Rrëmbimi dhe jeta ime në burg para, gjatë dhe pas luftës

21 tetor 19:39

Shkruan: Jahja Lluka

Kur më 3 shkurt 1998 dola nga shtëpia për ta vizituar hamamin e qytetit, për të parë se si kanë shkuar punët në qendrën e re kulturore, diku kah mesdita u rrëmbeva në një dyqan, në Pejë. Në baze të një vendimi të Gjyqit Suprem të Jugosllavisë së atëhershme, u dërgova menjëherë në vuajte të dënimit. Isha dënuar me tre vjet burg, për shkak të armëmbajtjeve pa leje. Nuk kisha asnjë mundësi për t’i ikur vuajtjes së dënimit, meqë shërbimi sekret serb e kishe të qartë se lufta në Kosovë po fillonte dhe gjithë ata të cilët eventualisht mund për të organizonin rezistencë, duhej të largoheshin. Tek unë, rasti ishte shumë i qartë: vendimi me formë të prerë i Gjyqit Suprem. Më dërguan në Burgun e Dubravës. Askush nuk e kishte të qartë se ku jam, se çfarë ka ndodhur me mua.

Me të hyrë në Burgun e Dubravës, më dërguan në Pavijonin e Pranimit ku duhej të qëndroja për një muaj e pastaj të më dërgonin në ndonjë pavijon tjetër. Aty krijova shumë shokë, të cilët s’i kam njohur më herët, por për të cilët kisha dëgjuar. U ula afër një tavoline dhe rashë në mendime: më silleshin shumë ide dhe mundësi se si mund t’i ikja arrestimit. Por, tashti ishte gjithçka tepër vonë.

Ishte kohë e acartë, me borë. Isha i lagur e dridhesha. M’u afrua një djalosh i ri dhe më pyeti nëse jam Jahja Lluka. “Po”, i thash. “A ki nevojë për ndonjë gjë”, pyeti. “Nuk e di, nuk kam marrë asgjë me vete, meqë më kanë rrëmbyer në qytet; m’i kanë vënë prangat dhe më kanë sjellë në vuajtje të dënimit. Nëse ke mundësi të m’i sjellësh një palë çorape, do ta dija për nder”. Djaloshi shkoi në dhomën e tij, m’i solli çorapet e papuçet dhe nisa të ngrohem pak. Ky ishte Enver Dugolli. Aty ishte i gjithë grupi i Avni Klinakut – Enver Dugolli, Liburn Aliu, Dylber Beka … me të cilët nga ajo ditë ishim të pandarë në shoqëri. U bëmë miq kështu që edhe kur përfundoi koha e qëndrimit në Pavijonin e Pranimit e na dërguan në Pavijonin C, e vazhduam shoqërimin tonë. Prapë isha në një dhomë me Avni Klinakun. Mund të them se Avniu ishte njeri i madh. Qëndresa e tij na jepte zemër të gjithëve për të qëndruar dhe për të mos u gjunjëzuar para provokimeve dhe maltretimeve të gardianëve serbë.

Dëgjonim në mbrëmje lajmet, i komentonim dhe bënim biseda se çka do të ndodhë me Kosovën. Ishte kohë e vështirë. Më i vështirë ishte mëngjesi, kur nga banjat dhe WC-të e Pavijonit C, Peja shihej sikur në shuplakë të dorës.

Çdo ditë ashpërsohej situata. Pas disa muajve, pjesën e pavijonit të lirë, ku ishin rreth 100 të burgosur, i futën brenda në burgun e Dubravës. Sipas fjalëve, atje ishin vendosur frankistët famëkeq. Nëpër burg flitej se një ditë do të na transferonin në Serbi. Pranë Burgut të Dubravës nisën ta përshtatnin një pistë për aeroplanë të vegjël dhe për helikopterët që aterronin nga baza e helikopterëve në Mokne, jo larg Burgut të Dubravës. Nga këtu, pas një kohe nisën fluturimet e aeroplanëve të cilët bombardonin Rrafshin e Dukagjinit. Ishte kohë e vështirë. Uleshim dhe bisedonim se a ka mundësi që ndonjë njësit i UÇK-së ta sulmonte Burgun e Dubravës. Bisedonim se a mund t’i besonim ndonjë shqiptari që ende punonte në Burgun e Dubravës. Ishte e vështirë t’i besoje gjithkujt në ato momente.

Kështu, çdo ditë kishim mjaft kohë për të biseduar, eventualisht për të lexuar ndonjë libër. Në mbrëmje e kishim të detyrueshme për ta dëgjuar Ditarin e Televizionit të Beogradit, i cili i jepte lajmet për betejat që po zhvilloheshin në anë të ndryshme të Kosovës “kundër terroristëve shqiptarë”. Një ditë në burg u fut një delegacion ushtarak. Flitej se Burgu i Dubravës do te shndërrohet në kazermë ushtarake, kurse ne të gjithë do të transferoheshim nëpër Serbi. Ishte edhe një rrezik i madh për ne shqiptarët. Një natë dëgjova lajmin se është zënë rob Naim Maloku. U trishtova pasi, në këto rrethana, mendoja se mund të na merrnin në pyetje edhe për disa marrëveshje tona për armatimin e popullit shqiptar.

