Rizvanolli: Sektori i energjisë nuk i ka tërhequr investimet e duhura
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se sektori energjisë nuk i ka tërhequr investimet e duhura.
Rizvanolli duke folur në konferencën për integrimin e tregut të energjisë elektrike, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria mbeten të varura nga importet, për të garantuar furnizimin e rregullt me rrymë.
“Sektori i energjisë për fat të keq nuk i ka tërhequr investimet e duhura për të siguruar në mënyrë afatgjate furnizimin me rrymë për vendin tonë. Kemi iniciuar draftimin e Ligjit për Burimet e Ripërtrishme dhe shpresojmë që brenda vitit ta kemi ankandin e parë për energji”, u shpreh ajo.
Sipas Rizvanollit, të dy vendet janë të varura shumë nga një burim i vetëm i energjisë.
“Integrimi i tregut me atë të Shqipërisë është njëri nga synimet tona në sektorin e energjisë. Shqipëria dhe Kosova mbeten të varura nga importet për të garantuar furnizimin me energji elektrike, duke qenë se kapacitetet tona gjeneruese vijnë nga burimet e ndryshme, integrimi i energjisë do të lejojë që t’i përdorim burimet. Me këtë sistemet tona do të bëhen më të afta për kërkesën për furnizim me energji elektrike”, ka thënë Rizvanolli, e cila ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria janë të varura shumë nga një burim i vetëm i energjisë. “Kjo do të thotë se te dy palët kanë nevojë për diversifikim të burimeve, e cila nuk mund të bëhet pa përfshirjen e sektorit privat”, ka përfunduar Rizvanolli.



