Rinumërimi nuk e dëmton procesin zgjedhor

18 tetor 2019 | 15:53

Drejtori i Institutit të Demokracisë për Zhvillim (D4D), Shpend Emini, e ka vlerësuar të drejtë vendimin e KQZ-së për rinumërim edhe të 530 vendvotimeve. Ai ka bërë me dije se çdo dyshim rreth procesit zgjedhor duhet të vlerësohet dhe të rishikohet nga KQZ-ja.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Emini ka thënë se rinumërimi i votave nuk e dëmton procesin zgjedhor. “Ajo çka është e rëndësishme është se duhet të bëhet dallimi mes rinumërimit dhe tentimit të ndryshimit apo manipulimit gjatë numërimit të fletëvotimeve. Rinumërimi nuk e dëmton procesin zgjedhor pasi ka të bëjë me verifikimin e fletëvotimeve pas dyshimeve të ngritura. Organet përgjegjëse për drejtësinë zgjedhore duhet të punojnë dhe veprojnë në ato raste ku vërtetohet manipulimi, pra në rastet kur komisionarët kanë ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshëm në fletëvotim apo në formularë të tjerë”, ka thënë Emini.

Ai ka deklaruar se u takon institucioneve për menaxhimin e zgjedhjeve të vlerësojnë nëse ka bazë për rinumërim të përgjithshëm në nivel vendi, e jo partitive politike. “Partive politike u takon të ankohen nëse kanë prova se procesi është dëmtuar dhe ka ndikim direkt në rezultate. Nuk duhet të ketë vonesa të paarsyeshme të përmbylljes së procesit. Krahasuar me zgjedhjet e viteve të kaluara, ka një përmirësim të dukshëm të punës nga ana e KQZ-së dhe institucioneve të tjera, andaj rinumërimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur ka prova dhe bazë të fortë për t’i rinumëruar të gjitha vendvotimet”, është shprehur ai.

Emini ka folur edhe për ankesat e kandidatëve për deputetë ndaj komisionarëve partiakë për bartje të votave te kandidatët e tjerë. Ai ka deklaruar se në rast se vërtetohet se ka pasur vjedhje të votave për t’i ndryshuar rezultatet për një kandidat të caktuar brenda subjekteve politike, iu takon organeve të drejtësisë të ndërmarrin masa të parapara në kodin penal. Emini ka treguar se për t’i ikur këtij fenomeni duhet të ndodhë centralizimi i numërimit të votave. “Në lidhje me parregullsitë e shkaktuara gjatë numërimit, si organizatë (D4D) në vitin 2013 patëm rekomanduar që çështja e numërimit të centralizohet, pra që kutitë të mos hapen në vendvotime, por ato të barten, për shembull, në QNR dhe numërimi të bëhet aty, për t’u ikur parregullsive të mundshme, e sidomos manipulimeve të mundshme nga ana e komisionarëve”, ka thënë Emini.

“Epoka e re”: Z. Emini, KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim edhe të 530 vendvotimeve, derisa më herët janë rinumëruar edhe mbi 300 kuti të tjera. Si e keni parë këtë vendim të KQZ-së?
Emini: Vendimi i KQZ-së është bazuar pas kërkesës së QNR-së për rinumërim për shkak të mospërputhjeve në formular. Çdo dyshim duhet të vlerësohet dhe të rishikohet nga KQZ-ja, andaj edhe ky vendim është i duhur pasi ka të bëjë me një proces që ndërlidhet me integritetin zgjedhor. Në rast se ka mospërputhje në formular në ato vendvotime që rinumërohen, prokuroria duhet të ndërmarrë masa në përputhje me ligjet në fuqi në mënyrë që të parandalohen aktet e tilla në proceset e ardhshme.

“Epoka e re”: Rinumërimet e pjesshme kanë shtuar zërat se me këto veprime po tentohet të prishet procesi zgjedhor. A po lëndohet ky proces me veprime të tilla?