Në Burgun e Dubravës disa herë vinin punëtorët e sigurimit serb nga Peja, të cilët interesoheshin për armatimin, për organizimin dhe për njerëzit. Qëndrova ashtu si kisha vendosur dhe, pas disa ditësh, erdh vizita. Tani e kisha të qartë se edhe Reshati ishte në rrezik. E shfrytëzova rastin dhe njërin nga gardianët shqiptarë e luta që të ma largonte gardianin serb që të mund të flisja me bashkëshorten. I thashë: të lutem dërgoja Reshatit një porosi që ai të largohet sa më shpejt nga qyteti, për arsye se sigurimi shtetëror serb është duke u interesuar për aktivitetet dhe angazhimet tona në drejtim të përgatitjes për luftë të armatosur.

Kaluan edhe disa muaj dhe një mëngjes, para orës katër, na zgjuan nga gjumi. Kishin hyrë nëpër qeli si bisha. Na nxorën jashtë që të gjithëve; na rreshtuan në korridor të pavijonit, na prangosën dhe na qitën shumë shpejt jashtë burgut. Ishim të hutuar. Nuk e kishim të qartë se çka është duke ndodhur, megjithëse kishim biseduar edhe më herët se kjo ditë do të vinte. Përfundimisht, kjo ishte dita e zbrazjes së Burgut të Dubravës. Po bëhej transferimi i të gjithë të burgosurve nëpër burgje tjera, pasi aty duhej ishte kazerma kryesore e paramilitarëve serbë për të luftuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth 450 të burgosur u nisën me autobusë për në Istog e nga Istogu për në Pejë. Gjithkah atmosferë lufte. Nuk kishte njerëz nëpër rrugët e qytetit. Nga Peja u nisëm drejt Rozhajës.

Gjithçka e kishim të qartë, mirëpo shpresa, se njësitë e UÇK-së mund të na nxjerrin nga transferimi për në Serbi, për asnjë moment nuk u zbeh. Me të mbërritur diku, në kilometrin e pesëmbëdhjetë, duke hyrë në Grykën e Zhlebit, në një kodër i pashë dy mauna të ndalura të mbushura me zhavorr. Afër rrugës e pashë Idriz Balën, me mjekrën e tij të famshme dhe me dy shokët e tij. Me të parë Idrizin ngadalë iu thashë shokëve se ne do të shpëtojmë. Fatkeqësisht, pritja ishte e kotë (pasi dola nga burgu, mësova nga Idrizi se ai e kishte humbur rrugën dhe se rastësisht kishte dalë në rrugën kryesore, në asfalt, dhe se kur e ka parë policinë dhe kolonën e autobusëve, është tërhequr ne mal). Vazhduam rrugën; isha në mundime për të urinuar, pasi askush nuk guxonte të kërkonte asgjë nga gardianët. Kam marrë një qese dhe jam munduar të urinojmë aty, me mundime shumë të mëdha, pasi mbi pesë a gjashtë orë e kisha mbajtur urinën.

Mbërrimë në Rozhajë. Nga Rozhaja u nisëm drejt Mitrovicës. Me të arritur në udhëkryq për në Novi Pazar, kolona u ndal dhe u nda në dy drejtime. Një pjesë për Novi Pazar, një pjesë për Mitrovicë. Kur mbërritëm në Mitrovicë, aty kolona prapë u nda. Një pjesë mbeti në Mitrovicë, një pjesë tjetër u nis drejt Prishtinës. Ishim në dilemë. Me të dalë nga Mitrovica, kolona u ndal në Smerkovnicë, ku mbeti një pjesë e të burgosurve, ndërsa ne vazhduam rrugën për në Prishtinë. Masat e sigurisë ishin shumë të mëdha. Nga Prishtina na dërguan për Burgun e Lipjanit. Ishte fillimi i korrikut të vitit 1998. Ishte vapë. Në Burgun e Lipjanit na zbritën e na rrahën mirë. Ishte e pamundur të futesh në burg pa e kaluar kordonin e policëve, të gardianëve dhe të burgosurve serbë të cilët në çdo mënyrë kishin dëshirë t’i dëmtonin të burgosurit shqiptarë. Në Lipjan na vendosëm nëpër qeli. Aty qëndruam për tre muaj të cilët asnjëherë në jetë nuk do t’i harroj. Dhuna dhe represioni ishte jashtë çdo mendje të shëndoshë.

Gardianët serbë “ndihmoheshin” pa asnjë rezervë nga disa gardianë shqiptarë dhe myslimanë. Unë isha në një dhomë me disa të burgosur për krime ordinere. Gjendja ishte shumë e vështirë. Ushqimi ishte katastrofik, ujë për pije nuk kishte fare. Kishim një orë shëtitje, nën masa të rrepta të sigurisë. Ishte kjo një shëtitje me kokë të ulur, pa mundësi që të bisedonim asnjë fjalë dhe pa asnjë lëvizje të pakontrolluar se, përndryshe, dihej çka të priste.

Atmosfera në burg ishte e rëndë. Ndihej jehona e betejave në Lipovicë dhe në Kleçkë, ku helikopterët serbë çdo ditë bombardonin. Tymi i zi shihej çdo ditë … Me ne, në Burgun e Lipjanit, ishte edhe Naser Rahova nga Mitrovica, i cili vuante dënimin për një vepër të cilën ai me këmbëngulje thoshte se nuk e kishte kryer. Nuk do të flas për veprën e Naserit, sepse në ato kohë vepra nuk ishte shumë e rëndësishme. Me rëndësi ishte që të gjithë të burgosurit shqiptarë ishin tok së bashku. Ndanin të mirat dhe të këqijat.

Naseri një natë ankohej se kishte dhembje. Kishte ithatë në lukth. Gardianët e morën dhe, në vend që ta dërgonin të mjeku, Naserin e rrahën brutalisht, posaçërisht një gardian shqiptar të cilit nuk kam mundur t’ia mësoj emrin asnjëherë. Naseri në mëngjes ndërroi jetë. Nga rrahjet dhe nga sëmundja kishte gjakderdhje. Askush nga gardianët nuk donte të besonte se ai ishte me të vërtetë i sëmurë; i thoshin se po simulonte për ta dërguar në spital në Prishtinë dhe, eventualisht, për te ikur …

Pas vdekjes së Naserit, u krijua një rrëmujë më e madhe në Burgun e Lipjanit. Por, gardianët gjetën disa të burgosur romë dhe një serb të cilët dëshmuan se Naseri i ka provokuar gardianët dhe se gardianët nuk e kanë rrahur. Diku në fillim të shtatorit, nëse më kujtohet mirë data duhet të ketë qenë i pesti, intensiteti i luftimeve në Kosovë ishte rritur. Gryka e Llapushnikut ishte mbyllur. Për çdo ditë pritej depërtimi i Ushtrisë Çlirimtare afër Burgut të Lipjanit. Mendonim se organet serbe me siguri do të na transferonin në Serbi. Do të ishte ky edhe një tjetër maltretim.

Prapë na lidhën, na futën nëpër autobusë dhe na dërguan një pjesë në Nish, një pjesë në Pozharevc (Zabellë). Me të mbërritur në Zabellë, ku ishte burgu famëkeq, pas maltretimeve dhe rrahjeve na futën në pavijonin e shtatë dhe na thanë se këtu do të qëndronin për dy muaj, meqenëse nuk ka vende në pavijonet e tjera. Ky ishte pavijoni më i keq i ndërtuar nga Krali, ku kishin vuajtur shumë veprimtarë shqiptarë. Duke e shikuar atë ndërtesë famëkeqe, i lodhur dhe i rraskapitur u thashë shokëve: është mirë që të përshëndetemi këtu; nuk mendoj se do të dal i gjallë nga ky kazamat.

Ishte një ndërtesë katërkatëshe, e gjitha në tulla, me dritaret me hekura, e rrethuar me një mur të lartë të mbuluar me tela gjemborë mbi të cilin qëndronin gardianët e armatosur me kallashnikovë. Na ndanë nëpër dhoma. Isha i vetmi i burgosur politik. Kalonin disi ditët; letra nuk kishim nga familja e as informata se çka është duke ndodhur në Kosovë. Nuk kishim gazeta, ne ishim në një izolim të plotë. Qëndronim dhe mendonin se këtu është fundi i jetës sonë. Dëgjova se në këtë burg është Riza Gjakli, i cili ishte duke e vuajtur dënimin nga procesi i Paraqinit. Një ditë i sollën edhe ata pak shqiptarë që ishin në pavijonet e tjera. Me të ardhur Rizai kuptuam se në Kosovë po zhvillohen luftime të ashpra. Një ditë, për shkak se i kërkova diçka shokut të dhomës, më rrahën brutalisht tre gardianë. Nuk i besoja vetës se si mbijetova. Kur erdh Rizai në pavijonin e shtatë e kuptuam se ekziston mundësia që NATO-ja t’i bombardojë caqet e Ushtrisë serbe në Serbi.

Ditët i kalonim në dhomë. Nuk na lejonin as shëtitjen e obligueshme. Ishim të detyruar të rrinim ulur në karrige. Assesi nuk guxonim të shtriheshim për as një minutë. Karrigia ishte e ngulitur në dyshemenë e betonit. Ashtu gjithë ditën ishim ulur. Zgjidhja e vetme për ta mbajtur mendjen dhe shpirtin e kthjellët ishte libri.

