Rikthimi amerikan në Ballkan

03 tetor 2019 | 13:46

GJEOPOLITIKË

 -Amerikanët po rikthehen në Ballkan: pas mbetjes së rajonit jashtë BE-së; dhe zbarkimit Rus e Kinez brenda tij. Cilat janë skenarët e ardhshme?

Prof. Dr. Blerim Reka

Pas 20 vitesh mungesë, ShBA-ja e kuptoi se BE-ja e vetme nuk mund të ndërmjetësojë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe se ky vakum i sigurisë, mund t’i hapë derën lojtarëve jashtë BE-së. Uashingtoni, aktualisht ndërmorri disa masa për të siguruar që marrëveshjet kryesore në rajon të arrihen para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në ShBA edhe nëse kjo do të shkaktojë përplasje me Brukselin.

Pa fuqinë e Shteteve të Bashkuara, vetëm qasja e butë e Bashkimit Evropian nuk ka rezultuar të jetë e efektshme në Ballkanin Perëndimor. Pasi ShBA-ja u tërhoq nga rajoni në fillim të shekullit, tranzicioni post-konflikt, i drejtuar nga BE-ja, nuk arriti të sjellë stabilitetin rajonal. Ky boshllëk u mundësoi hyrjen në rajon, akterëve tjerë që alarmoi Uashingtonin, sa e shtyri të rikthehej pas dy dekadash mungese.

Më 1 shtator 2019, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo emëroi Matthew Palmer si të dërguarin special për Ballkanin, duke dërguar një mesazh të qartë ndaj qasjes së gjertanishme të BE-së, për stabilizimin e rajonit. Disa ditë më vonë, presidenti i ShBA-së Donald Trump shkarkoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton, i cili mbronte një marrëveshje për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai ishte i preferuari i ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, por po aq kishte mosmarrëveshje me Pompeon. Ky i fundit, si sekretar shteti, këtë javë viziton Ballkanin, që dëshmon për rëndësinë që ShBA, po i jep  rishtas Ballkanit. Sipas Daniel Serwer, emërimi i ri mund të interpretohet si shenjë që ShBA-ja po synon të mbyllë problemin e Ballkanit para zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2020.

Për të shmangur tensionet e përtërira, si dhe pë të evituar dështimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor, ShBA, po aplikon sërish modelin “Holbrooke”, i cili i dha fund luftërave në ish Jugosllavi në fund të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar. Tërheqja e ShBA-së pas këtyre luftërave dhe lënia e Ballkanit vetëm nën kujdesin e BE-së ishte një gabim strategjik, që ua hapi derën lojtarëve përtej zonës Euro-Atlantike.

Mungesa e Amerikës

Uashingtoni e kuptoi seriozitetin e pasojave të një loje të tillë dhe vendosi të ri-kthehet në rajon për të korrigjuar situatën. Fundja, të gjitha marrëveshjet e pas luftës në Ballkan, nuk do arriheshin pa përfshirjen aktive të ShBA.

Pa Amerikanët nuk qe e mundur as Marrëveshja e Dejtonit (1995), Marrëveshje e Rambujesë (1999) dhe Marrëveshja kornizë të Ohrit (2001), të cilat sollën paqe në: Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Maqedoni. Pas arritjes së paqes, nga fillimi i këtij shekulli, menagjimi i rajonit, iu transferua BE-së.

Pas luftërave në ish Jugosllavi, BE-ja lansoi Procesin e Stabilizim Asociimit (SAP), i krijuar për t’i afruar vendet e Ballkanit Perëndimor drejt bllokut. Mirëpo, njëzet vite më vonë, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së. Dy dekada më parë, mbi 90 për qind e qytetarëve të Ballkanit ishin në favor të integrimit në BE; këtë verë numri ra në 56 për qind.

