Rrëfime rrëqethëse për masakrën e 25-26 marsit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit

14 dhjetor 10:47

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është përuruar monografia “Fshati i vrarë” i autorëve Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi

Ky libër nuk është vetëm përmbledhje dëshmish, por një dosje e një krimi të tmerrshëm ku u vranë dhe u dogjën 112 civilë, ndërsa mbetjet e tyre u zhdukën. Sipas A. Limanit, në librin monografi “Fshati i vrarë” janë paraqitur dëshmitë e 51 personave, edhe të atyre të cilët ia arritën të dalin nga vendi i masakrës dhe t’i tregojnë botës se si serbët e fshatit Krushë e Vogël, së bashku me serbë të tjerë, vranë 112 ish-fqinjë të tyre shqiptarë

Jusuf Bytyçi

“Heshtja e historisë për vrasjen e një fshati”, e kam quajtur jorastësisht kumtesën time për këtë akt të përurimit të monografisë “Fshati i vrarë”, të autorëve Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi, ka thënë recensenti dr. Emin Kabashi, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Më 25 e 26 mars 1999 forcat serbe kryen ndaj civilëve shqiptarë aktin më barbar, kryen gjenocidin më ç’njerëzor, tha Kabashi, ndërsa shtoi se janë vrarë, masakruar e djegur 112 civilë. Ai ka spikatur edhe dëbimet e banorëve lokalë nga shtëpitë-fshatrat e tyre dhe djegiet e vatrave të tyre, si akt i menjëhershëm i hakmarrjes ndaj sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike NATO-s, ndaj caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë.

I gjithë veprimi i forcave serbe ka qenë pjesë e skenarit për zhdukjen e shqiptarëve nga vatrat e tyre si dhe për humbjen e gjurmëve të tyre, ka thënë recensenti Kabashi. Sipas tij, në këtë masakër kanë marrë pjesë edhe serbë lokalë, të armatosur me uniforma të forcave policore të Serbisë. Por, sipas Kabashit, e keqja e madhe është se për këtë dhe aktet e tjera barbare në këtë dhe fshatrat e tjerë të Kosovës, aktorët serbë mbetën të pandëshkuar!

Në vazhdim, nga një studente, u deklamua rrëfimi rrëqethës i nënës mbi 70-vjeçare, Ajshe Shehu, së cilës barbarët serbë i kishin vrarë e masakruar katër djem, burrin, katër kunetër dhe po aq djem të kunetërve. Ky rrëfim ka pasuar me lot dhe emocione të dhembshme te shumica e të pranishme në përurim. Me këtë rast ajo tha se kjo dhe nënat e baballarët e mbijetuar, edhe afër 18 vjet pas, presin me ankth ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre të pagjetur.  Fëmijët jetimë, po ashtu, kërkojnë ta dinë fatin e prindërve të tyre.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, u zotua se do të angazhohen për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, afër 1600 sish. Por, ai u shpreh se “duhet ta luftojmë harresën me vepra të tilla”.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, dukshëm i shqetësuar me gjendjen e tillë, kur familjarët kërkojnë më të dashurit e tyre, kujtoi se deri më tash kanë arritur t’i riatdhesojnë eshtrat e 902 personave të vrarë e të masakruar, ndërsa si pasojë e tragjedive të tilla si në Krushë të Vogël, në Krushë të Madhe, në Fortesë, Celinë (Rahovec), pastaj në Tërne të Suharekës, në Izbicë të Skenderajt, në Meje të Gjakovës, e gjetiu, mungojnë edhe mbi 1 600 persona. Sipas Gjetës, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj autoriteteve të Serbisë, që të zbardhet fati i të pagjeturve, që eshtrat t’u kthehen familjarëve për t’i varrosur në vendlindje. “Drejtësia po u mungon familjeve të të pagjeturve”, kujtoi kreu i komisionit qeveritar.

