ROMAN I DYKOHËSISË DHE NARRATIVËS SË PROTAGONISTËVE

28 janar 2019 | 11:29

Behar GJOKA

Shënime për romanin “Vrasje në kornizë” të Florin Kelmendit, botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, 2018

Romani “Vrasje në kornizë” i Florin Kelmendit, e rrok jetën në totalitetin romanor, ndonëse thelbi letrar, shqiptohet në dykohësinë e ndërthurur dhe narrativen e personazheve. Megjithatë, varësisht tekstit, projektohet një vepër shumështresore si thënie, përmes larmive shprehëse. Rrafshet e ligjërimit, në pamje të parë, shpalosin ngjyresat e një romani për dashurinë. Shenja e dashurisë së madhe, ndërlidhet me pikturën nudo, e cila shpesh ndërron vend me dy protagonistët, Artën dhe Dinin. Në këtë nivel leximi, ke përshtypjen se është një roman për dashurinë dhe artin, në kuptimin më të gjerë. Qenia njerëzore, në kohë dhe hapësirë, ka shtegtuar në qiejtë e dashurisë dhe artit. Ikjet e Dinit, për t’u kthyer në atmosferën e tekstit, në sipërfaqe duken enigmatike, ku madje në ikjen e dytë nuk kthehet më, diç më tepër sugjerojnë humbjen e dashurisë. Madje, nëpër sekuenca të librit, si një nëntekst i një aventure tragjike, që konturon tipin e romanit, gati policesk, ku fati i njeriut ka mbet në duart e pushtetit. Leximi brendatekstor, krijon rrethanën e prekjes së shtresave të tjera, pra të një vepre komplekse, në shumicën e shenjave shkrimore. Në tekst fanitet fati i qenies si individ, po kaq fati i shqiptarit në Kosovë dhe në gadishullin e trazuar të Ballkanit.

Retrospektiva, pra kthimi në kohë, si dhe prania e kujtesës/harresës, e zgjeron ca më tepër, shumëngjyrësinë që përçohet në atë gjendje shkrimi. Kohët e projektuara, të rrethanave të pushtimit serb, me kohën e lirisë, të fitores së luftës, e tash të përfshirë në betejën për ta fituar edhe paqen, përcjellin fatin e Kosovës, të qytetarëve të saj, në të dy kohët. Po kaq vlerë, ndonëse vjen përmes ironisë, bart edhe prania e një beteje me veten, të individit me shoqërinë dhe kohën, të një situimi tejet të ndërlikuar, ku fitorja çlirimit të atdheut, që e shpëton kombin, nuk mjafton, sepse njeriu duhet të lirohet nga vetja, nga sundimtarët e pushtetit, dje dhe sot, një betejë që shqiptarët gjer më tani, pothuajse e kanë humbur.

Të rënët, të humburit, plaga e hapur e Kosovës, kërkimi i eshtrave të tyre, sugjeron situatën e kujtesës si harrim, që vret ndërgjegjen e secilit njeri, nga ana tjetër, me gjithsej pushtetarët dhe politikanët, janë vënë në garën e hajnisë, e vjedhjes së pasurive dhe të popullit të vet, që e çliruan nga kthetrat e pushtuesit.

Prania e këtyre elementëve formëson tipin e romanit me gjerësi tematike dhe problematike, të një vështrim tërësor të jetës së qenies, që ndërkaq sendërgjohet më larmi formash ligjërimore. Karakteri shumështresor dhe kompleks, që në faqete librit, vjen si ironi kundërthënëse, të shpërfaq gjurmët e një letërsie postmoderne, që vetiu të sjellë në vëmendjen pohimin: Arti postmodern thjesht është dhe duhet të jetë i përjetuar. (Hans Bertens, 2015: 19, në librin Koncepti i postmodernes.) Megjithatë, forma mbizotëruese e shqiptimit artistik është ditari, që e grimcon realitetin letrar, në një shpalim fragmentar, që përçon një dinamikë të jetës e po kaq të fatit të personazheve. Fillet përbashkuese të larmisë së situatave dhe rrafsheve ligjërimore, lidhen me dy elementë të prozëshkrimit, me dykohësinë dhe narrativën e personazheve.