Emini: Çdo dyshim mbi manipulim të mundshëm dëmton procesin zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në këtë proces. Ajo çka është e rëndësishme është se duhet të bëhet dallimi mes rinumërimit dhe tentimit të ndryshimit apo manipulimit gjatë numërimit të fletëvotimeve. Rinumërimi nuk e dëmton procesin zgjedhor pasi ka të bëjë me verifikimin e fletëvotimeve pas dyshimeve të ngritura. Organet përgjegjëse për drejtësinë zgjedhore duhet të punojnë dhe veprojnë në ato raste ku vërtetohet manipulimi, pra në rastet kur komisionarët kanë ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshëm në fletëvotim apo në formularë të tjerë.

“Epoka e re”: Pas përfundimit të zgjedhjeve kemi pasur kërkesa të LDK-së, të PDK-së dhe të koalicionit Nisma-AKR-PD për rinumërim të votave në nivel vendi. Arsyetimet e tyre kanë qenë për disa gabime teknike në formularë. Sa janë të mjaftueshme këto arsye për të ndodhur rinumërimi i përgjithshëm?
Emini: U takon institucioneve për menaxhimin e zgjedhjeve të vlerësojnë nëse ka bazë për rinumërim të përgjithshëm në nivel vendi, e jo vetëm pse atë e kërkojnë partitë. Partive politike u takon të ankohen nëse kanë prova se procesi është dëmtuar dhe ka ndikim në rezultate. Nuk duhet të ketë vonesa të paarsyeshme të përmbylljes së procesit. Krahasuar me zgjedhjet e viteve të kaluara, ka një përmirësim të dukshëm të punës nga ana e KQZ-së dhe institucioneve të tjera, andaj rinumërimi mund të ndodhë vetëm kur ka prova dhe bazë të fortë për t’i rinumëruar të gjitha vendvotimet.

“Epoka e re”: Si asnjëherë më parë kemi pasur pretendime të kandidatëve për deputetë se u janë vjedhur votat nga komisionarët partiakë. Nëse këto pretendime vërtetohen, kush duhet të përgjigjet?
Emini: Në rast se vërtetohet se ka pasur vjedhje të votave për t’i ndryshuar rezultatet për një kandidat të caktuar brenda subjekteve politike, u takon organeve të drejtësisë të ndërmarrin masa të parapara në kodin penal. Institucionet për drejtësinë zgjedhore, Prokuroria a Shtetit, Policia e Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ato për administrimin e zgjedhjeve KQZ dhe PZAP në vitin 2016 kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes këtyre institucioneve, parandalimin e shkeljeve ligjore, hetimin, ndjekjen dhe gjykimin efikas të të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjet, rregullat zgjedhore apo veprat penale kundër të drejtave të votimit në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Veprimet e prokurorisë në zgjedhjet e kaluara kanë qenë të shpejta, ku është ngritur aktakuzë ndaj personave që kanë kryer vepra penale nga të cilat për disa kanë rezultuar me aktgjykimin fajësues. Presim që prokuroria, por edhe institucionet e tjera të veprojnë njëjtë në rastet kur vërtetohet që komisionarë të caktuar kanë ndikuar në ndryshim të rezultateve për kandidatë të caktuar dhe të hetohet nëse edhe kandidatët kanë shtyrë komisionarët që të manipulojnë në përfitim të tyre.

 “Epoka e re”: Këto probleme me të cilat po përballet Kosova në çdo palë zgjedhje a do të mund t’i eliminonte një reformë e mirëfilltë zgjedhore?
Emini: Reforma zgjedhore përmendet pas çdo procesi zgjedhor, pasi disa prej parregullsive janë përsëritur që nga viti 2010, kur ka qenë edhe hera e fundit që është punuar në reformë, pa marrë parasysh fillimin e punës në reformë gjatë këtij viti i cili u ndërpre për shkak të shpërndarjes së Kuvendit. Një reformë e cila do t’i prekë jo vetëm çështjet teknike, por edhe ato përmbajtjesore, mund t’i eliminojë parregullsitë të cilat mund të ndikojnë në humbjen e besimit në procesin zgjedhor. Në lidhje me parregullsitë e shkaktuara gjatë numërimit, si organizatë (D4D) në vitin 2013 patëm rekomanduar që çështja e numërimit të centralizohet, pra që kutitë të mos hapen në vendvotime, por ato të barten, për shembull, në QNR dhe numërimi të bëhet aty, për t’u ikur parregullsive të mundshme, e sidomos manipulimeve të mundshme nga ana e komisionarëve.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëshoj banesë me qira. Banesa është ndërtim i ri dhe…