Rikujtim në nderim të Mustafë Shalës, ish-redaktorin e gazetës “Rilindja”

01 shkurt 2024 | 09:48

Rikujtim/Nderim për Mustafë Shalën (ish-redaktorin e gazetës së parë në gjuhën shqipe «Rilindja», në ish-Jugosllavinë Federale), në vigjilje të shënimit të 79-vjetorit të gazetës «Rilindja»

Shkruar nga Fatmir Lekaj, politolog

Mustafë Shala rrjedh nga një familje e Omeragajve të krahinës së Plavë-Gucisë. Pjesa më e madhe e popullatës autoktone ilire shqiptare në këtë krahinë, pas shekullit XIV, u konvertua gradualisht në fenë islame. Historiani Rizah Gruda, bazuar edhe në të dhënat e librit “Gjeografia e Vilajetit të Kosovës”, botuar në Stamboll më 1852, i shkruar në gjuhën e vjetër turke nga autorët Rifat Basa dhe Salih Akaj, përkatësisht bazuar në kapitullin e këtij libri, Karada ve Ordu (Mali i Zi dhe populli; f. 78, 79, 80, 81, 82 dhe 83), konkludon, përveç të tjerash, se Omeragajt janë pasardhës të Dëdë Shalës, i cili nga disa konsiderohet edhe themelues (në terma modernë) i Gucisë. Në vitin 1455 Dëdë Shala u konvertua në islam dhe u bë i njohur si Omer Agë Shala. Në këtë vazhdë u bë i kamur (kishte toka) dhe u trashëgua nga dy djemtë e tij, Hasan Agë Omeragaj dhe Tahir Agë Omeragaj. Hasani themeloi lagjen Omeragaj në Guci, ndërsa Tahiri u vendos në Plavë. Fëmijët e Omeragajve u dërguan në Stamboll për t’u shkolluar, dhe kështu pasardhësit e Omeragajve u bënë dizdarë (komandantë forcash ushtarake) të Gucisë, të Plavës dhe të Bihorit nga viti 1461 deri më 1590, duke u pasuar më vonë edhe nga udhëheqës të tjerë. Rrjedhimisht, një numër i konsiderueshëm i Omeragajve rezultuan me arsimim të lartë, ndërsa dy personalitetet më të famshme prej tyre në kuadër të zhvillimeve të Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur edhe si Komiteti i Kosovës (1918), janë Ismail Omeragaj dhe Adem Omeragaj.

Kjo krahinë ilire shqiptare, me një traditë të gjatë të besës, burrërisë, trimërisë dhe bujarisë, në mënyrë të veçantë hyri në analet e historisë kombëtare shqiptare me rezistencën e fuqishme kundër vendimeve për copëtimin e tokave shqiptare, të bazuara në traktatin e Shën Stefanit (1878). Madje historiani britanik Noel Malcolm konsideron se edhe vetë iniciativa për organizimin e Lidhjes së Prizrenit kishte ardhur nga krahina e Plavë-Gucisë. Në lidhje me këtë, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, përveç të tjerash, shkruan: “Kreu i fuqishëm fisnor, Ali Pashë Gucia, territorin e të cilit ia kishin premtuar Malit të Zi (sipas Traktatit të Shën Stefanit), tashmë kishte formuar një “lidhje” të fiseve vendëse me qëllim që ta kundërshtonte aneksimin; për mendjen e shumicës së krerëve dhe të parisë në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut, Kuvendi në Prizren ishte, sipas gjasave, një shtrirje e kësaj ideje” (Malcolm 2001: 229). Në këtë vazhdë edhe vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) në dëm të çështjes shqiptare u kundërshtuan nga shqiptarët, përveç të tjerash, vendimi që një pjesë e trevës veriperëndimore e vilajetit të Kosovës, duke përfshirë Plavë-Gucinë të banuar me shqiptarë, t’i dorëzohet Malit të Zi, hasi në rezistencën e fuqishme dhe të lavdishme të shqiptarëve, të cilët i zmbrapsën forcat malazeze në nëntorin e vitit 1879 dhe në janarin e vitit 1880. Kushtrimtari i kësaj rezistence ishte bajraktari i Hotit të vendit, Alush Smajli, një pararendës tipik i Adem Jasharit, në kuadër të një konteksti historik të ngjashëm me atë të Kosovës në vitin 1998. Ngaqë, përderisa Ali Pashë Gucia