Rezultati i 14 shkurtit është i qartë

29 janar 2021 | 08:51

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë i qartë. Ai ka thënë se qytetarët për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare do të përcaktohen kryesisht për ndryshime.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka vlerësuar se partitë që kanë qenë deri më tani në pushtet do të zbresin gradualisht nga skena politike.

“Besoj se rezultati i zgjedhjeve është i qartë. Fituese do të jenë LV-ja dhe iniciativa e Vjosa Osmanit. Duket se koalicioni qeverisës do të përfshijë edhe një subjekt, shpresoj të reformuar politik. Zgjedhësit do të përcaktohen kryesisht për ndryshime, ndërsa partitë që kanë qenë deri më tani në pushtet do të zbresin gradualisht nga skena politike në të cilën kanë dominuar në periudha të ndryshme deri më tashti”, ka thënë Beqaj.

Ai ka komentuar edhe parafushatën që po e bëjnë partitë politike prej shpalljes së zgjedhjeve. Beqaj ka thënë se përmes këtyre aktiviteteve partitë politike dëshmojnë se për to gara për pushtet ka supremacion karshi shëndetit te qytetarëve. “Mendoj se parafushata dhe fushata nuk do të ndikojnë vendosmërisht në zgjedhje ngaqë qytetarët janë përcaktuar për rrënimin e Qeverisë Kurti për fituesin LV-VO. Ndërsa partitë e tjera po bëjnë fushatë të (pa)vetëdijshme se ato e kanë humbur besimin e shumicës së qytetarëve për shkak të mënyrës se si kanë qeverisur derisa kanë qenë në pushtet!”, është shprehur Beqaj.

Ai ka thënë se nëse legjislatura që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit do ta zgjedhë për presidenti kandidatin e AAK-së, do të ishte kundër frymës për ndryshim. “Do të ishte në kuadër të frymës për ndryshim nëse zgjidhet kandidatja e Vetëvendosjes dhe Iniciativës – Vjosa Osmani, nëse zgjidhet pretendenti i AAK-së do të vështirësohet seriozisht përcaktimi i shumicës së qytetarëve për ndryshim”, ka thënë ai.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, partitë politike tanimë kanë filluar fushatën zgjedhore, edhe pse ajo ende nuk është hapur zyrtarisht. Si i keni parë aktivitetet e deritashme të partive politike?
Beqaj: Të gjitha subjektet politike, pa përjashtim, po dëshmojnë se për to gara për pushtet ka supremacion karshi shëndetit të qytetarëve. Mendoj se parafushata dhe fushata nuk do të ndikojnë vendosmërisht në zgjedhje ngaqë qytetarët janë përcaktuar qysh me rrënimin e qeverisë Kurti për fituesin LV-VO. Ndërsa partitë e tjera po bëjnë fushatë të (pa)vetëdijshme se ato e kanë humbur besimin e shumicës së qytetarëve për shkak të mënyrës se si kanë qeverisur derisa kanë qenë në pushtet.

“Epoka e re”: Si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit? Deri më tani kemi parë disa sondazhe, por disa subjekte politike i kanë kontestuar?
Beqaj: Besoj se rezultati i zgjedhjeve është i qartë. Fituese do të jenë LV-ja dhe iniciativa e Vjosa Osmanit. Duket se koalicioni qeverisës do të përfshijë edhe një subjekt, shpresoj të reformuar politik. Zgjedhësit do të përcaktohen kryesisht për ndryshime, ndërsa partitë që kanë qenë deri tashti në pushtet do të zbresin gradualisht nga skena politike në të cilën kanë dominuar në periudha të ndryshme deri më tashti.

“Epoka e re”: Siç e kemi parë, KQZ-ja dhe PZAP-ja, duke marrë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk i kanë certifikuar disa kandidatë për deputetë, përfshirë edhe liderin e LV-së, Albin Kurti. Cili është komenti juaj për këtë proces i cili do të marrë epilog në Gjykatën Supreme?
Beqaj: Mendoj se vendimi për moslejimin e Albin Kurtit nuk do të ndikojë shumë në zgjedhje, nëse moskandidimi i tij do ta shumëfishojë mllefin dhe pakënaqësinë e cila mund të reflektohet pas zgjedhjeve në forma të ndryshme varësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Moskandidimi do të ngrehë mbështetjen që do t’i reflektojë sjelljet racionale politike, ndërsa moskandidimi ul mbështetjen që do të nënkuptojë sjellje emocionale të cilat mund ta destabilizojnë situatën.

“Epoka e re”: A mendoni se këto zgjedhje do të sjellin zgjidhje për Kosovën?
Beqaj: Jo. Këto zgjedhje do të bëjnë diskontinuitetin e domosdoshëm i cili potencialisht, për katër deri në tetë vjet, mund të bëjë zgjidhje, nëse mbeten në pushtet duke vepruar në interes të qytetarëve.

“Epoka e re”: Në këto zgjedhje, përveç kandidatëve për kryeministër, kemi edhe kandidatë për president. Besoni se legjislatura që do të dalë prej këtyre zgjedhjeve do të mund ta zgjedhë edhe presidentin?
Beqaj: Do të ishte në kuadër të frymës për ndryshim nëse zgjidhet kandidatja e Vetëvendosjes dhe Iniciativës – Vjosa Osmani, nëse zgjidhet pretendenti i AAK-së do të vështirësohet seriozisht përcaktimi i shumicës së qytetarëve për ndryshim.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spitali i Pejës ka njoftuar se tre pacientë janë shëruar…