Rezoluta për mosbesim ndaj Rakiqit përplas ashpër Vjosa Osmanin me Teuta Haxhiun

09 korrik 2020 | 14:58

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka kaluar me tensione debati në mes të deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Derisa kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka propozuar një rezolutë mosbesimi individual ndaj zëvendëskryeministrit serb, Goran Rakiq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e ka kundërshtuar ashpër.

“Për ne si AAK, çka do që është me Kushtetutë, kërkojmë respektim të Kushtetutës”.

“Personalisht, duke ditë rëndësinë e rezolutave, aq më tepër që fare nuk janë obligative për Qeverinë e Kosovës, e kjo është fatkeqësi sepse kemi me dhjetëra rezoluta për të pagjeturit me të cilat ish dashtë të kushtëzohej në Bruksel me vazhdimin e dialogut”.

“Rezolutat sa për të thënë apo bë pak politike, nuk mund të rregullojnë asgjë”.

“Personalisht kisha mbështetë sikur ta ndërronim Kushtetutën e vendit edhe me ja tregu vendin sikur Rakiqit apo dikujt tjetër që vetëm edhe një fjalë e përdorë antikushtetutese”.

“Sa i përket ligjit të pandemisë, jemi për të diskutuar dhe dhënë ide konkrete. Si grup parlamentar kemi diskutuar gjatë dhe jemi dakord të futet si pikë e rendit të ditës”, ka thënë Haxhiu, duke dhënë një propozim për zgjedhjet e ardhshme.

“Propozimi im është që Lista Serbe të hyn në votime kur vjen koha e zgjedhjeve sikur ne deputetët kur hymë siç ka ndodhur me deputetët e Luginës së Preshevës në votimet në Serbi. Kur ta marrësh një iniciativë të tillë, kryetare mua më ke prapa, e jo rezoluta që vetëm mbesin në sirtar sa për të bërë politikë”, është shprehur Haxhiu.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila fjalimin e Teuta Haxhiut e quajti fyerje.

“Me fyerjet tua gati në çdo seancë unë thuajse jam mësuar”, ka thënë Osmani.

“Nuk mund të thuash një rezolutë është jobligative e tjetra është obligative. Unë e sqarova shumë mirë. Rezolutat shprehin vullnetin politik të këtij Kuvendi”.

“Nëse vullneti yt politik është me hesht kur një zëvendëskryeministër i Kosovës thotë i bashkohem Vuçiqit në betejën e tij për Kosovën e Metohinë, në rregull, voto kundër kësaj rezolute. Por, nëse ke qëndrim politik kundër deklaratave të tilla, do ta shprehësh atë qëndrim përmes kësaj rezolute. Por ofendimet lëri anash”, ka thënë Osmani.

Përplasja verbale me Osmanin ka vazhduar edhe më tutje, derisa deputetja Haxhiu, ka kërkuar të marrë fjalën për të kërkuar sqarim rreth akuzave se ka fyer gjatë seancave, por këtë nuk e ka bërë kryetarja e Kuvendit.

“Mos e keqpërdor detyrën zyrtare”.

“Rakiqin e ke kojshi e njeh më mirë se ne. Unë nuk fyej, por bëjë politikë. Iu tregojë atyre që vendin e kanë në Beograd”.

“Për çfarë fyerjesh është fjala? Më kalo fjalën”, ka qenë kërkesa e deputetes Haxhiu. /KK/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lazio dhe Igli Tare nuk e fshehin në asnjë çast…