etj., shpresonin ende që nëpërmes përpjekjeve diplomatike të zgjidhej konflikti (dhe sidomos duke marrë parasysh se forcat malazeze gjithnjë e më shumë e rritnin gatishmërinë për sulme në afërsi të Plavë-Gucisë), Alush Smajli së bashku me vëllezërit e tij dhe bashkëfshatarët, e nisi rezistencën e armatosur vetëmbrojtëse në të ashtuquajturën luftën e Nokshiqit. Kështututje kjo rezistencë heroike e shqiptarëve, e cila arriti një mobilizim të fortë jo vetëm nga krahina e Plavë-Gucisë dhe krahina e Rugovës, por edhe më gjerë, nën udhëheqjen e strategut luftarak famëmadh Jakup Ferrit etj., i zmbrapsën forcat malazeze, edhe pse këto forca të mobilizuara shqiptare ishin disproporcionale (në numër dhe në armatim), krahasuar me forcat ushtarake malazeze. Malcolm konsideron se kjo rezistencë e shqiptarëve kundër forcave malazeze, e njohur si lufta e Nokshiqit, ndikoi që fuqitë e mëdha ta ndryshojnë vendimin e tyre dhe, në vend të Plavë-Gucisë, ia dhanë Malit të Zi zonën bregdetare të Ulqinit, gjithashtu e banuar me shqiptarë. Edhe ky aneksim u kundërshtua nga shqiptarët, por fuqitë e mëdha vendosën forcat detare për ta imponuar vendimin e tyre (Malcolm 2001: 146, 230, 232).

Vlen të theksohet se rezistenca heroike e luftëtarëve shqiptarë në luftën e Nokshiqit (kryesisht të mobilizuar nga krahina e Plavë-Gucisë dhe krahina e Rugovës), i ka lënë mbresë të fortë edhe udhëheqësit ushtarak të forcave malazeze në këtë luftë, Marko Miljanovit, i cili, në shkrimet e tij të mëvonshme, ka shkruar me admirim për jetën dhe zakonet e shqiptarëve. Studiuesi Robert Elsie për Mark Miljanovin, përveç të tjerash, shkruan: “Marko Miljanov (1833-1901), i njohur në shqip si Mark Milani, ishte një luftëtar malazez, prijës i fisit Kuçi, një figurë e shquar ushtarake dhe shkrimtar. Babai i tij ishte një sllav ortodoks dhe nëna e tij ishte një shqiptare katolike. Libri i tij i botuar pas vdekjes, ˈJeta dhe zakonet e shqiptarëveˈ, është magjepsës për pikëpamjet që ai ofron për fiset fqinje malësore të Shqipërisë, me të cilët fisi i tij malazez kishte shumë të përbashkëta” (Shih në internet: Robert Elsie; Texts and Documents of Albanian History). Prandaj, mund të thuhet se Lufta e Nokshiqit, në njëfarë mënyre ngjanë me luftën e Trojës (në mes palëve ndërluftuese me trashëgimi pellazge), edhe pse Lufta e Nokshiqit u zhvillua në një kontekst tjetër historik dhe karakterizohet nga konflikti për territor i nisur nga pushteti malazez, megjithëkëtë, kjo luftë ishte e karakterizuar shumë edhe nga krenaria në mes palëve ndërluftuese. Në këtë kuptim kjo luftë ishte dyfish tragjike për kontinuitetin e trashëgimisë ilire në këtë zonë, ngase përveç të tjerëve, edhe albanologu norvegjez Svein Mønnesland, në enciklopedinë norvegjeze për historinë e Malit të Zi, përveç të tjerash shkruan: “ Zona që është sot Mali i Zi ishte fillimisht e populluar nga ilirët. Një qytet i rëndësishëm ilir ishte Risani, në pjesën e brendshme të Gjirit të Kotorrit. Përafërsisht 150 vjet para erës sonë, romakët pushtuan bregdetin, ndër të tjera ndërtuan qytetin e Docleas, jo shumë larg Podgoricës së sotme. Në vitin 9 të erës sonë, zona u përfshi në provincën e Ilirikut”. Është gjithashtu e ditur se Mali i Zi, gjatë mesjetës, u udhëhoq nga dinastitë me prejardhje ilire, dinastia e Balshajve deri në 1421 dhe pas vitit 1421 nga dinastia e Cërnojevicve (Kryezezëve), madje sundimtari i Malit të Zi, Stefan Cërnojevic, ishte dhëndri/burri i motrës së Skënderbeut, Mares. Njëherësh është e ditur se me zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjeve në këtë zonë, ashtu siç u konvertuan gradualisht një pjesë e shqiptarëve të fesë katolike në fenë islame. Gjithashtu një pjesë e shqiptarëve të fesë katolike u konvertuan gradualisht në fenë ortodokse (pravosllave) duke u asimiluar në malazez, por kanë vazhduar të identifikohen me fiset me prejardhje të trashëgimisë ilire (Piperi, Drekalovici, Vasojevici etj.). Rishtazi, e përditshmja malazeze “Pobjeda”, botoi një intervistë me pasardhësin e dinastisë Petrovic Njegosh, skulptorin Marko Petrovic Njegosh. Siç dihet, kjo dinasti sundoi Malin e Zi nga viti 1697 deri në vitin 1918, kur u aneksua nga Serbia. Gjatë kësaj interviste Marko Petroviq Njegosh thotë: “është e vërtetuar shkencërisht se Petroviqët e Njegoshit nuk kanë qenë sllavë, të parët tanë kanë qenë me origjinë ilire-helene. Ai e vërteton këtë në një test gjenetik dhe hartën gjenetike të haplogrupit E1b1b..” (Pobjeda, 10 dhjetor 2023). Gjithashtu gjatë vitit që lam pas në një intervistë të realizuar (më 05.06.2023) nga Berat Buzhala, i intervistuari Vuk Drashkoviq (shkrimtar dhe ish-politikan serb), përveç të tjerash u shpreh: “Disi më duket se tek shqiptarët ende s`ka vdekur morali tradicional. Shembujt e “Burrnisë dhe Trimërisë” së shqiptarëve të përshkruara nga Marko Miljanov është një libër i shkëlqyeshëm, sepse tregon se burrni është kur e mbron tjetrin nga vetja, ndërkaq trimëri është kur e mbron veten nga tjetri..” (citim nga kjo intervistë, e cila është e qasshme në Youtube). Për më tepër, shumica prej nesh kemi mësuar më shumë dhe më pak nga gjeneratat paraardhëse brez pas brezi (prindërit etj.), për këto virtyte (burrninë, trimërinë, besën etj.), për shembull kemi mësuar për burrninë si asocim me humanizmin në kuptimin e të qenurit i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për forcën / pushtetin e vetvetes dhe gatishmërinë/vullnetin e vetvetes për të ushtruar vetëkontroll për të mbrojtur të tjerët nga efektet negative të forcës / pushtetit të vetvetes që e posedojmë. Me fjalë të tjera, i kemi të njohura më shumë dhe më pak, porositë nga prindërit etj.: “Mos bën çka t`bjen doresh sepse është ligësi”, në kuptimin mos bën punë të liga me u korit vetëm pse ke forcë / pushtet ta bësh një vepër të ligë, për motive të ulta etj. Këto virtyte shqiptare, sipas studiuesit Edwin Jacques janë shumë të lashta, i cili, në lidhje me këtë në librin e tij të titulluar “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, përveç të tjerash shkruan : “Ashtu si Homeri, Virgjili i paraqiti protagonistët e tragjedisë trojane jo si greke, por si pellazge. Ai deklaroi se mbreti dardan i Trojës, Priami, ishte pellazg si të gjithë mbretërit e tjerë trojanë. Enea gjithashtu ishte dardan dhe rrjedhimisht pellazg, ashtu si shumica e trojanëve. Edhe forcat rrethuese ishin pellazgë. Ndonëse aty-këtu përkthimi në anglisht i cilëson si ˈgrekeˈ, në tekstin latinisht ata përshkruhen nga Virgjili me të drejtë si ˈdanajˈ dhe ˈpellazgëˈ. Duket qarte se heronjtë ˈgrekeˈ nuk ishin aspak grekë, por pellazgë…..Një episod dramatik në Trojë përputhet plotësisht me detyrimin e ˈbesësˈ, që ende është e shenjtë në malet veriore të Shqipërisë. Diomedi nga Argosi, teksa bëhej gati të futej në dyluftim, e njohu kundërshtarin e tij, që ishte i biri i një miku shtëpie. Ai nuk pranoi të përleshej me të, por ˈe nguli patërshanën në tokëˈ dhe e quajti atë ˈmikˈ; menjëherë ata rrokën njëri-tjetrin nga duart dhe dhanë besën duke shkëmbyer dhurata miqësore..” (Jacques: 1995: 62,71).

