Rrecaj: Ftesa për intervistimin e Thaçit nga Prokuroria e Speciales për sqarimin e aktakuzës së dorëzuar

09 korrik 2020 | 17:17

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën pritet të udhëtojë në Hagë, për tu intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Lidhur me këtë, ka folur për “klankosova.tv” avokati i njohur Tahir Rrecaj, i cili ka thënë se arsyeja e ftesës mund të jetë sqarimi i çështjes së aktakuzës nga Prokuroria.

“Njëra nga arsyet është se mund të ketë qenë kërkesë e gjyqtarit të procedurës paraprake”.

“Arsyeja që është ftuar mund të jetë që gjyqtari i procedurës paraprake gjatë vlerësimit që ka bërë, e ka parë që është e nevojshme një sqarim i një çështje të rëndësishme për vërtetimin e një aktakuze apo hedhjen e saj”, është shprehur ai.

Sipas tij kjo është e drejtë e gjyqtarit të kësaj procedure.

“Gjyqtari i procedurës mund të kërkojë nga prokurori që të rishikojë aktakuzën, rishikojë hetimin e veprimeve të personit potencial të dyshuar. Ka të drejtë të bëjë edhe ndryshim”.

“Mund të kërkojë zvogëlimin e kuadratit të pikave të aktakuzës nëse vlerëson se janë të tepërta”, ka thënë Rrecaj.

Avokati Rrecaj ka potencuar se këto sqarime nevojiten rreth vendimit për aktakuzën.

“Këto veprime gjyqtari i procedurës i merr para ngritjes së aktakuzës. Ato sqarime të hollësishme – analiza, i nevojiten për me marrë vendim të drejtë të aktakuzës”.

“Por a ka prova të mjaftueshme apo jo, këto janë çështje që gjyqtari e ka autoritetin të kërkojë sqarime”, është shprehur Rrecaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dje njoftimin se është ftuar nga Prokuroria Speciale dhe se të hënën do të udhëtojë për në Hagë për tu intervistuar.

“Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”,  është shprehur Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka ftuar…