Rënia e qarkullimit vjetor në Kosovë 1.2 miliardë euro

17 dhjetor 2020 | 11:41

Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në rënien e qarkullimit vjetor në Kosovë. Kështu ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ekrem Hysenaj.

Ai ka deklaruar se nga marsi deri në tetor ka pasur rënie të qarkullimit 1.2 miliardë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Hysenaj  këto komente i bëri gjatë një vizite të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas tij nga periudha janar-nëntor, ATK-ja ka inkasuar 426.6 milionë euro, 39 milionë më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. “Sektorët që më së shumti janë atakuar gjatë kësaj periudhe i kemi sektorët e argëtimit dhe rekreacionit, sektori i patundshmërisë dhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, u shpreh Hysenaj.

Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Administrata Tatimore që të zbatoj  para së gjithash Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, por të kryej edhe të gjitha përgatitjet për implementimin e Pakos së Re Fiskale, e cila pritet të finalizohet në javët e para viti të ardhshëm. “Roli i Administratës Tatimore është kyç për shkak të autorizimeve ligjore që ka në të gjitha veprimet, por edhe për shkak të përvojës së akumuluar me vite të zyrtarëve, të ekspertëve, të cilët janë pjesë e ATK-së”, u shpreh Hoti.

Ai nënvizoi se gjatë këtij viti, me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, Qeveria është munduar që të kompensojnë maksimalisht bizneset nga ndikimi negativ i pandemisë Covid -19, për aq sa ka qenë dhe është e mundshme.

 

 

 

Në këtë vizitë në ATK, Kryeministrit Hoti ishte i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë politike parlamentare aktualisht janë të betonuara në pozicionet e…