Më pas folën Behxhet Shala, kryetar (KMDLNj), sipas të cilit, Serbia ka bërë krime të rënda, por kriminelët nuk janë ndëshkuar. Ndërkaq Agron Limani, Agron Limani, një nga autorët e monografisë, duke kujtuar fundmarsin e vitit 1999, masakrën e tmerrshme në fshatin e tij, tha se “përmasat e krimit ishin të atilla saqë na u krijua bindja se nuk do të mbetej institucion vendës dhe ndërkombëtar pa bërë përpjekje mbinjerëzore për t’i mbledhur provat mbi krimet serbe dhe mbi bazën e atyre provave, me qëllim që t’i sillnin para drejtësisë vrasësit e njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur. Historia na kishte mësuar se serbët dinë të vrasin dhe t’i fshehin gjurmët e krimit dhe kjo u dëshmua edhe në Krushë të Vogël. Në këtë fshat u vranë 112 djem e burra, u dogjën dhe më pas mbetjet e tyre u hodhën në Drinin e Bardhë”, rrëfeu Limani.

Ai tregoi angazhimin e banorëve lokalë për mbledhjen e dëshmive dhe fakteve që kjo masakër, si ngjarje e rëndë, të mos harrohet, respektivisht duke i bërë një shërbim kujtesës sonë kolektive. Sipas Limanit, “kryesit e këtij krimi makabër kanë emra dhe mbiemra dhe sot jetojnë të lirë në Serbi, Mal të Zi apo edhe gjetkë nëpër Evropë e botë”. Agron Limani rikujtoi me këtë rast se përballë një situate të tillë, ky material, në vitin 2002, iu dorëzua UNMIK-ut dhe, pas një pritje të kotë, në vitin 2003 iu dorëzua institucioneve tona vendëse, Prokurorisë Publike në Prizren dhe Prishtinë. “Tek UNMIK-u patëm vërejtur një fenomen. Ata qëllimisht nuk i hulumtonin këto krime, mbase duke besuar se me kalimin e viteve dëshmitë do të zbehen, dëshmitarët do të vdisnin, kurse arsyeja e vërtetë duket se qëndron në frikën e tyre në dështimin e projektit të kthimit të serbëve në vendin e krimit”, rrëfeu Limani, duke kritikuar edhe njëfarë heshtjeje të institucioneve tona.

Krejt kjo me arsyetimin e mungesës së kompetencave për hetimin e këtyre krimeve. Derisa institucionet tona të bëjnë “sehir”, një serbe, Natasha Kandiq, kujdeset që të mbledhë dëshmi për krimet e bashkëkombësve të vet dhe t’i procedojë ato, shtoi ai, duke shtuar se “veprimet e UNMIK-ut e, më pas, edhe të EULEX-it, nuk u treguan krejt boshe. Nga 51 dëshmitarë të cilët ofruan dëshmi për këtë libër, 12 prej tyre më nuk janë në mesin e të gjallëve.

Sipas Limanit, në librin monografi “Fshati i vrarë” janë të paraqitura dëshmitë e 51 personave, duke përfshirë dëshmitë edhe të atyre të cilët ia arritën të dalin nga vendi i masakrës dhe t’i tregojnë botës se si serbët e fshatit Krushë e Vogël, së bashku me serbë të tjerë, vranë 112 ish-fqinjë të tyre shqiptarë.

Ky libër ka për qëllim t’u shërbejë si material bazë institucioneve vendëse dhe atyre ndërkombëtare të drejtësisë, historianëve dhe gjeneratave të ardhshme, për t’u njoftuar me barbaritë serbe dhe të dëshmojë se sa shtrenjtë është paguar liria jonë. Po ashtu, ky libër ka për synim t’u ndihmojë edhe institucioneve tona, që shpeshherë shantazhohen se nuk po bëjnë sa duhet për kthimin e minoritetit serb, duke i barazuar me këtë rast padrejtësisht refugjatët e zakonshëm me turma kriminelësh të cilët nuk guxojnë të kthehen në vendin e krimit. Ofrimi i këtyre fakteve do të ishte një ndihmë e pallogaritshme për familjet që kanë pësuar nga serbët. “Hezitimi për të ofruar dëshmi e fakte mund të konsiderohet ndihmë e drejtpërdrejtë për serbët dhe Serbinë. Çdokush që kishte njohuri të tilla, të pakta apo të shumta, dhe për arsye të ndryshme nuk i ofroi, të tillët historia do t’i gjykojë, kurse gjeneratat e ardhshme do t’i mallkojnë për fshehjen e informatave. Në këtë mënyrë ndikohet në amnistimin e krimeve dhe kriminelëve që i kryen këto akte të tmerrshme”, përfundoi Limani.