Më konkretisht, prapavija e Traktatit të Shën Stefanit ishte lufta ruso-turke e vitit 1877. Perandoria Osmane e humbi luftën dhe më 3 mars 1878 u detyrua ta nënshkruajë marrëveshjen me Rusinë. Sipas marrëveshjes, osmanët humbën shumicën e vendeve të Ballkanit të cilat u shndërruan në shtete kombëtare. Shqiptarët nuk ishin të përfshirë në marrëveshje dhe disa nga zonat e banuara me shqiptarë u okupuan nga shtetet e sapoformuara kombëtare në Ballkan (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria etj.), ndërsa pjesa tjetër e territorit të banuar me shqiptarë mbeti nën okupimin e Perandorisë Osmane. Kjo rritje e hegjemonisë ruse në Ballkan, nëpërmes aleatëve të saj, Serbisë etj., i shqetësoi Fuqitë e Mëdha (Gjermaninë, Austro-Hungarinë, Francën, Italinë dhe Britaninë e Madhe) dhe rezultoi me organizimin e Kongresit të Berlinit (që u mbajt gjatë muajve qershor-korrik 1878) për ta rishikuar Traktatin e Shën Stefanit. Rrjedhimisht, në kuadër të këtij konteksti historik duhet parë heroizmin e krahinës së Plavë- Gucisë, që në kuadër të organizimit të Lidhjes së Prizrenit, arriti t’u bëjë ballë me sukses përplasjeve të shpeshta e të pabarabarta ushtrisë malazeze dhe, praktikisht, gjatë periudhës 1878-1912, gëzoi de facto statusin e një republike të pavarur vetëqeverisëse, duke mos lejuar madje as guvernatorët osmanë t’i ushtronin funksionet e tyre administrative dhe duke sfiduar hapur edhe vendimet e Fuqive të Mëdha. Njëherësh, kjo situatë e re e krijuar në Plavë-Guci kontribuoi që forcat armike mos të mund të depërtojnë as në Shkodër, Pejë, Gjakovë dhe malësitë e tyre. Në këtë kuadër, përveç iniciativës për nismën e organizimit të Lidhjes së Prizrenit, krahina e Plavë-Gucisë dha kontribut të madh në vazhdimësi në kuadër të përpjekjeve të përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, që rezultuan me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912). Pas Konferencës së Londrës më 1913, kjo zonë u aneksua në favor të Malit të Zi. Në fakt, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër u bë copëtimi i dytë i territoreve të banuara me shqiptarë (pas copëtimit të parë në Kongresin e Berlinit). Tashmë pothuajse gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë (Kosova me vise dhe Çamëria) mbetën nën pushtimin e vendeve fqinje (Serbisë, Greqisë etj.). Ndërsa me insistimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë u arrit të pavarësohet vetëm gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë, e ashtuquajtura Shqipëria Londineze. Me fjalë të tjera, Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk munden t’i rezistojnë ekspansionit të mëtutjeshëm serb të ndihmuar nga Rusia dhe kjo rezultoi me ndarjen e kombit shqiptar në dysh, ku pothuajse gjysma e kombit shqiptar mbeti nën okupimin e vendeve fqinje si një rast unik në kontinentin evropian. Ky gjymtim i Shqipërisë konsiderohej si një kompromis i domosdoshëm për ta arritur paqen evropiane në mes të Fuqive të Mëdha. Drejtuesi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (njëherësh ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe), Edward Grey, gjatë raportimit të tij më 12.08.1913, në parlamentin britanik u