Rreshtimet e të përndjekurve politikë shqiptarë dhe komunistëve shqiptarë në të dy anët e kufirit

25 dhjetor 2022 | 22:54

Shkruan: Agron Hoti

        Pse s’ka pasur dhe s’ka as sot aleancë politike mes të përndjekurve politikë shqiptarë nga komunizmi i Shqipërisë dhe të përndjekurve politikë shqiptarë të ish-Jugosllavisë, ashtu siç s’ka pasur dhe s’ka aleancë politike mes komunistëve të Shqipërisë me ata shqiptarë të ish-Jugosllavisë?

        Çuditërisht komunistët shqiptarë të Kosovës i duan ose së paku shtiren se i duan të përndjekurit politikë të komunizmit në Shqipëri që u pasuan nga demokratët, kurse të përndjekurit politikë shqiprarë të Kosovës e duan udhëheqësinë komuniste të Shqipërisë që u pasua në vija të trasha nga socialistët.

       Por, këtu ka diçka tepër atipike, sepse nëse është BRSS ajo që kishte formuar komunizmin në Evropë dhe glob, përfshirë atë në Jugosllavi e Shqipëri, atëherë logjika e thotë që komunistët shqiptarë të të dy krahëve (Shqipëri e Jugosllavi) do të duhej të ishin në aleancë politike mes vete atëherë e sot, sepse komunizmi ishte vetë aleanca globale. Logjika po ashtu e thotë që të përndjekurit politikë nga Shqipëria komuniste do të duhej të ishin në aleancë politike me të përndjekurit politikë shqiptarë të komunizmit jugosllav.

        Logjika tutje e thotë se nëse të përndjekurit politikë të Shqipërisë kërkonin shkatërrimin e komunizmit shqiptar, atëherë do të duhej të ishin në aleancë politike ose së paku sot do të duhej të kishin raporte të mira me ata nga Kosova, ngase edhe të përndjekurit politikë shqiptarë të Kosovës synonin shkatërrimin e komunizmit jugosllav.

        Por, e vërteta është se këto aleanca kanë munguar siç vazhdojnë të mungojnë edhe sot mes dy grupeve komuniste dhe mes dy grupeve të të përndjekurve politikë të të dy krahëve, pavarësisht se komunistët shqiptarë në të dyja anët e kufirit megjithatë kishin bashkëpunuar mes vete në shumë drejtime.

        Përderisa komunizmi në Shqipëri akuzonte atë jugosllav për terrorizim të shqiptarëve në Jugosllavi, ai jugosllav akuzonte atë shqiptar për ndërhyrje në punë të brendshme të Jugosllavisë.

        Komunizmi i Shqipërisë i quante të përndjekurit politikë shqiptarë të Shqipërisë si bashkëpunëtorë të UDB-së, kurse të përndjekurit politikë shqiptarë të Shqipërisë e quanin komunizmin shqiptar si bashkëpunëtor të UDB-së. Pra, UDB shihej si emërues i përbashkët i akuzave të ndërsjella mes komunizmit dhe të përndjekurve në Shqipëri.

        Ndërsa, të përndjekurit politikë shqiptarë të Kosovës e quanin lidhjen komuniste të Kosovës si bashkëpunëtore e pjellë të UDB-së dhe rrjedhimisht antikombëtare, në anën tjetër komunistët shqiptarë të Kosovës i quanin të përndjekurit politikë shqiptarë gjatë sistemit jugosllav si bashkëpunëtorë të komunizmit shqiptar të Shqipërisë duke ua heshtur kështu me qëllim atëherë dhe sot kontributin kombëtar të tyre të rezistencës heroike kundër Jugosllavisë.

        Përderisa komunistët shqiptarë të Jugosllavisë ishin të përkëdhelurit e pushtetit jugosllav, në anën tjetër ishin të përndjekurit shqiptarë të sistemit jugosllav ata që terrorizoheshin nga komunizmi jugosllav dhe nga komunistët shqiptarë.

         Përderisa komunistët e Kosovës i quanin ata të Shqipërisë enverista e stalinista atëherë dhe sot, ata të Shqipërisë i quanin këta të Kosovës titista. Edhe sot mbretëron e njëjta retorikë që bëhet me qëllim të mjegullimit se kush ishte vërtetë nacionalist e kush pjellë e UDB-së.

         Ndërkohë komunistët shqiptarë  të Kosovës, edhe pse ishin 100% pjellë e BRSS-së e Jugosllavisë, për t’u dukur pas rënies së komunizmit si demokratë para qytetarëve dhe për ta fshehur petkun komunist shtiren se i duan të përndjekurit politikë të Shqipërisë që u pasuan nga demokratët atje.

         Pavarësisht se UDB-ja përndiqte organizatat e shumta patriotike shqiptare gjatë sistemit jugosllav që synonin çlirimin e trojeve shqiptare të ngelura nën Jugosllavi, komunistët shqiptarë të Kosovës atëherë dhe sot në linjë të plotë dhe në shërbim të UDB-së jugosllave i quanin këto organizata të shumta patriotike si marksista e leninista, e tëra kjo për t’i diskredituar patriotët e vërtetë dhe për ta paraqitur bashkëpunimin e tyre me komunizmin jugosllav si diçka të mirë për shqiptarët nën sistemin jugosllav.

        E tëra kjo tregon mjegullën që qëllimisht krijohet edhe sot në mënyrë që qytetarët të mos e kuptojnë të kurrë të vërtetën, sepse kur kuptohet e vërteta, ndahet shapi prej sheqerit dhe dihet kush ishte kombëtari e antikombëtari. A.H.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa…