Rreth 5 mijë punëtorë shëndetësorë në Kosovë kanë marrë vaksinën kundër Covidit

25 prill 2021 | 11:39

Nga rreth 15 mijë profesionistë shëndetësorë sa ka Kosova në sektorin publik dhe privat, vetëm rreth 5 mijë prej tyre kanë marr dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19. E ky hezitim i mjekëve për t’u vaksinuar po shihet si një shembull jo i mirë për qytetarët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Faik Hoti, ka deklaruar se ka profesionistë shëndetësorë që kanë hezituar të vaksinohen, por ka edhe të tjerët të cilat kanë antitrupa pasi tashmë e kanë kaluar Covid-19.

“Prej tyre rreth 5 mijë janë nga personeli shëndetësor. Ka prej atyre që e kanë marrë sikur tregojnë edhe shifrat, ka të tjerë që e kanë kaluar Covid-19 dhe mendojnë që kanë ende antitrupa dhe mendojnë të vaksinohen në ndërkohë, sikur që ka edhe atillë që kanë hezituar sigurisht. Por, rekomandimi i fuqishëm i MSh-së është që të vaksinohen të gjithë personeli shëndetësor, për të siguruar imunitet aktiv kundër virusit”,  është thënë në përgjigjen e zëdhënësit të MSh-së dhënë për “Kosovapress”.

Shembull jo i mirë për qytetarët e Kosovës është konsideruar hezitimi i mjekëve për t’u vaksinuar.

Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli, ka thënë se stafi mjekësor nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar.

Sipas saj vaksinimi është mënyra për të dalë nga izolimi dhe për të shpëtuar nga pandemia Covid-19.

I befasuar me hezitimin e mjekëve për t’u vaksinuar u shpreh edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Sipas tij arsyet për mos vaksinim të stafit mjekësor kanë qenë dilemat e ngritura, përgjigje të cilave do duhej t’u jepte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikes Infektive, Izet Sadiku ka thënë se rreth 100 mjekë dhe infermierë të kësaj klinike tashmë kanë marr dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca|.

Ai ka thënë se ata që janë vaksinuar nuk kanë pasur komplikime të rënda, përveç atyre që sjell çdo vaksinim tjetër.

Kujtojmë se krahas stafit mjekësor që janë vaksinuar në Kosovë, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit janë vaksinuar kundër Covid-19 në Kukës të Shqipërisë. Ndërsa, më 28 mars në Kosovë ka arritur i kontingjenti i parë i 24 mijë dozave të vaksinës “AstraZeneca”, të cilat janë dhuruar nga “COVAX”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka akuzuar gjykatësin…