Ndërsa autori tjetër Qemajl Krasniqi u shpreh se “pesha e krimit serb mbi njerëzit e pafajshëm të Krushës së Vogël ishte e rëndë. Ai ka treguar përkushtimin për mbledhjen e fakteve dhe të dëshmive të krimeve serbe në Krushë të Vogël. “Unë kam bashkëjetuar me këto nëna, motra, gra e familjarë të të vrarëve, ndërsa pesha e dhimbjes së tyre më mbulonte të tërin dhe shpesh më pengonte të shkruaj. Fatkeqësia qëndron në faktin se as organet ndërkombëtare të drejtësisë dhe fare pak ato të Kosovës nuk e kanë trajtuar këtë krim përmasash të tmerrshme”, u shpreh Qemajl Krasniqi. Sipas tij, “nënat e Krushës së Vogël janë lënë që të vetme të përballen me peshën e dhimbjes dhe kjo është e papranueshme për një shoqëri të civilizuar”.

“Përmbledhja e fakteve dhe e dëshmive të shumta konsideroj se është një kontribut për historinë dhe kujtesën tonë kolektive, sepse një popull që e harron tragjedinë e vet, rrezikon që e njëjta t’i përsëritet në përmasa edhe më të tmerrshme”. Sipas Krasniqit, mesazhi duhet të jetë i qartë; asnjë shtet apo etnitet nuk mund të ushtrojë dhunë, terror e gjenocid mbi tjetrin pa u ndëshkuar dhe pa i vuajtur pasojat e veprimeve kriminale. Dhe, pavarësisht nga vitet që kalojnë, “krimet serbe në Krushë të Vogël dhe në tërë Kosovën do të mbeten njollë e zezë e madhe në historinë e popullit serb”, ka spikatur Krasniqi, gjatë referimit të tij para publikut të shumtë në përurimin e librit monografi “Fshati i vrarë”, që kishte përmbledhur me shumë kujdes ngjarjet më të tmerrshme të 25 e 26 marsit 1999 të forcave serbe në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit.

Duke rikujtuar mungesën e eshtrave të të vrarëve nga kjo masakër, Krasniqi ka shtuar se “njerëzit e vrarë dhe të zhdukur do të rëndojnë mbi ndërgjegjen e kolektive serbe, sepse krimi ishte planifikuar me kujdes dhe ishte realizuar me përpikëri e kujdes të posaçëm nga falangat vrastare”. “Në kujtesën e banorëve të Krushës ende janë të freskëta ngjarjet tragjike të asaj kohe, të atyre momenteve të ndarjes nga më të dashurit e tyre. Nënat nuk mund t’i harrojnë çastet e fundit të ndarjes nga bijtë e tyre 12 e 13-vjeçar, nuk mund ta harrojnë momentin kur fqinjët serbë iu shkëputën dhunshëm nga kraharori njerëzit më të dashur. Këto ngjarje tragjike lënë vragë të pashlyeshme në shpirtin e këtyre njerëzve, prandaj edhe titulli i librit “Fshati i vrarë” është kuptimplotë dhe korrespondon me gjendjen e tyre shpirtërore dje, sot e nesër”.

“Krushjanët u vranë vetëm se ishin shqiptarë dhe se nuk pranuan t’i nënshtrohen robërisë e nënshtrimit”, përfundoi Qemajl Krasniqi.Ky libër nuk është vetëm përmbledhje dëshmish, por është edhe një dosje e detajuar e një krimi të tmerrshëm, ku u vranë, u dogjën 112 civilë, ndërsa mbetjet e tyre u zhdukën.

Krahas familjarëve të viktimave, ishin të pranishëm edhe autoritete institucionale, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të pushteteve komunale të Prizrenit e Rahovecit, edhe kryetarët fitues të balotazhit të 19 nëntorit, Haskuka e Latifi, artdashës të shumtë moshash të ndryshme etj.

Ndihmë në realizimin e kësaj monografie dhanë edhe Salih Bytyçi, Besim Muhadri, lektorja Sofie Krasniqi, ndërsa e botoi “Art Muza” në Rahovec. Ndihmë financiare ka dhënë Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, tha Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Supermodeluesja Kate Upton i dha fund beqarisë në fillim të…