Kuptohet se dykohësia, nisur nga sot, për të zbritur në kohën e djeshme, por edhe si integrim i ndërsjellë, pikëvështruar në pasqyrën e përqasjes, me gjasë e shëmbëllimit ndërkohor, e shpalon të plotë hapësirën e kumteve, të mesazheve kundërthënëse dhe paradoksale, që rrokin gjithanshmërinë, e cila shenjon tipikën e zhanrit të gjatë të prozës. Dykohësia, me ndërlikesat në hapësirën tekstologjike, shqiptohet përmes narrativës së personazheve, të cilët janë edhe protagonistë të dy kohëve.

 

Rrafshet e kohës letrare

 

Materia e kësaj proze, pavarësisht pranisë së shtjellimit tepër të përthyer, gjurmëve të një fragmentariteti qëllimor, të grimcuar në episode dhe pasazhe të shumta, në rrëfimin dhe skicimin e personazheve, si vetëprotretizim, të cilët janë edhe protagonistë të ndodhive, megjithatë  shpalon dy kohë:

A – Kohën e vështirë dhe tragjike të pushtimit serb, që nuk linte grimën e hapësirës për liri, kohën e dhunës dhe spiunimit, kur qytetari i Kosovës, shqiptari autotokton nuk ishte zot, anipse ishte në shtëpinë e vet, e cila kulmon me demonstratat e vitit 1981, të cilat zbulojnë para botës dhunën serbe dhe dramën e shqiptarëve të asaj krahine. Kuptohet se është një kohë shumë e zymtë, kohë e territ dhe gjenocidit të paimagjinueshëm, kur dinjiteti dhe jeta ishin në zgripin e vet ekzistencial. Ishte një kohë e vështirë, kur njeriu detyrohej të zvarritej e shpërfytyrohej, por në distancë kohore, kupton se ishte edhe harku kohor i sprovës së karaktereve njerëzore.

B – Koha e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në përballje dhe paralelizim me të parën, pra kur është realizuar ëndrra shekullore. Megjithatë, siç e paraqet libri, jeta individuale dhe shoqërore nuk ia ka mbërritur ende që të përplotësojë përmasën e ëndrrës dhe shpresën për të nesërmen e sigurt, sepse në jetën e përditshme, ruhen mendësi të kohës tjetër, që fusin pengesa dhe stërkëmbsa në ritmin e kësaj kohe. Po kaq në këtë kohë, të lirisë së atdheut, pothuajse janë harruar të rënët, e sidomos të humburit e dhunës serbe, që shënon një akt përgjumje të vetëdijes humane. Pra, nëse është fituar lufta, ende nuk është fituar paqja, nuk është fituar dinjiteti, sepse politika e fitimtarëve, që të përkujton çlirimtarët e viteve ’45, të shekullit të kaluar, në Shqipëri, është kredhur në hajni dhe korrupsion, në amoralitet dhe monotoni sundimi.

Dy kohët e realitetit letrar, pushtimi serb dhe harku i lirisë, janë vendosur në dy gjendje letrare. E para, ndërmjet tyre është fokusuar marrëdhënia e kontrastit, që skicon tiparet e secilës kohë, por edhe të skicimit të vetë protagonistëve. Dykohësia, e dyta shenjë, gjendet edhe në pranvënie të ndërsjellë, gjë që mundëson të spikaten nuanca dhe dallime ndërkohore, po kaq evidenton dritëhijet e personazheve. Dykohësia e antitezës dhe pranëvënies, ka mundësuar shpalimin e kohës letrare, si një gjurmë e secilit rrafsh, por edhe si pikë reference e pranisë së qenies në rrathët ndërkohor.