shpreh: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë fuqive të mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë” (shih në internet: Statement by sir Edward Grey, 12 August, 1913). Megjithëkëtë, rezistenca e shqiptarëve në Kosovë me vise, duke e përfshirë edhe krahinën e Plavë-Gucisë, vazhdoi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, siç është, përveç të tjerash, edhe shembulli i rezistencës së çetave në krye me kryengritësit e shkathtë të Plavë-Gucisë: Ramë Rexha i Plavës, i njohur me emrin Ramë Mazi, Mulla Agan Koja (i cili në kujtimet popullore krahasohet me emrin Azem Bejta i Plavë-Gucisë) dhe shumë të tjerë. Nga kjo zonë nuk mungoi as mbështetja e rëndësishme në kuadër të përpjekjeve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë në kuadër të lëvizjes klandestine revolucionare të Kosovës që kulmoi me UÇK-në (siç janë shembujt e Rexhep Galit Balidemajt, Binak Ulajt, Qerim Kelmendit etj.), qoftë në kuadër të Lëvizjes Paqësore të Kosovës (siç është shembulli i Fehmi Aganit etj.), duke e përfshirë kontributin e rëndësishëm për Kosovën të veprimtarëve të shquar nga kjo zonë, në kuadër të emigracionit politik shqiptar, deri në ShBA, siç janë shembujt e Shpend Haxhajt, Bruno Selimajt, Shaban R. Gjonbalajt, Esad Gjonbalajt, Naim Balidemajt dhe shumë të tjerëve.

Gjithashtu, krahina e Plavë-Gucisë ka dhënë në nivel kombëtar personalitete të mirënjohura në fushën e shkencës, letërsisë, artit, gazetarisë, sportit etj. Një ndër këto personalitete të shquara nga krahina e Plavë-Gucisë është edhe Mustafë Shala. Pas vitit 1912 (aneksimit të Plavë-Gucisë nga Mali i Zi), regjimi i atëhershëm malazez, i shtyrë dhe i inkurajuar nga shovinizmi serbomadh i Serbisë, ushtroi dhunë dhe persekutime të ashpra ndaj banorëve të kësaj zone (edhe për t’u hakmarrë për shkak të kaluarës kryengritëse të kësaj zone). Veçanërisht cak i dhunës (vrasjeve pa gjyq, persekutimeve dhe presionit për t’u shpërngulur nga kjo zonë), ishin pasardhësit e familjeve të mirënjohura të kësaj zone, siç janë shembujt e pasardhësve të Jakup Ferrit, Alush Smajlit, Bali Demës etj., duke përfshirë pasardhësit shaljanë – Omeragaj të Gucisë. Në lidhje me këtë, studiuesi Rexhep Dedushaj, në librin e tij “Krahina e Plavë Gucisë nëpër shekuj”, përveç të tjerash, shkruan: “Njëra ndër familjet më në zë, të krahinës së Plavë-Gucisë, që ka luajtur rrol historik gjatë periudhave të ndryshme është edhe familja shaljane – Omeragajt e Gucisë. Njëri ndër zëvendësit e parë të Ali Pashë Gucisë në kohën e Lidhjes së Prizrenit ishte Ismail Omeraga. Në nëntor të vitit 1879 me forcat që i komandonte vendoset në Qafë të Previsë, përballë trupave të Todor Milanit i cili me furi ia kishte mësyrë Gucisë. Ndërsa sektorin e Gerçant e mbronte zëvendësi tjetër i Ali Pashë Gucisë, Bali Dema i Martinajve. Konfrontimi vazhdoi për 24 orë pa ndërprerje dhe ishte shumë i përgjakshëm. Në sektorin e Gucisë pati më shumë se 140 të vrarë e të plagosur, ndër të cilët mbeti edhe vet udhëheqësi shqiptar Ismail Omeragaj. Banditët malazez i prenë atij kokën dhe si shenjë të suksesit e dërguan në Cetinë. Knjaz Nikolla nuk knaqet vetëm me kokën e plakut të Omeragajve por kërkon edhe koka