Një i burgosur serb, i cili ishte korrier, e kishte mundësinë që nga biblioteka e burgut të sillte libra, por kjo paguhej o me cigare, o me tableta për qetësim. Biblioteka e burgut ishte e pasur, normalisht me libra në gjuhën serbokroate. Kishte edhe libra të përkthyer të autorëve botërorë. Ky ishte shpëtimi im. Çdo libër e paguaja me nga një pako duhan. Çdo ditë lexoja nga dhjetë orë, nganjëherë pa ndërprerë. Falë librit nuk kisha mundësi të mendoja as për luftën, as për familjen, as për fëmijët e mi, jo pse nuk doja të mendoja, por futesha në jetën e shkrimtarëve, në romanet e tyre, për ta ruajtur mendjen. Njeriu në atë situatë edhe mund të çmendej. Nisa të shkruaja poezi. Por, me poezitë e mia nuk isha aspak i kënaqur.

Një natë u futën në qeli dy gardianë. Më nxorën jashtë. Njëri më pyeti se çfarë marrëdhënie kam me Kombet e Bashkuara. Nuk e kisha të qartë se çka donte. Ai o nuk dinte, o donte të më provokonte për të më rrahur. M’i bëri disa pyetje të njëpasnjëshme. Unë nuk kisha të drejt të flas, pos me po ose jo. Më në fund kuptova se të nesërmen do të vinte dikush nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Gardiani gjithë mllefin e tij e zbrazi mbi trupin tim se kinse e gënjeva se s’kam te bëjë asgjë me Kombet e Bashkuara. E kotë ishte t’ia shpjegoja se Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk ka të bëjë asgjë me Kombet e Bashkuara. Pas rrahjes brutale, më futën në qeli. Të nesërmen kisha vizitë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Ishte e kotë të ankohesha, meqë çdo bisedë incizohej dhe përcillej e pastaj, normalisht, pasonte rrahja tjetër. Duhej të flisje për nevoja e tuat, për nevojat në ushqim, higjienë, mbrojtje shëndetësore dhe çështje tjera të kësaj natyre.

Pas disa ditëve, një pjesë të të burgosurve që ishin nëpër pavijone të tjera, i futën në izolim. Ata na treguan se sonte u bombardua Beogradi nga NATO-ja. Ishte gëzim i madh në zemrat tona, të cilin nuk guxonim ta shprehnim. Gëzim, por edhe frikë thellë në vetëdijen tonë se çka do të ndodhë me ne. Sjellja e gardianëve u ashpërsua edhe më shumë.

Tani çdo lëvizje ishte nën kontroll nga ta; çdo natë kishim kërcënime për likuidim. Në Burgun e Pozharevcit e sollën nga burgu i Nishit një bashkëqytetar timin, Naser Belegun, për të cilin mund të flas vetëm fjalë të bukura – për sjelljen, për përpjekjet e tij për ta ndihmuar çdo të burgosur. Naseri kishte një kumbarë në Tetovë, i cili nga Maqedonia i sillte pako me të gjitha të mirat. Këto nuk ishin vetëm për Naserin, po për të gjithë ne, kështu që e kam obligim ta falënderoj për zemërgjerësinë dhe bujarinë e tij.

Nuk kalonte ditë pa u rrahur ndonjëri nga të burgosurit tanë. Në dhomë e kisha një pylltar nga Kotorri i Skënderajt, të quajtur Xhavit Kotorri i cili vuante dënimin për vrasje. Një natë më kishe marrë gjumi dhe në një kohë Xhaviti vjen e më zgjon. “Jahë, zgjohu”, tha. U zgjova dhe pyeta: “Çka ka, Xhavit”? Ai tha: “Jahë, më duket se e morën Rizën”. U zgjova, i vesha rrobat dhe u futa në batanije duke pritur se pas Rizës do vijnë të më marrin edhe mua. Ishte natë e tmerrshme. Pritje dhe ankth deri në mëngjes kur u hap dera për të na dërguar në shëtitje. Duke dalë nga qelia, meqenëse rreshtoheshim më fytyrë nga muri, e pashë Rizën. Zemra m’u bë mal. E pyeta disi: “Rizë, çka ka ndodhur mbrëmë”? “Asgjë”, tha. Njërit nga të burgosurit ordinerë, i cili ishte konsumues i drogës, i kishin ardhur pesë minutat e tij dhe, normalisht, kishte bërë rrëmujë. Isha i gëzuar dhe i tregova Rizës se çka ka ndodhur …

Kështu kaluan 78 ditët e bombardimeve të NATO-s. Pritje, ankth se kur do të na vrasin.

