Rrëfim shokues: Jack Smith akuzoi Hashim Thaçin për ta ruajtur vendin e punës, për karrierë dhe për të dëmtuar Trumpin

04 qershor 2023 | 18:23

Gjykata Speciale do të shuhej duke kaluar edhe nëpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2020. Për këtë ishin pajtuar ShBA, Kosova dhe Serbia. Akuzat për trafikim organesh janë trillim i  Rusisë. Ka dëshmitarë që u mashtruan dhe u manipuluan nga njerëz që u paraqitën si agjentë të CIA-së. 

Akuzat ndaj Hashim Thaçit nuk kanë bazë. Prokurori i parë amerikan i Gjykatës Speciale, David Schwendiman hetoi për disa vite dhe tha se nuk ka gjetur gjë për të ngritur aktakuza dhe pastaj dha dorëheqje. Erdhi Jack Smith në vend të tij. Në pranverë 2020 ai u njoftua fshehtë se Gjykata Speciale po mbyllej si pjesë e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë. Dosjet nga Haga do të ktheheshin në gjykatat vendore në Kosovë dhe në Serbi. 

Kur gjithçka ishte gati për zhbërje të Gjykatës dhe ish-presidenti Thaçi u nis për në Washington për të nënshkruar marrëveshjen në prani të presidentit Donald Trump, prokurori Smith lëshoi një deklaratë në të cilën njoftonte se kishte kërkuar të akuzohej presidenti Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë nga UÇK. 

Pse e bëri e këtë prokurori Smith? Për ta ruajtur vendin luksoz të punës dhe jetën e mirë që bënte në Evropë bashkë me të tjerë. Për ambicie dhe karrierën e vet personale dhe për ta penguar një sukses historik të presidentit Trump sepse e urrente aq shumë. Smith ishte shumë i politizuar. Në këtë mënyrë shpëtoi Gjykata Speciale dhe u pengua një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Thaçi dhe krerë të tjerë të UÇK-së u dërguan në Hagë. Pjesa e marrëveshjes për Gjykatën Speciale ra poshtë sepse tani ishte paralajmëruar aktakuza. 

Këto që i ndërmori kryeprokurori Jack Smith për të penguar shuarjen e Gjykatës Speciale përputhen me datat e hapave që po ndërmerrnte ShBA për finalizimin e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ky është rrëfimi i Richard Grenell, njeriut të afërt të presidentit Donald Trump, që e kishte caktuar në pozita të larta: Shef të të gjitha shërbimeve inteligjente amerikane, ambasador në Gjermani dhe emisar presidencial për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

Nuk është hera e parë që Grenell flet për këtë, por këto detaje shtesë, që janë shokuese, i ka shpalosur tani,  në një intervistë për median e popullarizuar amerikane “The Epoch Tv”, tek gazetari dhe publicisti amerikan Lee Smith. 

Shkas për këtë intervistë është fjalimi i  kryeministrit Edi Rama para liderëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, në samitin në Islandë, që u mbajt më 17 maj. Aty Rama sërish foli për iniciativën e Shqipërisë për rrëzim të Raportit të Dick Martyt, akuzat e të të cilit për trafikim organesh nuk dolën të vërteta. 

Në këtë intervistë, Grenell fillon rrëfimin se si ishte dakorduar marrëveshja historike mes presidentëve Donald Trump, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vucic, ku përveç pakos ekonomike për të dyja vendet, ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. 

Në janar të vitit 2020, Grenell kishte biseduar me Bruce Schwartz, shef i Programit ndërkombëtar të Departamentit  amerikan të Drejtësisë dhe për shkak se ky institucion merret edhe me prokurorët amerikanë që dërgohen në misione jashtë vendit, Grenell, ne mënyrë konfidenciale e njofton se Gjykata për Kosovën në Hagë do të mbyllej. 

Ky zyrtar, siç thotë Grenell, megjithatë e kishte kontaktuar prokurorin Smith dhe i kishte treguar se po mbetej pa punë në Hagë, bashkë me amerikanët tjerë që po punonin aty për vite me radhë. 

“Reagimi i Bruce ishte, oh, oh, jo. Kemi prokurorë amerikanë në Hagë. Nuk e di se çfarë do të thonë. Dua të them, ne duhet t’i informojmë dhe t’i bëjmë të ditur, vetëm në rast se ata duan, ju e dini, të ngrenë aktakuza apo diçka tjetër. Dhe unë i thashë, mirë, nuk do t’ju tregoj si ta bëni punën tuaj. Por palët, Bruce, ndoshta jo në Departamentin e Drejtësisë, por palët (Kosova dhe Serbia) janë gati të ecin përpara pas 20 vjetësh. Dhe kështu ne do ta vendosim këtë në marrëveshje.