të tjera, prej tyre. Soldateska e tij në Qafë të Previsë me 1913 i pushkaton edhe: Mulla Sheqin, Mujë Agen, dy djemtë e Talit, Hako Alin, Avdi Hasanin, Iber Ahmetagen, Avdi Omeragën etj” (Dedushaj 1998: 25). Qëllimi i regjimit me këto goditje brutale ishte ta çrrënjosë tehun e rezistencës në këtë zonë. Përkundër kësaj, pinjoll të Omeragajve etj., vazhduan të vihen në ballë të rezistencës, edhe pas themelimit të Jugosllavisë Monarkiste më 1 dhjetor 1918 (Mbretëria serbo-kroato-sllovene, e njohur edhe me emrin Mbretëria Jugosllave, nga viti 1929). Përveç të tjerëve, një nga pinjollët e Omeragajve, Adem Omeragaj, ishte një nga anëtarët kyç të Nënkomitetit për organizimin e mbrojtjes së Gucisë nga ushtria Jugosllave në vitet 1918-1919. Ndërsa Ismail Nikoçi, së bashku me Hysen Ef. Vuthin, të mbështetur nga Hasan Ferri etj., u zgjodhën përfaqësues të krahinës së Plavë-Gucisë në Komitetin e Kosovës (Dedushaj 1998:44, 54). Komiteti i Kosovës, udhëhiqej, përveç të tjerëve, nga Hoxhë Kadri Prishtina dhe Hasan Prishtina, një nga ideatorët dhe themeluesit kryesorë të shtetit shqiptar (1912), njëherësh kryeministër i Shqipërisë në fundvitin 1921, dhe kryeideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise pas vitit 1912.

Ngjashëm si në Kosovë, rezistenca e krahinës së Plavë-Gucisë u shua pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht si pasojë e riokupimit nga Jugosllavia federaliste. Në këtë vazhdë, duke e marrë parasysh rezistencën e kësaj zone ndër shekuj, kjo zonë iu ekspozua shtypjes dhe diskriminimit, edhe në kuptimin e moszhvillimit ekonomik, moszhvillimit të sistemit të duhur arsimor etj. Qëllimi ishte që t’u vështirësohej jeta banorëve të kësaj zone që të shpërngulen/emigrojnë, gjë që edhe ndikoi që një pjesë e banorëve të kësaj zone të shpërngulen në Kosovë dhe në Shqipëri dhe, gjithashtu, që një pjesë e banorëve të kësaj zone të emigrojnë kryesisht në ShBA etj. Njëherësh, për shkak të rrethanave të krijuara në këtë zonë pas Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e banorëve të kësaj zone rezultuan me më shumë dhe më pak asimilim gjuhësor. Megjithëkëtë, pavarësisht prej shpërnguljes dhe emigrimit, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të kësaj zone mbijetuan, duke e ruajtur demografinë e kësaj zone dhe duke qenë edhe sot krenarë për të kaluarën heroike dhe të mbijetesës së paraardhësve të tyre në këtë zonë. Rrjedhimisht, është për keqardhje që edhe pas 25 vjetësh të çlirimit të Kosovës, ende nuk është përfunduar rruga që lidh Kosovën me krahinën e Plavë-Gucisë. Njëherësh është për keqardhje që mungojnë projekte të ndryshme që shërbejnë për risocializimin më dinamik të kësaj zone me Kosovën dhe Shqipërinë, për shembull, përveç të tjerash, nëpërmes kuotës së studentëve nga kjo zonë (së paku nga një semestër) në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tiranës. Ky është së paku një obligim human, patriotik, moral dhe politik (i Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Shqipërisë) ndaj paraardhësve dhe pasardhësve të shquar nga kjo zonë, për gjithçka që kanë dhënë nga vetja e tyre për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarinë në përgjithësi.