Ditari si formë shkrimi

Forma e përveçme e ligjërimit, si organizim teksti, strukturë kompozicionale dhe narrative, herë të shpallur, e herë të nënkutpuar, është ditari. Në shumicën e episodeve të këtij romani, pavarësisht episodeve të pranishme, mbizotëron forma e ditarit, ku madje përcaktohet vendi dhe data. Në këtë mënyrë, të ligjërimit të ngrirë dhe subjektiv, në kuptimin e dëshmisë, jo të narrativës dinamike, ngjet edhe skicimi i personazheve, i vetë protagonistëve, të cilët në shumicën e herëve, në sekuencat e librit, vihen në situata reale të dykohësisë së integruar dhe të identifikuar, gjë që ndërkaq zgjeron dimensionet e jetës konkrete. Kjo formë e gjetur ligjërimi, ku fati i ndryshëm i personazheve, paraqet morinë e ngjarjeve, jashtë rrjedhes lineare, por në një shtjellim të kapërthyer, sendërton kontekstin, kundërvëniet dhe sprovat, është e shtrirë në gjithë hapësirën e tekstit. Ligjërimi me anë të ditarit, vizaton një kohë të ngrirë, gati-gati një kohë reale, që fiton atributin e dëshmisë si me thënë, skicimin e jetës konkrete. Po kaq, forma e shkrimit letrar si ditar, luan rol për skicimin e spektrit ekzistencial të personazheve, me dritëhije, madje duke shënuar një akt vetërrëfimor. Figurimi i kohës letrare, përmes ditarit, si dhe të gdhendjes së cilësive të personazheve, si formë e vetëdeklarimit, thekson ngjyresat e realizmit të gjallë, që shqipton, një përmasë konkrete në dy kohë, të cilat megjithatë ndahen dhe integrohen  ndërmjetshëm. Në episodin e parë të prozës, që zë fill në faqen 11 dhe shkon deri në faqen 13, më tepër ndeshim ditarin hipotetik, ku theksohet vetëm një ditë. Kurse dy pjesët e tjera, më të zgjeruar, konceptohen si formë e qartë ditari. Kjo mënyrë e pasuron shkrimin letrar, përmes ligjërimit si ditar. Forma e ditarit, përpos shenjave reale, të fjalës dhe personazheve konkretë, skicon dhe shpalon botën e brendshme, e sidomos rrafshet psikologjike të qenies.

Narrativa si shenjë vetëprotretizimi

Tharmi i sendërgjimit të botës romanore, si ndërthurje e kohëve të ndryshme, ku prekim mjedise dhe karaktere të shumtë, është gjurma unike e rrëfimit, mjetit që mundëson prozëshkrimin. Veçanësia e thadrimit të prozës, gjithnjë në rrafsh rrëfimor, është organizimi i strukturës, me epiqendër rrëfimin e personazhit. Boshti kryesor narrativ, që shpalon ngjarjet dhe tipizon personazhet, është Arta.

Narrativa e saj, si pozicion dhe shprehësi, bart dy shenja të dëshmisë, si protagoniste e të dy kohëve, por edhe si rrëfimtare në hapësirën e tekstit. Përpos se kaq, pentagrami rrëfimor i Artës, pra i rrëfimtares-personazhi qëndror të romanit, ndërlidh dhe i vendos në një radhë të paqëndrueshme, madje që shprishet enkas, dhe me funksion estetik, personazhet e tjerë, të cilët mbartin të dy atributet, edhe si protagonistë, edhe si karaktere letrare. Në radhitjen dhe ndërrimin e vendit të personazheve-rrëfimtarë, mbizotëron edhe narrativa e Dinit, dashurisë së madhe të Artës, si dhe e Shpendit, vëllait të protagonistes epiqendër të realitetit letrar. Tre protagonistët, që shpalosin tri rrafshet ligjërimore dhe narrative të tekstit, me praninë dhe gjanësinë rrëfimore, ndërlidhin kohët, hapësirat, shqetësimet, veset dhe virtytet e personazheve të pranishëm. Duke qenë rrëfim i personazheve, përveç strukturës narrative të tekstit, sfumatura e tillë tregimtare, realizon karakterizimin e personazheve, si vetëprotretizim. Ligjërata narrative e shqiptuar si rrëfim i personazheve, veçon dhe tipizon protagonistët, si un shoqëror dhe individual, por edhe si karaktere të konteksteve dhe ndërkohësisë. Me penelime të shpejta, të stilizimeve të ngjeshura, që shpalojnë një gjuhë të laryshisë shprehëse, me ngjyresa subjektive, që buron nga vetëportretizimi, ku sidomos personazhet kryesorë, anësohen nga figurimi i personazheve bartës të idealit të lirisë. Duke qenë, jashtë dhe brenda kohës së dykohësisë, idealin e lirisë e paraqesin në ekuilibrin e lirisë kombëtare dhe lirisë individuale. Përqark tyre, megjithatë sillen personazhe hije, sharlatanë, pushtues dhe pushtetarë, që zbulohen përmes gjuhës së rrëfimit, dialogut dhe përshkrimit të mjediseve.