Erdhi 10 qershori. Në burgun e Pozharevcit sollën mbi 620 të burgosur shqiptarë nga Kosova. Ishte si Nata e Bartolomeut. Të gjithë gardianët dhe shumica e të burgosurve serbë kishin krijuar një kordon. Sa herë thirrej emri i ndonjë të burgosuri, apo i ndonjë të zëni rob në luftën e Kosovës, duhej të kalonte nëpër këtë kordon duke përjetuar rrahjet më brutale të mundshme. Dëgjova emrat e shumë qytetarëve. E dëgjova edhe emrin e Reshat Nurbojës, edhe emrin e Nait Hasanit e shume të tjerëve. aty kishte edhe shumë të mitur. Të nesërmen, me të dalë në shëtitje, Riza, si një i burgosur i vjetër, kishte futur një transistor të vogël me dy kufje dhe në mbrëmje ne flinim kokë me kokë, sepse tani ishim në një dhomë. I dëgjonte lajmet më një kufje, ndërsa unë me tjetrën. Të nesërmen i informonim shokët për ndodhitë dhe për situatën në Kosovë.

Në Burgun e Pozharevcit ishte edhe një Reshat, për hajni. E luta që të largohej pak që ta thërras me emër për të vërtetuar se a ishte këtu Reshat Nurboja. E shfrytëzova mungesën e gardianëve dhe thirra. Reshati doli në dritaren e katit të katërt prapa grilave. Shpejt e shpejt e pyeta se çka ke kërkuar këtu? “Erdha pas teje”, më tha. “A nuk pate ku të vije pas meje, po këtu”! Aty ishin edhe vëllezërit Mazreku, të cilët i kishin sjellë për rastin e Kleçkës. Ata kishin mbikëqyrje te posaçme. Kishte të rinj nga të gjitha anët e Kosovës. Filluam t’i furnizojmë me libra, meqenëse pavijoni i shtatë ishte mbushur përplot me të burgosur shqiptarë. Një ditë dola për të marrë një pako, të cilën ma kishin dërguar familjarët përmes disa kanaleve nga Rozhaja. Pasi e mora pakon e pashë një fëmijë i cili priste për t’ia hapur derën e qelisë. Më pyeti: “Axhë nga je”? I thashë: “Nga Peja”. E pyeta sa vjet i ka, më tha 16 e gjysmë. I thash: “Çuni i axhës, mbas dy ditësh do të shkosh në shtëpi, por të lutem përmbahu”.

Normalisht se ai ishte shumë i ri dhe nga gëzimi filloi të bërtiste. U dëgjuan hapat e gardianit. I thashë të rrinte urtë se do ta pësojmë që të dy. Ai besonte se do të shkonte në shtëpi. Kjo pas disa ditësh ndodhi nga presioni i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe nga presioni i faktorit ndërkombëtar për të miturit. Pritej se do të liroheshim edhe ne, por kjo shkonte më dalëngadalë.

Situata ndryshoi në Burgun e Pozharevcit. Meqenëse gardianët serbë nuk kishin të ardhura personale më të mëdha se 20 marka gjermane në muaj. Naseri e Riza, por edhe disa shqiptarë të tjerë të cilët kishin të afërm jashtë, në botën e jashtme, kishin mundësi t’i “blinin” ata. Për mua kishte rëndësi që Naseri e kishte “blerë” një gardian i cili e kishte mundësinë që të dërgonte letra pa censuruar jashtë burgut, për në postën e Pozharevcit, por edhe përmes mënyrave të tjera. Ata na sillnin edhe bateri për transistor, që për ne kishin rëndësi të posaçme që të mund t’i dëgjonim lajmet.

Me 4 korrik e përfundova vuajtjen e dënimit. I kisha dy fletore të mbushura përplot me poezi dhe shkrime të tjera. Mendoja si t’i dërgoja këto. Mendoja edhe një gjë tjetër. Meqenëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ishte shtylla kryesore për bombardimin e NATO-s mbi qarqet serbe, ishte njeriu kyç në krijimin e kushteve për kthimin e shqiptarëve, bisedova me Rizën dhe disa shokë që t’ia shkruanim një letër Kryesisë së Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, për t’ia ndarë Çmimin “Hasan Prishtina” presidentit Clinton. E luta Naserin që këtë letër ta dërgojë në Rozhajë te disa miq, te Nexhmedin Maloku, i cili kishte një dyqan aty, e mandej nga Rozhaja për në Pejë. Prova ishte e suksesshme. Letra mbërriti në Kryesinë e Shoqatës dhe propozimi u miratua.