BE-ja përsërit se nuk dëshiron t’i integrojë vendet në konflikt, por as rajoni nuk është i gatshëm të presë pafundësisht para dyerve të Brukselit. BE-ja, gati ngriu zgjerimin, duke ruajtur status-quon për një kohë të gjatë. Edhepse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se se dëshiron që Ballkani Perëndimor “të ishte sa më afër BE-së”, së voni, na shtett anëtare dolën dy alternativa ndaj anëtarësimit. Disa, po bëjnë thirrje për “partneritet të ngushtë”- në vend të zgjerimit, duke argumentuar se Ballkani Perëndimor nuk është i përgatitur për BE. Të tjerat, flasin që rajonit t’i jepet një “status special”, të ngjashëm me atë për Turqinë.

Kjo, politikë restriktive e zgjerimit të BE-së, “shtyu” Turqinë dhe një pjesë të Ballkanit drejt Rusisë, për çka ShBA do t i duhet t’i kthejë ato në sferën euroatlantike. Poashtu edhe qasja medijatore asimetrike e Brukselit, gjatë “Dialogut të Brukselit”: Kosovë-Serbi, nuk dha rezultat dhe nga vera filloi të korrigjohet. Kështu, më 13 gusht vendet e Quintit (ShBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia) kërkuan negociata të mëtejshme, me heqjen e taksave tregatre dhe heqjen e bllokadës diplomatike të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Më parë, BE-ja kërkonte që vetëm Kosova, t’i hiqte sanksionet e saj ekonomike kundër Serbisë, por toleroi bllokadën diplomatike kundër Kosovës, sikur edhe refuzimin e Beogradit për të vendosur sanksione kundër Rusisë.

Si një shtet kandidat i BE-së, Serbia duhej të zbatonte Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP). Në vend që nga viti 2014, të ishte në një vijë me politikën e jashtme të BE-së, Serbia madje njoftoi se do të anëtarësohet në Unionin Euro-Azi, një alternativë strategjike për BE-në, e lancuar nga Rusia. Brukseli reagoi vetëm në gusht të këtij viti, duke paralajmëruar Beogradin që nuk mund t’iu përkiste të dy unioneve njëkohësisht.

Këto zhvillime ngritën dyshime nëse dialogu Prishtinë-Beograd do të vazdojë? Një vit pas ndërprerjes së negociatave Prishtinë-Beograd (2018-2019), kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron rinisën procesin këtë pranverë, si një iniciativë: “Berlin-Paris”. Paralelisht, vendet e Quintit, shprehën pakënaqësinë ndaj modeli i gjertanishëm i ndërmjetësimit ngaana e BE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit Pompeo, (në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në gusht të këtij viti), mbësheti një “marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke midis dy shteteve”. Madje, mediet serbe spekuluan se Serbisë iu paskan premtuar 10 miliardë dollarë dhe avionë ushtarakë- nëse e njeh Kosovën. Po sipas këtyre mediave, NATO do të trajnojë Ushtrinë e Kosovës për rimarrjen e Kosovës së Veriut gjatë stërvitjes ushtarake “Reagimi i Përbashkët 2019”, që do të mbahet në Shqipëri nga 21-24 tetor. NATO-ja dhe ShBA-ja nuk kanë komentuar spekulimet e tilla. Ndërkohë që Serbia nga Kina, bleu 9 dronë të armatosur pa pilot dhe porositi 15 të tjerë.

Është e qartë se ShBA do të jenë përsëri në rajon jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku priten sfida shtesë të sigurisë. Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka deklaruar se pret “40 deri 50 ditë të trazuara” para fundit të këtij viti. Ndërkaq, me një krizë politike të vazhdueshme midis qeverisë dhe opozitës, Shqipëria fqinje gjithashtu ka frikë nga një “vjeshtë e nxehtë”.

Gara: ShBA-BE

Rikthimi i ShBA-ve, do të stabilizojë rajonin, por kjo mund të çojë në një luftë të heshtur diplomatike midis Uashingtonit dhe Brukselit. Për të shpejtuar procesin, i dërguari special i ShBA-së do të kërkojë një qasje më proaktive në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palmer deklaroi se qëllimi i tij kryesor do të jetë që të dyja palët të kthehen në tryezë për të gjetur një marrëveshje, por ai gjithashtu do të dëshironte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE dhe Bosnjë dhe Hercegovina të bëhet shtet funksional.