Struktura ciklike e tekstit

Përbërësit kryesorë të kompozimit, një strukturë e përmbysur dhe rindërtuar, po kaq një hapësirë e zgjeruar e ligjërimit letrar, të plasuara në tekst, janë:

– Situata paratekstuale fillimtar e romanit, që përbëhet vetëm nga dy poezi kushtuese, të cilat e zgjerojnë dukshëm natyrën sinkretike të tekstit të këtij romani.

– Pjesa e pikës së lidhjes, që ngre siparin e ndodhisë, e dramës dhe tragjedisë, e gëzimit dhe hidhërimit, e talljes dhe ironisë, ku vetëm sa prezantohet Arta dhe mëdyshjet e saj, si njeri dhe piktore.

– Bërthama kryesore e romanit, ku madje projektohet fati i dashurisë së dy protagonistëve, Arta dhe Dini, si dhe kalvari i zhdukjes përfundimtare të agronomit, që përkon me të humburit, pavarësisht se Arta nuk do që ta besojë. Po ashtu, fati i tyre, shpërndërrohet në fatum të qenies shqiptare, në Kosovë dhe më gjerë. Kjo pjesë përfaqëson episodet më të gjata romanore, i cili nis në faqen 15  dhe përfundon në faqen 180, pra duke ngërthyer në vetvete vatrën ligjërimore të tekstit. Aty shpalohet drita e dashurisë, si dhe tragjika e ndërprerjes së saj, që papritur shndërrohet në makth kërkimor të protagonistes.

– Kohët ngjajnë ndërmjet tyre, çka skicohet në pjesëne dytë të librit, ku tashmë fati i njeriut dhe dashurisë, dje nën pushtim, e sot në liri-pa liri personale, fare pak ndryshon. Ashtu siç plazmon romani, liria individuale, intime apo profesionale, liria e shprehjes dhe ekzistencës, është po kaq e rëndësishme për njeriun, po aq sa ç’është liria e atdheut. Maskarada e horrave, çlirimtarë dhe fitimtarë, pa grimën e mëshirës, ka lënë në harresë vuajtet dhe sakrificat, të rënët dhe të humburit, dhe është lëshuar me revan në vjedhje dhe korrupsion, moral dhe fitimprurës.

– Shtojca, që kryen funksionin e gjendjes pastekstuale, ofron dëshmi arkivore, të bjerrjes së qenies dhe trojeve shqiptare, në kohët e mbrame. Struktura ciklike, pasazheve të mbyllura në vetvete, në ndërlidhjen tërësore, ndërkohore dhe narrative, ka projektuar një libër të hapur për lexuesin. Hedhja matanë e “veladonit” të rrëfimtarit, nga kryerrëfimtarja dhe personazhet e tjerë, në disa pasazhe të romanit, përveçse e shpërngjum lexuesin, si funksion parësor, ka komunikimin e hapur me lexuesin, si pjesë e kumteve, si për të mbushur “hapësirat boshe” që mbeten në hije, në narrativën dinamike të personazheve.