Brenda javësh, ne kishim të dyja palët që vinin në Uashington për negociatat përfundimtare dhe kjo pikë do të jetë aty. Dhe çfarë ndodhi? Ndërsa Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, ishte duke bërë plane për të ardhur në Uashington DC për të më takuar mua në Shtëpinë e Bardhë për negociatat përfundimtare – dhe nëse i përfundonim negociatat, të takoheshim me Presidentin Trump për ta nënshkruar atë – ai u padit  nga gjykata. Jack Smith paditi presidentin e Kosovës derisa ai ishte duke ardhur për të negociuar për të hequr qafe punën e Jack Smith në Hagë”, ka thënë Grenell. 

Grenell shprehet i bindur se Bruce Schwartz i Departamentit të Drejtësisë ndihmoi prokurorin Jack Smith. 

“Por unë jam 100 për qind i sigurt që Bruce Schwartz informoi Jack Smith dhe tha, Grenell do të negociojë vendin tuaj të punës dhe të gjithë gjykatën.  Dhe ata dolën me këto akuza”, thotë Grenell. 

Në pyetjen e gazetarit se cilat ishin akuzat e prokurorit Smith kundër Thaçit, Grenell jep këtë përgjigje:

“Kishte një ide shumë kohë më parë se akuzat kundër Thaçit kishin të bënin me trafikimin e organeve njerëzore në kohën e luftës. Por kur ata ngritën aktakuzën, asnjë nga këto nuk ishte aty. Nuk kishte data. Nuk ka specifika. Dhe këtu është çelësi, disa nga dëshmitarët e asaj aktakuze tani kanë dalë dhe kanë thënë “unë thashë vetëm atë që thashë sepse personi që më intervistoi pretendonte se ishte nga CIA amerikane dhe ata thoshin se kishin prova dhe donin që unë ta them këtë”. Ai person tani është vërtetuar se nuk është person i CIA-s. Kushdo që ishte ai person, ai i ka gënjyer dëshmitarët. Dëshmitarët kanë ardhur  (në Hagë) për të thënë se më kanë gënjyer, mendova se po punoja me CIA-n. A e dinte Jack Smith këtë? A i vuri ai këta njerëz të rremë të CIA-s për ta penguar këtë?

Akuzat që Jack Smith i ngriti ndaj presidentit të Kosovës nuk ishin ato që ai tha publikisht se do ta akuzonte, për marrjen e organeve njerëzore dhe trafikimin e tyre. Nuk ishte asnjë akuzë për këtë në aktakuzë. Të gjitha ishin akuza të përgjithshme, dhe Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës është ende në burgun e Hagës edhe sot e kësaj dite”. 

Pse Jack Smith ndjeku presidentin e  Kosovës? Për të shpëtuar punën e tij, pyeti në vijim të intervistës gazetari. 

Richard Grenell dha këtë përgjigje: 

“Kjo është një pyetje vërtet e mirë. Ka një histori të gjatë të hetimit të të gjitha krimeve të luftës. Po e përsëris, kjo është arsyeja pse pika e rëndësishme është prokurori (David Schwendiman) që ishte kryeprokuror përpara Jack Smithit, i cili kaloi vite duke parë gjithçka dhe tha se nuk ka asgjë tjetër për të bërë këtu. Nuk ka më aktakuza. Pastaj erdhi Jack Smith dhe ai kaloi vite duke jetuar në Amsterdam dhe duke pasur një jetë të mirë evropiane. Kur je kreu i një gjykate ndërkombëtare që jeton në Evropë, është një punë e qetë. Por pasi administrata Trump përmbysi plotësisht negociatat për Ballkanin, ne filluam të përparonim dhe nënshkruam katër marrëveshje.

Marrëveshja përfundimtare, marrëveshja më e madhe, do të ishte ajo historike që do të shuante gjykatat. Dhe unë mendoj se përgjigja, për mendimin tim, është se Jack Smith e pa administratën Trump duke bërë vërtet shumë përparim në Ballkan, dhe për Hashim Thaçin u raportua shumë në media si negociator. Dhe nëse shikoni mediat në atë kohë thoshin, ua, këta njerëz kanë nënshkruar tre marrëveshje, ata do të arrijnë një marrëveshje të madhe në Shtëpinë e Bardhë. Kjo mund të jetë shumë historike për normalizimin ekonomik. Dhe unë mendoj se ai i kishte letrat në dorë, sepse po hetonte Hashim Thaçin, për ta ndalur këtë vrull”. 

Grenell thotë se Smith nuk kishte asnjë provë më shumë sesa Schwendiman i cili kishte ardhur në përfundim se nuk ka baza për aktakuza. 

