Rrëfimi

10 dhjetor 2021 | 22:23

Fata ishte shumë e sëmurë. Ishte e lodhur, dukej me e zbehtë se hëna e asaj nate te gjatë e plot ofshama. Mbushej me frymë dhe pas çdo fraze të rrëfimit ndalej, pushonte pak dhe sikur ta kishte amanet për të na treguar deri në fund, vazhdonte prapë.

Dhoma kishte një pamje të dëshpëruar, ishte kobzezë dhe sikur ndjellte zymtësi. Bënin dritë dy qirinj të ndezur, nen zbehtësinë e të cilëve fytyra e dadës Fatë, dukej si e një kufome. Në murin përballë shtratit mezi mbahej në këmbë një orman me gjysmën e dyerve të rëna për toke. Sikur të ishte hyrë vdekja aty brenda e priste derisa të përfundonte rrëfimin dada Fatë.

Historia e saj ishte mallëngjyese dhe e dhimbshme deri ne palcë. Ajo me bëri të qaja shumë herë atë natë tek dëgjoja rrëfimin.

Piu pak ujë nga gota dhe pasi fshau thellë mblodhi forcën për të vazhduar.

– Dikur, kam qenë e dashuruar. Nuk ishte diçka e jashtëzakonshme për ditët e sotme, por për atë kohe ishte dashuri e madhe. Kishin ardhur mesitët siç e do zakoni dhe e kishin kërkuar dorën time për Avdylin, djalin e madhe të Sabitit. Shtëpi me zë, me mbi katërdhjete anëtarë të familjes. Nuk u menduan shumë dhe me fejuan me Avdylin. Tek e fundit kishim miqësi prej vitesh bashkë dhe për mua nuk ishte fejesë e padëshiruar, edhe pse askush nuk me pyeti, isha e lumtur për fatin tim. I pata punuar bukur do çorape me penj leshi dhe ia pata dërguar dore mbas dore.

Këtu dada Fatë pushoj, madje pushoj aq shumë saqë ngrita kokën për të parë nëse po merrte frymë akoma apo jo. Derisa koka ime zgjatej si e gjirafës, ajo ia filloj prapë rrëfimit të saj:

– Koha ecte shpejt, pikërisht atë pranverë që mbusha gjashtëmbëdhjetë vjet ma kishin nda vaden e martesës. Një dit tek po qëndisja nën hijen e mollës vezake, dada Shkurtë, gruaja e axhës mu afrua dhe me tregoj se Avdyli kishte vdekur.

Këtu nuk di nëse patën akoma lot për të lëshuar sytë e rrudhur e të futur në zgafella të dadës Fatë, por jam e bindur se zemra e saj lëngoj fort. Edhe përkundër dhimbjes ajo nuk na la për të pritur shumë dhe prapë vazhdoj.

– Asnjë zë nuk lëshova kur mora vesh që vdiq Avdyli, as sytë nuk i hoqa prej gjergjefit veç vazhdova me kokë ulur me qëndis prapë, edhe pse me shumë i kisha there gishtat se sa që kisha therë pëlhurën, nuk kishte qene fitili i kuq po gjaku i gishtave ma kishte qëndisur tërë pëlhurën dhe unë as që i ndjeja dhimbjet. Kjo me kujtohet mirë. Me ore të tëra nuk u ngrita nga ai vend.

Dada Fatë  u kollit pak dhe me zërin tek i dridhej, që ta jepnin përshtypjen e notave të pentagramit, me një gjysme fryme vazhdoj:

– Nganjëherë secila ditë është dhimbje e re. E harrova vdekjen e Avdylit kur me erdhi lajmi tjetër.  Shtepija e Sabitit nuk donin të më lëshonin, ndonëse ishte paguar paja dhe nuk donin ta prishnin miqësinë, vendosen që të me martonin me djalin e madh të Sabitit.

Tash u ndal përnjëmend dada Fatë, emrin as që ja përmendi burrit tjetër. Këtu i ngeci fjala sikur hala t’i kishte ngecur në fyt. U kollit disa herë dhe kësaj radhe vërtet mendova se vdiq. Mu dhimbs me shpirt, mbase edhe me shumë mu dhimbs vetja që mund të mbesja pa e dëgjuar fundin e rrëfimit. Ofshana unë e mllefosur edhe me shumë se ajo.  Dikush ia lagu buzët me pambuk dhe e luti të pushonte. Ne ato qaste mu duke se po rrotullohej dhoma Mbase me merreshin mëndet nga tensioni. Në asnjë mënyrë nuk doja që të ndalonte rrëfimin ajo.

Pas një kohë u kthjell, nuk di nëse kishte kaluar një gjysmë ore apo disa orë, ajo kohë mu duk shumë e gjatë derisa ajo ja nisi prapë të fliste.

– E  di që je duke me pritur, po ta them veç një fjali në fund nëse me premton koha – mu drejtua mua dhe vazhdoj:

– Nuk  e mbaj mend ditën që u martova as dasmën që zgjati një javë. Krejt çka mbaj mend është buzëqeshjen e burrit tim kur hyri dhëndër. Veç dy dhëmb i kishte në gojë dhe një grua që sigurisht kishte qare tërë natën që burri ju martua për të dytën herë. Mos të harroj, kishte dhe tre fëmijë që ishin me të mëdhenj se unë me moshë. Ky qe fati im.

Ajo mbylli sytë dhe nuk e hapi më gojën. Madje edhe rënkimet ju ndalen. Unë u ngrita ngadalë dhe dola jashtë.

Të nesërmen dëgjova se dada Fatë kishte ndërruar jetë. Nuk di nëse vdiq po atë natë apo në të gdhirë. Por, mund ta marr me mend se ç’ jetë mund të kishte një grua shqiptare e asaj kohe, fatin e të cilës e determinuan zakonet e egra të viseve tona!!!

Fotografia: Ann Christine Eek

Nga: Leonora Lokaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas humbjes së zgjedhjeve të 17 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje do…