cila pritet që popullsia t’i zvogëlohet me 18.9%, kur Bosnjë dhe Hercegovinës ndërkaq, pritet t’i bjerë me 18.2%.

Shqetësim duhet të ketë edhe për Kroacinë, të cilën viti 2050 do ta kapë me 18% të popullsisë më pak, ndërsa Moldavinë me 16.7% më pak.

Japonia është vendi i parë jashtë kontinentit të vjetër, ku pritet një tkurrje e lartë e popullsisë me 16.3%. Recesioni i lindshmërisë ka filluar në Japoni tashmë dhe Qeveria ka ngritur alarmin e veprimit.

Shqipëria fatkeqësisht ndodhet brenda dhjetëshes së parë nga fundit, ku mendohet se në tre dekada, popullsia do të tkurret gjithsej me 15.8%.

Rumunët ndjekin me 15.5%, grekët me 13.4% dhe Estonia më tej me 12.7%.

Nga vendet e Evropës perëndimore, Portugalia kryeson listën negative me 10.9% rënie të pritshme, kur Italia do të kapë shifrën e 10.1%.

Pas nuk mbetet as Maqedonia e Veriut, e cila pritet që të shohë popullatë të reduktuar me 10.9%, duke treguar qartë vështirësinë e madhe të Ballkanit perëndimor.

Mesatarisht, rajoni si i tërë mendohet se do të bjerë në popullata me rreth 15%, duke marrë parasysh rënien individuale të shteteve.

Shtetet e Evropës perëndimore në tërësi ndërkaq, do të kenë uljen më të lartë të lindshmërive, por përfitojnë nga emigrantët e pranuar në vendet e tyre për të rritur vit pas viti popullatën dhe për të shmangur si recesionin biologjik, ashtu edhe mungesat e theksuara në tregjet e punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar për televizionin…