Tani ishte radha për fletoret e mia. E luta Naserin që t’i dërgonte edhe fletoret. Gardiani e kishte emrin Dragisha. I thashë ta lusë që t’i dërgonte dy fletoret me postë për në Rozhajë, në adresë të Nexhmedinit dhe që ditën kur fletoret të mbërrijnë në Pejë, vajza ime Mirlinda do t’i dërgojë 100 marka në adresë të gardianit. Naseri kishte mundësi t’i jepte të hollat. Kështu u bë. Një mbrëmje Dragisha i mori fletoret, i futi në pantallona dhe i dërgoi. Por, me të arritur shkrimet e mia në shtëpi, shtohej kureshtja e familjes se si kisha mundësi që këto shkrime të vijnë deri këtu, kur në fletore ishte e vizatuar shqiponja dykrenëshe me kishte shkrime të llojllojshme për legjendat tona, për heronjtë tonë, për bukuritë e vendlindjes, për fëmijët e mi.

Kaluan ditët, priteshin marrëveshjet për lirimin e të burgosurve. Por, kjo nuk ndodhi deri më 4 korrik 1999, kur unë duhej të lirohesha përfundimisht. Atë ditë, para se të lirohesha, më thirri Miki Vidiqi i cili ishte komandant i ardhur nga Dubrava; njëri nga ata që ka marrë pjesë në masakrën e Dubravës. Më tregoi se shtëpinë ma kishin djegur krejtësisht, se kulla e vjetër është rrënuar, ndërsa për familjen nuk dinte se kah është. I përballova që të gjitha dhe vazhdova rrugën time. Me të dalë te porta, njëri nga komandantët të cilët kishte punuar në Dubravë dhe që më njihte, më tha: “Ti duhet të na falënderosh që ta kemi shpëtuar jetën se, përndryshe, do të ishe vrarë në Kosovë”. Meqë aty afër ishin përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe nuk kishe ndonjë rrezik, thash: “Ju mua më keni marrë në qafë se, sikur të mos kisha qenë në burg, sikur ju të mos më kishit burgosur, unë sot do të isha ose dëshmor ose hero, ose gjeneral”. Me të dëgjuar këtë, s’i mbeti tjetër pos të ma shajë nënën dhe të më thotë se nuk ka kush që mund të më përmirësojë, as ky burg dhe asnjë tjetër.

Qëndrimi në Burgun e Pozharevcit ishte i tmerrshëm. Mund të flas me ditë të tëra për ndodhitë, por për asnjë ndodhi të bukur. Mund të flas vetëm për gjërat më të tmerrshme të cilat mund t’i mendojë truri i njerëzve të sëmurë. Mund të flas për 10 qershorin kur shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe të plagosur, i rrihnin në mënyrat më brutale, deri në alivanosje. Mund të flas për rastin kur një i burgosur, i cili ishte me plagë të rënda në dorë, dërgohet në ambulancën e burgut dhe kur njëri nga mjekët urdhëroi që t’ia amputojnë dorën e djathtë. Pasi e përgatiten të burgosurin për t’ia këputur dorën, me të ardhur mjeku për të intervenuar, e sheh në krahun e tij të tatuazhin, se e kishte kryer obligimin ushtarak në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. Ishte një tatuazh me datë, sikurse bënin shumë ushtarë në kohë më të hershme. Mjeku, i cili duhej t’ia këpuste dorën, e thirri njërin nga mjekët dhe, kinse për t’u konsultuar, i foli me pëshpëritje se mund t’i shërohet dora. Ky tatuazh ia shpëtoi dorën njeriut i cili për pak do të mund të mbetej invalid për gjithë jetën. Me qindra pengje të luftës, të cilët kishin pësuar në raste të ndryshme, kanë mbetur invalidë për shkak se ishin shqiptarë. Ka pasë raste kur të burgosurit shqiptarë, pa asnjë shërbim shëndetësor në burg, i ka shpëtuar vetëm Zoti i madhërishëm.

Shpeshherë s’mund të merrnin as një tabletë të thjesht për kokëdhembje, e mos e dhëntë Zoti të kishim ndonjë problem më të madh shëndetësor. Mund të them se tre muaj e gjysmë kam duruar dhembjen e një dhëmbi të cilin është dashur ta mjekoj pasi kam dalë nga burgu. Kjo s’është kurrgjë në krahasim me atë çfarë i ka ndodhur një mikut i cili është nxjerrë nga qelia e burgut, është dërguar diku afër Danubit dhe është urdhëruar ta hapë gropën për varrin e vet. Fati atë natë ishte që pronari i tokës kalon andejpari dhe kriminelët janë tërhequr nga akti.

Shumica e të burgosurve shqiptarë janë detyruar me dhunë të kryejnë punë fizike, nëpër pronat bujqësore të burgut të Zabellës në Pozharevc. Mbikëqyrja ka qenë shumë e ashpër dhe terë ditën, në arat e burgut, është dashur të punohet. Shumë njerëz aty kanë pësuar. Unë mund të flas ndoshta më lirshëm, për arsye se ndihma e Zotit, fati e shëndeti – pa e harruar në asnjë moment librin – më kanë ndihmuar ta ruaj vigjilencën, shëndetin dhe mendjen. Shumë njerëz, shumë shokë që kanë kaluar tmerret e burgjeve serbe, kanë dalë me trauma të ndryshme.

