Rrahman Rama në Kanada: FSK-ja do të jetë në shërbim të të gjithëve, pa dallime

19 nëntor 2018 | 11:47

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax ka qenë mysafirë i panelit bashkë me ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Hajrit Sajjan me tematikën “Parimet e Vankuverit dhe Misionet Paqeruajtëse”, ku ka theksuar suksesin e misionit ndërkombëtar në Kosovë lidhur me ndërtimin e kapaciteteve vendore të sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ka shprehur gatishmërinë që Kosova të jetë ofrues i sigurisë në të ardhmen.

Gjenerali Rrahman Rama në kuadër të këtij forumi është takuar me homologun e tij nga Kanadaja, gjeneralin Jonathan Vance, shef i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Kanadasë, me të cilin kanë diskutuar për  mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Rama gjithashtu e ka njoftuar homologun e tij me procesin e tranzicionit dhe ndryshimin e mandatit të FSK-së.

Gjeneral Rama është takuar edhe me komandantin Suprem të Forcave të Armatosura të Suedisë, gjeneralin Micael Byden, me të cilin ka diskutuar lidhur me progresin e FSK-së, kontributin e Suedisë në NALT, (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në) si dhe vazhdimin e një bashkëpunimi më dinamik në të ardhmen në mes të dy forcave.

Gjatë punimeve të forumit komandanti i FSK-së gjeneral Rama ka biseduar edhe me  kryeshefin e shefave të Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneralin Joseph F. Dunford,  në pritjen e organizuar nga shefi i Mbrojtjes së Kanadasë me rastin e Forumit Ndërkombëtar.

Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, ka falënderuar gjeneralin Dunford për mbështetjen e vazhdueshme si dhe për marrëdhëniet e veçanta që ka Kosova me ShBA-të.

Rama i ka siguruar homologët që Forca e Sigurisë do të vazhdojë të jetë institucioni më i besueshëm në vend  dhe se gjithëpërfshirja dhe profesionalizmi do të jenë rrugëtimi i suksesit.

Ai ka theksuar se FSK-ja do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallime, edhe përkundër vështirësive dhe presioneve që po vijnë jashtë Kosovës.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “Lockheed Martin” ka filluar ndërtimin e një aeroplani supersonik…