Rinovohet hapësira e Administratës Komunale në Prizren

09 qershor 2021 | 16:57

Administrata Komunale në Prizren tanimë ka hapësira tërësisht të rinovuara, në të cilat qytetarët mund të marrin shërbime më efikase dhe punonjësit kanë ambiente më të përshtatshme të punës.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Administratës, Osman Hajdari, kanë parë nga afër punët e kryera, ku janë rinovuar rreth 500 metër katrorë të kësaj drejtorie.

Haskuka ka thënë se në kuadër të këtij projekti është bërë funksionalizmi i sallës së testimeve, ku do të testohen të gjithë ata që aplikojnë në konkurset e komunës dhe do të mund të vëzhgohen online nga Prishtina përmes sistemit të kamerave.

“Po ashtu, janë funksionalizuar salla e mbledhjeve që do të mund të shfrytëzohet nga drejtoritë e ndryshme për nevojat e tyre, salla e veçantë e auditorëve të jashtëm si dhe është bërë rinovimi i tërësishëm i sallës së punonjësve. Reformat administrative në Komunën e Prizrenit i patëm filluar nga Drejtoria e Financave, ku i patëm hequr xhamat në mes të qytetarëve dhe zyrtarëve, pastaj në të njëjtën mënyrë vazhduam edhe në Qendrën për Shërbime e Integruara. Tanimë nuk ka asnjë barrierë që e pengon kontaktin e qytetarëve me zyrtarët. Së fundmi, duke i niveluar pagat dhe duke i pajisur zyrat me pajisje të teknologjisë së fundit, jemi munduar që t’i motivojmë sa më shumë punonjësit në mënyrë që të jenë sa më efikas në punë”, ka thënë kryetari Haskuka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës…