Reshjet e rralla të borës e zbardhin Jerusalemin

27 janar 2022 | 14:47

Bora e ka mbuluar Jerusalemin dhe vendet e tij të shenjta të enjten, pasi një stuhi dimërore e ka përfshirë Izraelin, territoret palestineze dhe një pjesë më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Stuhia e ftohtë, e cila tashmë ka shkaktuar pengesa të mëdha në Athinë e Stamboll, solli reshje të dendura në zonat që më shumë njihen për vapën e tyre gjatë verës, shkruan “AFP”.

Në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, fëmijët e gjuanin njëri-tjetrin me topa bore pas rënies së shtresës së parë.

Në mëngjes, bora shihej edhe mbi xhaminë Al-Aqsa, që është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët, dhe hapësirën para Murit Perëndimor, vend i shenjtë për hebrenjtë.

Shërbimi meteorologjik i Izraelit raportoi se gjatë natës ka pasur të reshura të morës me trashësi prej 15 deri në 25 centimetrash.

Rrugët kryesore që çojnë në Jerusalem nga veri, jugu dhe perëndimi ishin të gjitha të bllokuara të enjten në mëngjes. Policia tha se makinat për largimin e borës kanë punuar tërë natën për t’i hapur rrugët brenda qytetit.

Në vendin pak të mësuar me kushte të tilla të motit dimëror, pak drejtues automjetesh kanë zinxhirë për to.

Shkollat në Jerusalem dhe në Izraelin verior u mbyllën, duke i lënë fëmijët të lirë për të luajtur në borë.

Sidoqoftë, shtresa e borës nuk pritet të zgjasë, sepse është parashikuar rritje e temperaturave në ditët e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gorilla më i vjetër në botë ka ndërruar jetë. Kopshti…