Rregullorja e re e BQK-së, Mehmeti: Dinari ka qenë antiligjor, euro është valuta zyrtare e Kosovës

22 janar 2024 | 13:39

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se në vendin tonë vetëm euro është valuta zyrtare dhe se ndalimi i valutave të tjera nuk mund të bëhen me rregullore përderisa ekziston ligji.

Mehmeti ka thënë se në Kushtetutën e Kosovës tregohet qartë se duhet të përdoret vetëm një valutë e vetme dhe se ndalimi i dinarit ka ndodhur që nga vitit 1999, në kohën e konvertimit të markës gjermane.

“Që nga paslufta, çështja e dinarit ka qenë shumë sfiduese në Republikën e Kosovës dhe për këtë arsye në vitin 1999, më kujtohet saktë ka qenë një rregullore, ku në atë kohë është përdorur marka gjermane, e cila ishte valutë zyrtare në Kosovë dhe nuk ka pasur valuta tjera. Më pastaj, ju e dini konvertimi kur ka ndodhur prej markës gjermane në euro, është me rregulloren 2001/24, ku euro sipas kësaj rregullore është valuta zyrtare për territorin e Kosovës. Pastaj, kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, më saktë me nenin 11-të të saj. Pastaj me nenin 16, me nenin 17 dhe 18 të Ligjit të Bankës Qendrore, ku më saktësisht neni 16 e specifikon kur thotë se euro ‘është valuta e vetme që do të përdorët’”, ka thënë Mehmeti për “EO”.

Më tutje, Mehmeti ka treguar edhe dallimin se kur dhe ku mund të përdoren valutat që nuk janë në vlerën euro.

“Valutat tjera mund të përdorën për ruajtje fizike, në llogari për pagesa ndërkombëtare, por jo më shumë. Pra kemi një valutë të vetme zyrtare që është valuta euro. Pa dashur ta elaborojë rregulloren,  por rregullorja e adreson atë çfarë thuhet në ligj e që ky ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të vitit 2012”, ka thënë Mehmeti.

Ndërsa për ndalimin e kartëmonedhave 500-she, Mehmeti e ka cilësuar si vendim të kahershëm. Ai ka thënë se ndalimi i këtyre kartëmonedhave ka ndodhur në kohën sa ka qenë guvernator i BQK-së.

“Ndër tjera, në këtë rregullore përmendet edhe çështja e kartëmonedhës 500-euroshe, ku mediet e interpretuan se kinse ‘nuk ka më kartëmonedha 500 euro’, që faktikisht ka vite më herët që Banka Qendrore Evropiane ka marrë vendim ta ndalojë prodhimin e këtyre kartëmonedhave dhe ka vite më herët kur ne kemi kërkuar prej institucioneve financiare e bankare që duhet t’i pranoni kartëmonedhën 500 euro, mirëpo nuk keni të drejtë ta hidhni në qarkullim, por ato duhet të kthehen në BQK e më pastaj ato të rikthehen në origjinën ku janë emituar”, ka thënë Mehmeti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armando Broja duket gjithnjë e më larg Chelseat, me sulmuesin…