Historia 600-vjeçare e shaljanëve – Omeragaj të krahinës së Plavë-Gucisë, që nga Dedë Shala (Omer Agë Shala) deri te Mustafë Shala (djali i dajës së nënës sime), mbetet një fragment i rëndësishëm në kuadër të historisë sonë të përgjithshme të sakrificave, lavdisë, dhembshurisë dhe mbijetesës kombëtare. Në mes të dy luftërave botërore për t’i shpëtuar brutalitetit nga regjimi, (vrasjeve dhe pushkatimeve pa gjyq), edhe dy dajat Omeragaj të nënës sime emigruan në Turqi para Luftës së Dytë Botërore (thuhet se kanë emigruar në të njëjtin vend në Turqi ku emigroi edhe Hasan Ferri, djali i Jakup Ferrit). Ndërsa një nga dajat e nënës (babai i Mustafë Shalës) u shpërngul paraprakisht në Kosovë, dhe duke qenë krenar me të kaluarën e fisit të tij, e ktheu mbiemrin nga Omeragaj në Shalë, edhe pse ishte me profesion Hoxhë i nderuar. Më kujtohet si fëmijë, gjyshja (nëna e nënës, Maliqe Omeragaj, e cila mburrej me vazhdimësinë fisnike, ndershmërinë dhe lavdinë e Omeragajve ndër shekuj), me mall të madh i përmendte dy vëllezërit e saj të emigruar në Turqi, të cilët nuk i takoi më kurrë për së gjalli, ndërsa me vëllanë e tretë (babanë e Mustafë Shalës), por edhe me nipin e saj, Mustafën, mbajti kontaktin derisa jetoi.

Mustafë Shala punoi për një kohë të gjatë si redaktor e një kohë si kryeredaktor i gazetës “Rilindja”. Numri i parë i gazetës “Rilindja” u botua më 12 shkurt 1945 në Prizren. Filloi si gazetë periodike, më pastaj u bë gazetë e përditshme, shtëpi botuese, vatër kulturore dhe emancipuese. Nga kjo gazetë lexuesit shqiptarë në Kosovë dhe gjithandej ku kishte shqiptarë në ish-Jugosllavi u informuan, (pavarësisht prej rrethanave shpesh represive), mbi zhvillimet politike, sociale, ekonomike, kulturore e sportive. Në fakt, “Rilindja”, përveçse ishte gazetë, ishte edhe një lloj shtëpie mediale që përfshinte gazetat: “Fjala”, “Shkëndija”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Bujku”, “BAT” etj. Disa nga gazetarët me përvojë më të gjatë të kësaj gazete kanë qenë Nehat Islami, Zenun Çelaj, Avni Spahiu, Binak Kelmendi, Gani Mulliqi, Ramush Tahiri etj. “Rilindja” u mbyll më 7 gusht 1990 nga pushteti i dhunshëm serb, rreth një muaj pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve “Rilindja” u botua në Tiranë dhe në Zvicër (edicioni për diasporë), ndërsa në Kosovë doli me emrin “Bujku”. Në prag të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë “Rilindja” u botua në Prishtinë me emrin e vërtetë. Pas luftës në Kosovë pati disa përpjekje modeste për ta ringjallur këtë gazetë por, pa sukses. Në vijim një biografi e shkurtër e Mustafë Shalës marrë nga “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, shkruar nga gazetari veteran Nehat Islami:

“Shala Mustafa (1921-1988). Gazetar. Lindi në Brestovc të komunës së Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në Prizren, kurse Medresenë e Madhe në Shkup. Në Beograd studioi për gjuhë frënge dhe italiane, por u detyrua t`i ndërpresë ato me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pas kthimit në Prizren u mor me botimin e gazetës ilegale “Zani i rinisë”, për çka u kap dhe u dënua me vdekje, por i shpëtoi ekzekutimit pas hapjes së burgut të Prizrenit në nëntorin e vitit 1945. Që nga viti 1946 filloi të punojë në gazetën “Rilindja” në Prishtinë. Aty punoi për një kohë të gjatë si redaktor e një kohë si kryeredaktor i saj. Dha kontribut të çmuar në ngritjen e brezave të rinj të gazetarëve profesionistë në Kosovë” (Nehat Islami)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizuar nga Art Club “Rifat Kukaj” dhe shtëpia botuese “Armagedoni”,…