Dua të them se një ndihmë të pakursyer për qëndresën time ka dhënë edhe Riza Gjakli, i cili me vite kishte qëndruar në Burgun e Pozharevcit. Ndoshta është mirë ta përmend një kërkesë të cilën unë dhe Riza e kemi bërë. Duke mos ditur se çka është duke ndodhur në Kosovë, vazhdimisht kemi kërkuar transferim për në Burgun e Dubravës në Kosovë. Në kohën kur burgjet në Kosovë, edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë ishin përplot me njerëz të arrestuar, civilë apo ushtarë të UÇK-së, ne, megjithatë, kërkonim transferim në Dubravë. Shumë vonë e kuptuam se çfarë ka ndodhur aty. E kuptuam me dhembje të madhe. Nga ai moment u zotova se do të punoj për zbardhjen e Masakrës së Dubravës.

Dua t’i them edhe disa gjëra. Jam i sigurt se gjithçka, që nga rrëmbimi dhe dërgimi në Burgun e Dubravës, e deri te përfundimi i luftës dhe Marrëveshja e Kumanovës, ka qenë e programuar nga Sigurimi Shtetëror serb. Ka qenë shumë e qartë se organizatorët kryesorë do të shpërndahen. Një numër edhe mund të burgoseshin, por një numër edhe do të mund të largohej. Për ata të cilët nuk patën kurajë dhe guxim të largohen nga qyteti dhe të paraqiten në radhët e UÇK-së, Serbia kishte plane konkrete që Kosova të mbetet pa shqiptarë. Unë nuk mund ta nënçmoj askënd dhe nuk e kam atë të drejtë, por dua të them se kam një respekt të posaçëm për të gjithë ata të cilët, ndoshta për asnjë moment, në vitet ’90 të shekullit të kaluar, nuk u treguan se janë patriotë, apo më mirë të them nuk ishin në asnjë lëvizje apo aktivitet të ndonjë partie apo shoqate. Por, në momentin e duhur, ditën ndoshta edhe me vitet e rinisë së hershme – po e përmend këtu një komshi timin, Cakën, që ishte 16 vjet – kanë shkuar në UÇK. U befasova për të mirë,

Po flas për lajmin tragjik se është vrarë Zhuti. Fillimisht nuk e kisha të qartë se nga kush është vrarë. Më vonë kuptova se Zhuti kishte qenë njëri ndër luftëtarët e rrallë që ia ka zbardhë fytyrën Pejës. Më erdhi mirë, pasi familja e Gjikollëve ishte një lloj kujdestari i zyrës sonë (shtëpia e tyre ballë për ballë zyrës sonë që çdo herë vëzhgohej, e në mëngjes e kishim informatë nëse dikush na ka përcjell apo ka bërë ndonjë lëvizje). Mund të flas edhe për miqtë tjerë të cilët ia zbardhën fytyrën qytetit tim, qytetit të Haxhi Zekës. Mund të flas edhe për momentet kur në pakon e ndonjërit nga ne që ishim në dhomë, vinte një shishe me Coca-Cola. Ishte si gëzimi i fëmijë. Dua ta përmendi një hajn ordiner i cili për asnjë moment nuk u gjunjëzua dhe qëndroi me ne. Këtu mund të flitet edhe për ndonjë të burgosur i cili nuk kishe asgjë shqiptare e as njerëzore në shpirtin e tij. Mund të flas për të burgosurin i cili më ftesën e organeve të burgut ishte dhurues i gjakut për ushtarët serbë. Mendonte se kjo do ta ndihmonte të kishte ndonjë privilegj. Por, në shëtitje asnjë nga të burgosurit shqiptarë nuk fliste me Cipin. Cipi kishte mbetur i vetëm. Në të gjithë ishim në grupe, bisedonim, ndërsa me të dalë në shëtitore, komandanti i thotë: “Ti me siguri je spiun nga vetë fakti se askush nuk rri me ty”! Kjo ishte porosi e mirë për të tjerët. Por, dua të them hapur se falë punës së shumë të burgosurve politikë, në rend të parë në Burgun e Dubravës, shumë mosmarrëveshje mes të burgosurve për vepra kriminale ishin nën kontroll. Normalisht, kishte mes shqiptarëve ndonjë që e kishte shpirtin e shitur, por njihej dhe nuk kishe rrezik nga ai.