Ky ndryshim i fundit amerikan shkaktoi tundje në Bruksel. Një zëdhënës i Komisionit Evropian menjëherë deklaroi se “dialogu do të ndërmjetësohet nga BE-ja”. Deputeti gjerman Peter Beyer kërkoi që BE-ja të caktojë gjithashtu një të dërguar special mbase gjerman, meqë Berlini do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020 dhe po atë vit edhe ulësen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Beogradi, nga ana tjetër, u ngut që të sugjeroj që edhe Rusia duhet të emërojë një të dërguar të vetin.

Kjo përfshirja më e madhe e ShBA në Ballkan, duket se do bie ndesh me doktrinën e presidentit francez Emmanuel Macron për “sovranitetin evropian”, i cili synon të pozicionojë BE-në si një aktor me të njëjtën rëndësi gjeopolitike si: ShBA, Rusia, Kina dhe Turqia.

Kjo ripërfshirje e Amerikës mund të jetë nxitur pjesërisht edhe nga ndërmjetësi i ardhshëm i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd. Që nga 1 nëntori, bisedimet do të drejtohen nga Përfaqësuesi i ri i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borell ministri aktual i Punëve të Jashtme të Spanjës, një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Republikën e Kosovës. I dërguari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor Palmer, ishte shumë i qartë: “ShBA-ja do të dëshironte ta shihte njohjen e ndërsjellë- si një pikë qendrore të marrëveshjes”.

Procesi i negociatave, pra po hyn në fazën e tij përfundimtare por më të vështirë, për ta përgatitur rezultatin përfundimtar: anëtarësimi në OKB për Kosovën dhe anëtarësimi në BE për Serbinë.

ShBA-ja shprehu gatishmërinë e saj për t’u përfshirë në dialog kur të dyja shtetet të kthehen në tryezë. Pasi presidenti Trump, vjet u dërgoi një letër presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, mediat serbe spekulojnë se Trump “do të vizitojë Serbinë më 25 gusht të vitit 2020” dhe më vonë dy udhëheqësit “do të vendosin për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”.

 Skenarët

  1. Ky kthim amerikan në rajon do të ketë një ndikim të madh në marrëdhëniet SHBA-BE, duke krijuar një betejë të re diplomatike për epërsi në Ballkanin Perëndimor. Pas mospajtimeve për: Brexit-in, gazin rus, Iranin dhe mosmarrëveshjeve tregtare, BE-ja dhe ShBA-ja, duket se do të përplasen edhe për Ballkanin.Për të shmangur depërtimin rus dhe kinez në rajon, ShBA-ja do të përpiqet t’i zgjidhë urgjentisht disa çështje: marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, anëtarësimin në NATO të Maqedonisë së Veriut, krizën e tejzgjatur politike në Shqipëri dhe krijimin e një shteti funksional në Bosnjë e Hercegovinës. Qasja amerikane pa dyshim që do të jetë më e fortë se sa trajtimi i gjertanishëm i BE-së për rajonin.

 

  1. Nga perspektiva lokale, Maqedonia e Veriut mbase do të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s në muajt në vazhdim. Një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, gjithashtu ka të ngjarë të arrihet në vitin 2020. Më 6 tetor, Kosova do të votojë për Parlamentin e ri, ndërsa në Serbi zgjedhjet parlamentare do të mbahen në pranverë. Uashingtoni u dërgoi një mesazh të qartë: “Mos votoni për politikanë të korruptuar” dhe “sillni ide të reja në dialogun Kosovë-Serbi”. Deri më tani, asnjë kandidat i Kosovës për postin e kryeministrit, nuk është i gatshëm të pranojë ndryshimin e kufijve. Pas rithimit të ShBA në Ballkanin Perëndimor, një marrëveshje përfundimtare mund të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë para nëntorit 2020 – shumë ngjashëm si marrëveshja Camp David e viti 1978, kur presidenti Jimmy Carter i dha fund luftës Egjipt-Izrael.

 

(Botuar në: “Geopolitical Intelligence Service”. Nga anglishtja përktheu dhe përshtati: Arsim R. Osmani)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca dhe Bashkimi Evropian (BE) janë të gatshme t’i përgjigjen…