Analistët për pozitën e presidentit: Partitë politike po shantazhojnë njëra-tjetrën

17 dhjetor 2020 | 11:36

Partitë politike parlamentare aktualisht janë të betonuara në pozicionet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se do t’i thërrasë partitë e tjera parlamentare në një tryezë për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ka propozuar liderin e saj Ramush Haradinaj për pozitën e presidentit dhe po vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj, shkruan “Epoka e re”.

E përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë pohuar se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës. Sipas zyrtarëve të PDK-së, në rast se i kërkohen votat për presidentin e ri, atëherë ai duhet të jetë i propozuari i saj.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, tek pastaj të zgjedhet presidenti i vendit.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kjo parti nuk e ka asnjë problem që të shkojë në zgjedhje të reja, por nuk sheh që zgjedhjet ofrojnë zgjidhje për presidentin. Për këtë temë kanë folur edhe njohës të zhvillimeve politike në vend, të cilët kanë përkrahur idenë që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët për t’u ikur bllokadave që po bëjnë partitë politike rreth kësaj pozite.

Profesori universitar Valon Murati ka thënë se sa herë që vjen koha për zgjedhjen e presidentit me të drejtë opinioni publik shqetësohet, sepse krizat politike ia zënë vendin njëra-tjetrës dhe ndonjëherë nuk janë të mjaftueshme as zgjedhjet e reja.

Murati ka thënë se partitë politike për këtë çështje po vazhdojnë ta shantazhojnë njëra-tjetrën.
Ai ka folur edhe për mundësinë që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët, duke paraqitur edhe vështirësitë në këtë proces.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, se në dy herët e para të votimit duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë (pra 2/3 e deputetëve), aq sa duhen për ta zgjedhur presidentin, e bën këtë një mision shumë të vështirë për Kuvendin tonë që për asgjë nuk krijon konsensus. Partitë politike vazhdojnë ta shantazhojnë njëra-tjetrën. Realisht shantazhojnë Kosovën dhe funksionalitetin e shtetit tonë. Rrjedhimisht, në diskursin publik fillon me të drejtë kërkohet që presidenti të zgjedhet me votat e qytetarëve të Kosovës. Personalisht jam për një variant të tillë, duke qenë se me Kushtetutën tonë presidenti ka mjaft fuqi dhe nuk do të kishte nevojë t’i shtoheshin përgjegjësitë. Sidoqoftë, për një zgjidhje të tillë politike duhen ndryshime kushtetuese. Andaj habitem me shumë miq të mi të cilët vazhdojnë të propozojnë këtë zgjidhje, pa diskutuar për vështirësinë e ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë jo vetëm 2/3 e gjithë deputetëve, por edhe 2/3 e deputetëve të pakicave, që nënkupton së paku katër deputetë nga Lista Serbe duhet të votojnë për ndryshimet kushtetuese, me ç’rast do t’ia zvogëlonin peshën votës së tyre (serbe) për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Epokën e re” se në afatet kushtetuese që jemi nuk mund të zgjedhet një president drejtpërdrejt nga qytetarët.

Edhe Baraliu ka thënë se në këtë drejtim do të jetë pengesë bllokada që është krijuar me Kushtetutën e Ahtisarit ku, pos 2/3-tave, kërkohet edhe shumica e deputetëve pakicë dhe, sipas tij, ndryshimet kushtetuese hëpërhë janë të pamundshme.

“Në afatet kushtetuese që jemi, kur për ushtrim të detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, afati është shumë i ngushtë dhe po ngushtohet gjithnjë e më tepër. Pra, po flas në këtë gjashtëmujorin maksimal që të kemi mundësi dhe hapësirë për ndryshimet kushtetuese. Është e domosdoshme që të kemi një harmonizim të qëndrimeve të kësaj klase politike, të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, sepse kohë nuk kemi shumë. Edhe po të kishim, ne e kemi sjell vendin në atë gjendje që jemi të bllokuar me Kushtetutën e Ahtisarit, e cila pothuajse është e pamundur të krijojë zgjidhje. Duhet shumica e deputetëve, 2/3-tat, dhe shumica e deputetëve pakicë. Pra, shumica e ashtuquajtur e Badinterit. Për këtë punë Lista Serbe, por edhe komunitetet pakicë për çështjet që atyre u interesojnë, mund ta pranojnë një zgjidhje, por për interesat e shtetit dhe popullsisë që janë në interesin tonë, në këtë rast zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk u intereson, e nuk mund të kemi ndryshim”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se jemi në një situatë të pamundësisë për ndonjë zgjidhje tjetër. “Zgjidhja e vetme është që partitë politike dhe koalicioni qeverisës të merren vesh për një president konsensual, pastaj të shkohet në zgjedhje të reja. Ose varianti tjetër, nëse nuk merren vesh vetëm për pakon e presidentit, atëherë të merren vesh për të dyja pakot: zgjedhjen e presidentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Në këtë variant të fundit do të pajtoheshin të gjitha partitë kur në marrëveshje hyn edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të duhej të mbaheshin në një afat optimal, në muajin mars ose prill të vitit të ardhshëm”, ka thënë Baraliu.

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Epoka e re” se partitë politike po bëjnë politikë me këtë çështje duke e kushtëzuar njëra-tjetrën. “Pretendimet e partive për këtë post politik janë të natyrshme. Pavarësisht se kush pretendon këtë post, Kushtetuta thotë se kandidatët për president duhet t’i kenë nga 30 nënshkrime të deputetëve. As Ramush Haradinaj dhe askush tjetër nuk e ka nisur procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për të qenë kandidat për president. Pra, sipas Kushtetutës, duhet të jenë dy kandidatë për president dhe ata duhet t’i kenë nga 30 nënshkrime. Tash partitë politike po bëjnë politikë me këtë çështje duke e kushtëzuar njëra-tjetrën”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se në bazë të gjendjes aktuale, presidenti duhet të zgjedhet prej LV-së ose prej PDK-së. “Siç e dimë, LV-ja është e interesuar të shkojë në zgjedhje, kurse PDK-ja dëshiron ta këtë kandidatin e vet, pastaj të shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar Tahiri.

Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë më 5 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, konfirmuan aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, tashmë është e domosdoshme.

Aktualisht pozitën e presidentit është duke e ushtuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka rezultuar pozitiv për Covid-19, ka…