
RRËFIMI PËR NJË NANË
EDUARD FRROKAJ
RRËFIMI PËR NJË NANË
(Baladë për nanën Pashke Marku e cila tri ditë pasi ia sollën djemtë e vrarë në Meje nga Batajnica u dogj me benzinë në kujtim të tyre)
Kur i ndaluan Gjovalin dhe Milan Markun
në fushë të Mejes
nana iu lut dy herë zotit dhe kombit
Çka i kanë ba kujt në këtë natë barbare djemtë e mi
Nanës së Anton Lleshit vrasësit i thanë
se po nuk lëvizën do t’i vrasin djemtë para syve të tyne
Nanës Zoje Prendi ia vranë të pesë djemtë e ia lanë vetëm një kujtim
Ai momenti i të vetmes shenjë
Nanat i panë djemtë të shtrirë në fushë
me bajoneta barbarësh mbi krye për herë të fundit
Ai momenti për të fundit herë
Më pas ra heshtja dhe u dëgjuan batare të gjata
Djemtë i vranë me plumba në krye
nanat e dëgjuan kujën larg
Vonë napër natë mbërrin atje në Zadrime
ku ka kënduar Fishta
Djemtë e Malësisë vra e coptue
të nesërmen i nisën për në Batajnicë
Vrasësit nuk kishin lexuar libra
por kështu e kishin parashikuar tragjeditë e vjetra
Në varre të katundit qyqja këndonte për fatet e nuseve
dhe kthimin e djemve të Malësisë
Një ditë të bukur maji i kthyen ata me eshtra të bëra copë e grimë
me e ruajtë kufirin në Dukagjin
Mbase një zanë ka thanë atë ditë
a e dini o Gjovalin e Milan Marku
sa herë asht lutë nana për me u kthye
Nana tri ditë pas si në kryqëzim Krishti iku e u bë Rozafë
me i muros kujtimet e atdheut
Tha t’i bëjmë roje fisi Atdheut
Lahutën e Malësisë e dinte përmendsh
I mësoi edhe shenjat e barbarisë
Të tretën ditë në trupin e saj u vetëflijua profecia
se nuk mund të jetojë vetëm me kujtime
Sot u bënë roje djemve i bënë roje atdheut
Rrëfimi për një nanë dheut e atdheut nuk i mbaron kurrë
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)