Romani ‘Inter nos’ i Kaltrina Malokut ka dalë nga shtypi

09 nëntor 2026 | 08:57

Romani Inter nos i Kaltrina Malokut, i subvencionuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ka dalë nga shtypi.

Autorja Maloku ka njoftuar se “nuk është më vetëm një histori mes Hanës dhe jetës së saj”.

Në romanin Inter nos Kaltrina Maloku ndërton historinë e Hanës, të gruas që pas guximit, ironisë dhe pavarësisë, fsheh një botë të trazuar, të mbushur me plagë, kujtime dhe të vërteta që mezi arrijnë të dalin në dritë. Në përpjekjen për ta marrë jetën në duart e veta, Hana përballet me dashurinë, zhgënjimin, manipulimin dhe pasojat e zgjedhjeve që mund t’ia ndryshojnë njeriut përgjithmonë mënyrën si e sheh veten dhe botën.

Me një rrëfim të drejtpërdrejtë, dialogë të gjallë dhe ndërthurje të humorit me dramën, autorja sjell një personazh që nuk kërkon të jetë i përsosur, por vetëm të kuptohet. Pasiguria dhe vetironia e Hanës e bëjnë atë njerëzore, ndërsa përballja e saj me të kaluarën shndërrohet në një udhëtim drejt së vërtetës dhe rimarrjes së kontrollit për vetveten.

Inter nos prek një temë thelbësore të përvojës njerëzore: hendekun mes asaj që u tregojmë të tjerëve dhe asaj që përpiqemi të fshehim edhe nga vetja. Romani na kujton se plagët më të thella nuk janë gjithmonë të dukshme dhe se forca nuk qëndron në mohimin e dhimbjes, por në guximin për ta përballuar atë.

Inter nos është rrëfim për dashurinë dhe lirinë, për brishtësinë e shpirtit dhe qëndresën përballë fatit. Duke dëgjuar kryepersonazhen, dëgjojmë autoren që na nxit ta dëgjojmë zërin e heshtur që jeton brenda secilit prej nesh. Dyshen tonë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka regjistruar akuza të reja ndaj…