Romani i personazheve

Varësisht rolit parësor të personazheve, të cilët janë dhe protagonistë të dy kohëve, po kaq të ndodhive ndërkohore, e sidomos të narrativës së tyre, proza “Vrasje në kornizë”, në tipologjinë shkrimore, është roman personazhesh. Rrethana e përcaktimit tipologjik të tillë, gjithsesi mbetet e hapur, por situata tekstologjike, të krijon një hapësirë të rrokshme të kësaj pranie, ku personazhet shpërfaqin universin e realitetit letrar. Tipologjia e shpalimit të veçantë, si roman personazhesh, projektohet në tre rrugë:

Së pari: Narrativa e këtij teksti, në pentagramin e vet shprehës, pavarësisht ngjyrës që i ka mveshur autori, në thelbin e vet është rrëfim i personazhit/personazheve.

Së dyti: Rrëfimtari qendror, me gjasë qendra e universit të kësaj proze, si dhe boshti kryesor i strukturës dhe narrativës, është Arta, një piktore që vë përballë artin dhe dashurinë, jetën dhe frymën ekzistenciale, madje duke i pranëvënë si dy pasqyra, që shëmbëllejnë njëra- tjetrën.

Së treti: Narrtiva e personazheve, që ndërrojnë radhën dhe tonet ligjërimore, zbulon përmasat e të dy kohëve, pavarësisht sendërtimit të ligjërimit letrar në formën e ditarit.

“Mungesa” e autorit, ose me gjasë prania e tij në hapësirën e shpalimit rrëfimor të personazheve, ndërkaq formëson veçanësinë e prozës. Paprania e autorit, një term i U. Eco-s, si rrëfimtar, pra mungesa formale e shkrimtarit, nga njëra anë ka rritur peshën specifike të personazheve, nga ana tjetër ndikon në evidentimin e botëperceptimit të autorit, të shmangies me vetëdije, si për ta shkrirë veten me narrativën e personazheve, të cilat tashmë dëshmojnë si protagonistë të dy kohëve.

Kujtesa si ndërlidhje

Një element tjetër sendërtues i botës romanore, të këtij teksti të ndërlikuar, është edhe kujtesa. Një ide e Kunderës, se po harrove të keqen, ajo përsëritet, përndizet në mendje, teksa lexon romanin Vrajse në kornizë, që në një kuptim, shpalos një roman kujtese, krahas rrafsheve të tjera, që i shtjelluam. Prania e kujtesës, si një simbolikë e pashmangshme, e fatit të qenies, e po kaq e fatit të qytetarit të Kosovës, hedh urat e komunikimit ndërkohor, e po kaq bart shenjën e dëshmisë faktike. Nërkohësia dhe faktet e dëshmuara të dy kohëve, ku vizatohen dhe zbulohen karakteret, janë kthyer në kamerë verifikuese e fatit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Dëshmia si kujtesë, që në tekstin e romanit kryen funksionin e kohës reale, por edhe të detajit artistik, lidhet ngushtësisht me formën e strukturës së tekstit, të shpalosur si një ditar rastësor. Funksionalizimi estetik, i dyfishtë i ditarit, si dëshmi konkrete, edhe si faktologji letrare, ndërkaq vetëm sa vulos shenjat e një realizmi pa cak dhe jashtë natyrës së ngurtësuar të shkrimit letrar. Duke sjellë në faqet e librit, figura të marra nga jeta, protagonistë që kanë fiksuar ekzistencën e tyre, me ditarin, pikturën dhe vepra të tjera arti, elemementë domethënës që gdhendin përmasën e realizmit pa cak dhe të shumëngjyrtë, autorit ka realizuar një prozë ndryshe. Kur themi realizëm pa cak, kemi parasyh ikjen prej skemave e klisheve të realizmit idoelogjik, që e projektoi njeriun si marionetë në duart e pushtetit. Braktisja e realizmit skematik, të kiç-realizmit, ka mundësuar funksionimin e përmasave kohore, si dhe u ka dhënë frymëmarrje tjetër personazheve, për ta shprehur botën e tyre, humane dhe profesionale, me të gjitha hijedritat, veçmas duke shpërfillur tabutë e moralitetit fiktiv.

