Rizvanolli: Ja si do ta kalojmë këtë dimër

31 korrik 2022 | 17:59

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, shoqëruar edhe nga kryeministri Albin Kurti, për herë të parë doli në konferencë për media pas nënshkrimit të marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për të folur për rëndësinë e këtij programi.

Ajo dha edhe detaje në lidhje me zbatimin e programit por u përgjigj edhe për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.

Kryeministri Kurti tha se granti prej 202 milionë dollarësh është më i madhi në Kosovën e çliruar ndërsa u shpreh se investimet do të mbesin pronë e Kosovës ndërsa përfitimet janë të shumta.

“Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe do t’i përfshijë tri projekte. E para, rezerva dhe arbitrazh të energjisë apo bateritë me kapacitet 240 megavate, e dyta është zhvillim i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektorë të energjisë dhe e treta është projekti i institucionit amerikan të katalizatorit për zhvillim. këto tri projekte do të ulin nevojën për blerje të shërbimeve rregulluese, do të ulin koston e importit të energjisë dhe do të përshpejtojnë kyçjen e burimeve të ripërtërishme në rrjet”, deklaroi Kurti.

Ndërsa ministrja Rizvanolli deklaroi se zbatimi i projektit është paraparë të nisë 18 deri në 24 muaj pas ratifikimi, proces ky që tashmë ka ndodhur.

Mirëpo, u shpreh se gjatë kësaj periudhe do të bëhen analiza, do të krijohet infrastruktura ligjore në mënyrë që të fillojë së impelementuari projekti.

Ajo tha se janë përcaktuar tri lokacione preliminare për vendosjen e baterive të cilat do të akumulojnë energjinë por që studimet për ato zona do të vazhdojnë. Ajo u shpreh e bateritë mund të jenë të instaluara pas dy-tre vitesh.

“Kur po flasim për zbatimin e projektit duhet pasur të qartë se zbatim i projektit fillon 18 deri 24 muaj pas ratifikimit… Gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë për shembull vetëm është caktuar. Tri lokacione preliminare. Do të vazhdojnë studimet për ato lokacione. Do të vazhdojë puna në zhvillimin e parapërgatitjes për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni, ose institucionet partnere, do të bëhen ndryshimet ligjore, rregulluese të cilat mundësojnë blerjen dhe shfrytëzimin e baterive, këtu të gjitha do të ndodhin gjatë 18 muajve të ardhshëm para se të fillojë zyrtarisht atë që quajmë zbatimi i projektit kur edhe fillon shpenzimi i pjesës më të madhe të grantit. Me fillimin e zbatimit të projektit mund të fillojë prokurimi i baterive, por po flasim për dy-tri vite deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara dhe deri në kohën kur të fillojë ofrimi i programeve të trajnimit.”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë iu përgjigj edhe kritikëve të këtij projekti.

“Unë i kam dëgjuar disa kritikë, ose kritika, që thonë se çfarë na duhen bateritë kur nuk e kemi gjenerimin ose kur nuk i kemi burimet e ripërtërishme të energjisë, por në energji gjërat planifikohen dhe kjo është arsyeja pse planifikohen bateritë për të mundësuar integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, paralelisht kur po punojmë për zhvillimin e kapaciteteve. Këto të dyja duhet të shkojnë së bashku dhe jemi saktësisht në kohën e duhur me bateritë për kohën kur do t’i kemi burimet e ripërtërishme me të mëdha, mirëpo përveç kësaj janë edhe përfitime të tjera të cilat i përmenda më lartë që jo domosdo lidhen me integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë”, vijoi Rizvanolli.

Mirëpo, deri në posedimin e këtyre baterive, vendit i duhet të kalojë krizën energjetike që po ndjehet në Evropë dhe botë. Dimri i ardhshëm parashikohet i vështirë, sidomos me rritjen e çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare.

Në muajt e stinës së ftohtë Kosovës i duhet të importojë energji për të përballuar kërkesën.

Rizvanolli tha se së shpejti do të shpallin masat emergjente për kursim të energjisë dhe për ndërhyrje të tjera të nevojshme.

Ajo shtoi se janë duke negociuar me vende si Greqia, Bullgaria e Maqedonia e Veriut edhe për shkëmbim të energjisë.

“Marrëveshja me Shqipërinë shumë e rëndësishme për të na ndihmuar të përballojmë krizën meqenëse na mundëson që energjinë e tepër që e ka Shqipëria gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit ta shfrytëzojmë. Janë gjithashtu duke ndodhur ose veçse kanë ndodhur në nivel politik ose ne nivel teknik bisedime me shtete të tjera mike, siç janë Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, për të parë mundësitë e maksimizimit të bashkëpunimit edhe në shkëmbim të energjisë por jo vetëm, për të mundësuar përftimin e energjisë në kushte më të mira gjatë muajve të dimrit përveç kësaj do të ndërmarrim masa të shpejta të rritjes së efiçencës së energjisë duke përfshirë edhe subvencione për konsumatorët që shfrytëzojnë burimet e tjera të energjisë, jo energji elektrike, për ngrohje mirëpo për shtresat më të varfra për t’ju siguruar që ato te kenë mundësi të mbajnë ngrohtë gjatë dimrit”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli tha se është e vetëdijshme se çmimi i peletit është rritur, që shërben si alternativë e ngrohjes, dhe tha se peleti do të përfshihet në ligjin për përcaktimin e çmimeve tavan

“Sa i përket çmimit të pelet e kemi parasysh situatën në treg e cila kemi një rritje të çmimit e cila vjen kryesisht si pasojë e rritjet së çmimit të importit, jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe peleti do të përfshihet në ligjin që parashihet për përcaktimin e çmimeve tavan, përveç kësaj do të shohim edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit me sektorin privat me prodhuesit vendorë të peletit për të parë nëse mund të rritet prodhimi i tyre”, vijoi Rizvanolli.

Kurti u pyet edhe për deklaratën të cilën e kishte bërë vetë ai: “S’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer” nëse i qëndron mbrapa pasi tashmë Kosova do të ketë bateritë për të ruajtur energjinë.

“Vitin e kaluar nuk kemi pasur bateri që ta ruajmë energjinë dhe as këtë vit nuk do t’i kemi bateritë. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin që të mund të importojmë sa më lirë nëse do të jetë nevoja për një gjë të tillë duke pas parasysh që fatkeqësisht në kohën e dimrit të ashpër konsumin tonë nuk e mbulon gjenerimi. Aktualisht nuk i kemi ato bateritë që do të mund të thoshim se nuk vlejnë ajo deklaratë me frigoriferë”, tha Kurti.

Përndryshe, Kurti tha se Kosova do të shërbejë si shembull për rajon për bateritë pasi jemi vendi i parë që do të ketë të tilla. /kp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për përditësimin…