“Akuza ime është se ai u bë shumë politik vetëm sepse e urrente Donald Trumpin. Ai vendosi se do të përpiqej t’i ndalte këto negociata, duke ngritur një aktakuzë. Po e përsëris, ata kishin folur publikisht për këtë aktakuzë si diçka që do të kishte të bënte me trafikimin e organeve njerëzore, diçka që është skandaloze nëse dikush akuzohet se e ka bërë këtë. Ai (Smith) nuk e vërtetoi këtë”, ka thënë tutje Grenell. 

Gjatë kësaj interviste të gjatë, Grenell flet sërish për përpjekjet e kryeministrit Rama që Evropa të korrigjojë padrejtësitë ndaj Kosovës dhe fton mediat, sidomos ato amerikane, që të merren me këto që i thotë në këtë intervistë. 

“Dhe kështu tani kryeministri i Shqipërisë, aleati ynë në NATO, Edi Rama, i cili nuk është konservator, meqë ra fjala, ai doli para Këshillit të Evropës javën e kaluar për të ndëshkuar evropianët që lejuan që kjo gjykatë të padisë Hashim Thaçin, i cili është ende në burg. Evropianët e kanë lejuar këtë të ndodhë. Po të lexosh detajet e asaj që thotë Edi Rama, ai thotë se rusët janë ata që e nxorën këtë dezinformatë. Pra, pyetja do të ishte, a kanë paraqitur rusët dezinformata për Hashim Thaçin? Dhe a ra Jack Smith në këto shpifje? Mendoj se mediat tona amerikane duhet të bëhen shumë më kureshtare se cilat janë lidhjet këtu. Akuzat janë shpërthyese”. 

Pyetja tjetër drejtuar Grenellit nga gazetari është: A mund t’ju kërkoj vetëm të sqaroni akuzat e bëra nga kryeministri shqiptar? Ai po pyet, a ishin rusët që ia dhanë këtë informacion prokurorit amerikan?

“Ajo që ai po thotë është, pse Evropa u mashtrua me akuza të rreme të sajuara kundër Hashim Thaçit, deri në pikën ku kjo gjykatë ndërkombëtare në Hagë, Jack Smith, e paditi dhe e arrestoi atë. Pse mashtrohen evropianët? Ai thotë turp për ne. Turp për të gjithë ne që e lejojmë këtë. Këto akuza të rreme për ta vënë presidentin e Kosovës në aktakuzë dhe arrestim dhe një çështje ligjore në vazhdim. Dhe, pranoni fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, ato janë akuza të sajuara, janë akuza të rreme, dhe Jack Smith ishte prokurori”.

Pyetja e radhës e gazetarit është: Pra, ka dy motive të mundshme që Smith të ketë ngritur këto akuza? Njëra, siç e përmendët më herët, ishte që ai të mbante punën e tij në Evropë. Por motivi tjetër ishte të pengonte një nismë të rëndësishme të politikës së jashtme të administratës Trump?

Richard Grenell përgjigjet: “Jack Smith është qartësisht ambicioz. Dhe ai mori punën në Hagë si kryeprokuror i gjykatës dhe e mori detyrën duke e ditur se prokurori para tij (David Schwendiman), i hodhi poshtë dhe hoqi dorë. Jack Smith hyri në një punë ku dikush nuk ishte në gjendje të padisë presidentin e Kosovës. Dhe ai kaloi vite duke u përpjekur të dilte me akuza të reja, dhe publikisht kur e paditën Hashim Thaçin, nuk ka pasur akuza të reja, nuk ka data. Ka vetëm një përfundim për të dalë. Kur shikoni kohën dhe shikoni aktakuzën aktuale nga Jack Smith, ka vetëm një përfundim: Ai vendosi ta bënte atë kur Hashim Thaçi ishte disa ditë larg nga shkuarja në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar këtë marrëveshje përfundimtare”. 

Ish-ambasadori Grenell thotë se prokurorët në Hagë po përpiqen të provojnë krimet e luftës përmes mungesës së udhëheqjes nga ana e krerëve të UÇK-së mbi pjesëtarët e saj. 

“Është e pabesueshme, një akuzë pa specifika”, ka thënë Grenell. 

 Çfarë na tregon kjo për karakterin dhe metodat e njeriut që tani po udhëheq hetimin e Presidentit Donald Trump, ka qenë pyetja përmbyllëse e gazetarit në këtë intervistë. 

“Ai është shumë politik dhe jashtëzakonisht ambicioz dhe egoist në motivet e tij”, vlerëson Ish-ambasadori Grenell. 

Në linkun më poshtë mund ta gjeni videon dhe transkriptimin e intervistës së realizuar më 30 maj 2023. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liria do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në…