Rexha: Në Ligën e Evropës do të marrim rezultate më të mira

19 korrik 2019 | 14:20

Ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Kosovë, Kastriot Rexha, e ka vlerësuar të pamerituar eliminimin e Feronikelit nga Liga e Kampionëve, por ka paralajmëruar rezultate më të mira në Ligën e Evropës.

Sulmuesi Kastriot Rexha për “Epokën e re” ka thënë se Feronikeli është eliminuar nga Liga e Kampionëve pasi nuk kishte fat në finalizimin e aksioneve. “Nikli” dështoi ta shkruajë historinë e futbollit të Kosovës në Ligën e Kampionëve, duke u bërë skuadra e parë që kualifikohet në rrethin e dytë të kësaj gare, pasi të martën pësoi humbje në stadiumin “Fadil Vokrri” nga TNS-ja (0-1).

“Jemi eliminuar nga TNS-ja edhe përkundër një paraqitje të mirë që kemi pasur gjatë gjithë ndeshjes, por edhe fati nuk ishte në anën tonë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Kemi pasur mundësi t’i përfundojmë më mirë aksionet e shumta që krijuam, por na mungoi fati. Megjithatë, edhe përkundër eliminimit, mund të jemi të kënaqur me atë që kemi treguar në dy ndeshjet”, ka thënë Rexha, i cili ka treguar edhe për reagimin e trajnerit dhe drejtorit të klubit pas humbjes që u kushtoi me eliminim kampionëve të Kosovës. “Trajneri na ka përgëzuar për angazhimin dhe shpirtin luftarak që kemi pasur si ekip, por edhe drejtori Malsor Gjonbalaj pati fjalë të mira për skuadrën lidhur me atë që tregoi gjatë 90 minutave”, ka shtuar ai.

Rexha është aktualisht sulmuesi më i mirë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll dhe ishte shpresa më e madhe e skuadrës nga Drenasi në ndeshjen ndaj kampionëve të Uellsit, por dështoi të shënojë ashtu sikurse që dështuan edhe bashkëlojtarët e tij. “Kemi pasur topa mjaftueshëm në zonën e rrezikshme, por mendoj se nuk kam arritur të gjendem në çastin e duhur dhe vendin e duhur, prandaj kjo është arsye pse nuk kam shënuar në këtë ndeshje”, ka deklaruar sulmuesi shtatlartë.

Eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk e nxjerrë jashtë garave evropiane skuadrën kampione dhe fituese të Kupës në Kosovë, pasi “Nikli” do të bëjë gara në rrethin e dytë të Ligës së Evropës. Rexha paralajmëron paraqitje të mira edhe në këtë garë dhe rezultate më të mëdha. “Në Ligën e Evropës do të bëjmë lojëra të mira sikurse në Ligën e Kampionëve, por besoj se do të marrim edhe rezultate më të mira”, ka thënë Rexha.

Sulmuesi shtatlartë ishte “hero” i Feronikelit në rrugëtimin drejt titullit kampion dhe triumfit në garën e Kupës, por edhe në ndeshjen ndaj Lincolnit, pasi shënoi golin e kualifikimit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

/Veton ZYMBERI/ 

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fizika simetrike, udhëtim drejt universit (4) Shkruan: Naim Krasniqi, fizikan…