Rreth 15 marrëveshje pritet të nënshkruhen mes Kosovës dhe Shqipërisë

24 nëntor 2021 | 17:34

Rreth 15 marrëveshje pritet të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të premten në Elbasan.

Në mbledhjen e shtatë me radhë, fokusi i kabineteve qeveritare do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

Takimet e tilla mirëpriten nga njohësit e proceseve politike të dy shteteve, derisa kërkohet angazhim shtesë në implementimin e tyre.

Të njëjtave iu sugjerohet edhe të shmangin dallimet për iniciativën rajonale Ballkani i Hapur dhe të fokusohen në avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar për KosovaPress së në mbledhjen e së premtes do të nënshkruhen disa marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe protokolle.

“Ato përfshijnë fushën e lëvizjes së lirë, lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar, në fushën e arsimit, drejtësisë, infrastrukturës dhe kulturës”, thotë ai.

Megjithëse takimin e tillë e mirëpret, drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, thotë se mbledhjen e tilla nuk duhet të jenë vetëm për “show politik”, por duhet angazhim shtesë për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur.

“Duhet të jetë takim pune, takim pune për të parë 80 marrëveshje, sa prej tyre janë realizuar, cilat janë afatet, cilat janë përgjegjësitë dhe çfarë do të ndodh vitin e ardhshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës. Është interesante që deri tani ne kemi pasur një sërë takimesh të cilat kanë qenë më shumë ‘show politik’ dhe nevojë për të treguar edhe botës shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë. Por në thelb, bilanci i punës, shkëmbimeve dhe marrëveshjeve ka qenë minimal. Nëse do të kishte seriozitet dhe të dy palët do të ishin të përgatitura për një takim të përbashkët dhe produktiv, dy palët duhej të përfshinë jo vetëm qeverinë qendrore, por edhe qeverinë lokale dhe mundësisht edhe opozitat politike në mënyrë që qasja të jetë strategjike dhe afatgjate. Të ketë ekspert në tryeza dhe të lejohen ekspertët të dominojnë agjendat gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh as në këtë mbledhje. Kjo është një tregues se është interes më shumë për të qenë korrekt me agjendën e palëve për të thënë se u takuam përsëri dhe zhvilluam mbledhjen e radhës se për të pasur një produkt publik”, deklaron ai.

Kosova dhe Shqipëria deri tani kanë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta, deri më tani janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi./ KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një iranian i cili në moshën 17-vjeçare u arrestua për…