Në burg ishte e vështirë dhe gati e papërballueshme të qëndrosh dy dimra në izolim, në një dhomë pa ngrohje, ku lagështia pikonte uji nga plafoni, nga muret. Unë, nuk mund ta duroj të ftohtit. Mbështillesha me dy a tri batanije. Shpeshherë bënim edhe “gjimnastikë” për të ngrohur gjakun. Ka pasë raste kur i kemi bërë nga 800 përkulje duke mbetur njëri roje, e tjetri me ushtrime. Ka pasur kujdestarë dhomash të cilët i kanë paraqitur shokët se nuk po mbajnë disiplinë. Kanë harruar disa se ne jemi të gjithë shqiptarë. Nganjëherë nga qëndrimi i gjatë në kushte të vështira, të papërballueshme, njeriu mund ta bëjë edhe ndonjë veprim të pakontrolluar. Mirëpo, gjithë kësaj duhet t’i vëmë pikë dhe të vijmë deri te përfundimi i vuajtjes së dënimit.

Kaluan ditët e netët duke dëgjuar lajme; kështu kaloi edhe lufta, edhe bombardimet e NATO-s. Në një birucë nga e cila mendja e shëndoshë nuk do të thoshte asnjëherë se mund të shpëtoje. Por, njeriu ishte më i fortë se guri dhe të gjitha këto kaluan.

Erdhi 4 korriku 1999 – dita e pavarësisë dhe e lirisë; dita e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe ditëlindja e dytë e imja meqë nuk e kisha menduar se prapë do ta shihja Kosovën, familjen, Pejën me të cilin qytet isha shumë i lidhur. Filloi rruga e kthimit. Familja ishte e informuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe unë mezi prisja që në kufirin e Kosovës me Serbinë t’i takoja familjarët. Atë ditë u liruan dhjetëra shokë. Tre nga Pozharevci, dy nga Leskoci dhe katër nga Nishi. Të gjithë u tubuam në zyrat e Kryqit të Kuq në Nish dhe nga këtu vazhduam rrugën për në Merdare. E njihja shumë mirë këtë rruge, meqë shpesh kam kaluar për nevoja të biznesit, nëpër gjithë Jugosllavinë, dhe rruga e kthimit çdo herë ishte Nish-Podujevë-Prishtinë-Pejë.

Në Merdare na ndalën policia. Filluan maltretimet e rëndomta. Kaluam kufirin. Disa qindra metra më larg ishin mbledhur shumë qytetarë për të na pritur. Aty ishte edhe familja ime. Mezi prisja ta përqafoja Atdheun, Lindën, Argjirën, Besën; vëllezërit, motrat e posaçërisht dy prindërit e mi. Nëna kishte dalë për të më pritur, babai nuk kishte mundur të vinte. E përqafova edhe Besianën, vajzën time të dytë. Në letrat që merrja në burg, diçka nuk e kisha të qartë se çfarë ka ndodhur me të. Dyshoja gjithçka: vajzë e re, shumë e bukur … lufta … kriminelët .. çka nuk më shkonte në mendje. E pashë Besianën dhe u gëzova se gjithçka ishte në rregull. Më vonë kuptova edhe një traumë që e ka përjetuar familja gjatë qëndrimit tim në Pozharevc. Gjatë luftës kanë qëndruar në një fshat të Durrësit, në Tilaj, në një shkollë që ishte shndërruar në një banim kolektiv për një pjesë të qytetarëve të Pejës. Gjatë qëndrimit në plazh, te Shkëmbi i Kavajës, ishte përhapur lajmi se mua më kanë vrarë. Për familjen ishte traumë e re; për Besianën ishte shtytje për të hyrë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuptova se Besiana, me 16 vjetët e saj, i ishte bashkuar njësive të UÇK-së. Isha krenar, por edhe i brengosur, se si një vajzë me 16 vjet mund të përballonte luftimet.

Unë isha gjallë, por ata të cilët nuk punuan asnjëherë për të mirën e popullit shqiptar, nuk punuan as për të mirën e familjes sime. Përhapën dezinformata për ta dezorientuar familjen dhe për t’ju krijuar trauma sa më të mëdha. Më vonë, pas shumë përpjekjeve të vajzës sime, Lindës, e cila edhe në periudhën e luftës punoi nëpër organizatat ndërkombëtare për ta mbajtur familjen dhe për të mos iu munguar asgjë, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, u kuptua se jam gjallë, por në burg.

Me siguri njeriu mund të flasë edhe shumë gjëra. Unë e kam mbajtur një ditar në burg. Jam duke menduar që t’i them edhe disa gjëra për disa njerëz të cilët edhe sot e kësaj dite e mbajnë veten se janë patriotë, se kanë bërë gjëra të mrekullueshme, por që në Burgun e Pozharevcit, të Nishit apo të Sremit, nuk janë sjellë aspak mirë. Mirëpo, pas konsultave me shumë shokë, për hir të çështjes së familjarëve të tyre, të rrethit, të mos i përmend emrat. Megjithatë, dua të them një gjë: shërbimi sekret serb ka ditur të luajë me njerëz duke dhënë edhe ndonjë lëshim eventual për t’i komprometuar njerëzit. Mirëpo, është dashur të dihet kjo dhe ta mbajnë veten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një studim i kryer nga dy laboratorë zbuloi se një…