Laryshia e sinkretikës artistike

Zanafilla e tekstit, ndonëse shenjon një detaj letrar rastësor, është piktura nudo e Artës, kryeprotagonistes së romanit. Adhurimi i pikturës nga Dini, pra i autoportretit të piktores, menjëherë të shpie në qiellin e dashurisë së dy të rinjëve. Nga ana tjetër, shëmbëllimi i pikturës, nga muri në fytyrën e vajzës, sikur në një lojë pasqyrash, me gjasë aty të jetë një zanë mali, shpërfaq bukurinë e kësaj dashurie. Po me kaq shumë forcë, dashuria e mban ndezur kandilen e artit, të lirisë ekzistenciale të njeriut, madje të portretizuar në të gjitha përmasat, në hapësirën tekstologjike. Kuptohet, në qerthullimin e shenjave të rrokshme artistike, është arti i pikturës, arti i fjalës dhe muzikës, madje në tekst mbërrihet deri te arti si mënyrë jetese. Dini, një figurë befasuese dhe karakter më vete, që duket dhe zhduket, e më tepër mungon, qenia e tij si agronom, nuk e ka penguar që jetën dhe formimin e vet ta shndërrojë në fuqi arti dhe fryme domethënëse. Po ashtu, Shpendi, vëllai i Artës, një protagonist i heshtur, i tmerrit të provuar në motet e sundimit serb, tashmë është një bletar shembullor, një veterineri që e dëshmon përjetimin artistik, në gjithçka, madje edhe në marrëdhnënie me motrën, që gjezditet shpirtrazuar. Jeta dhe letërsia, në motet e shekullit të njëzetenjë, në mënyrë të veçantë, kanë shembur mure dhe kështjella prej rëre, të ngritura nga pushtetet dhe idelogjitë e marrëzisë.

Letërsia në përgjithësi, e sidomos romani ose zhanri i hapur, gjithnjë e më tepër të ofron situata të papritura, të cilat vetvetiu i shkërmoqin strukturat klasike të prozës së gjatë. Gjendja letrare e një sinkretike të zgjeruar, të risjellin në vëmendje tipologjinë e shkrimit postmoderne, gjë që është analizuar nga Linda Hutcheon, në librin Poetika e Postmodernizmit, kur ndër të tjera, nënvizon: … unë e konsideroj postmodernizmin si proces aktual kulturor ose si aktivitet dhe mendoj se më tepër se definimi i caktuar ose përcaktues i tij, na duhet “poetika” e hapur, struktura teorike përherë e ndërrueshme, me ndihmën e së cilës do të vinim në rregull edhe dijen tonë kulturore, edhe procedimet kritike. (2013: 13). Faqet e romanit  “Vrasje në kornizë”, dukshëm paraqesin një situim shkrimi, të një sinkretike të zgjeruar, ku ngjizet e brendashkruar dëshmia, eseistika dhe gjurmë ritmika publicistike. Ajo që pati pohuar dikur Lesingu, mbi marrëdhënien e poezisë me pikturën, një gjendje unike artistike, ku poezia është pikturë që flet, e piktura një poezi që hesht, tashmë vjen në ndërlidhjen e pikturës me prozën, me rrëfimin ose ajo që emërtohet si poetika e prozës, siç e projektoi T. Todorov. Në këtë tekst ndeshen vargje poezish, dëshmi arkivash, kronika të jetës së përditshme, një ligjërim i qartë eseistik dhe publicitik, si ritëm fraze, madje që formëson pjesën e sinkretikës së zgjeruar, është vetë jeta me profesionet e ndryshme dhe me çastet e vështira.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rexhep Qosja - Një fund dhe një fillim Këtë vit,…