Rreth 800 banorë në rajonin e Lipjanit përfitojnë nga rrjeti i ri elektrik

31 janar 2024 | 12:11

Rreth njëqind shtylla të reja të tensionit të mesëm dhe atij të ulët gjarpërojnë rrugëve të Topliçanit të Lipjanit.

Traseja me degëzime që shkon në 5 kilometra gjatësi tashmë është përfunduar, sikurse edhe një pjesë e madhe e përçuesve dhe stabilimenteve përcjellëse.

E gjithë kjo punë masive po kryhet në kuadër të projektit investiv që po e realizon KEDS-i për rreth 800 banorët e atij fshati. “Ishte në gjendje aspak të mirë. Tash ka ndryshuar komplet”, thonë topliçanasit.
Krahas rrjetit elektrik, me qëllim të rritjes së kapacitetit të furnizimit me energji elektrike, aty do të vendoset edhe një transformator i ri.

Ky projekt i KEDS-it arrin një kosto mbi 150 mijë euro dhe pritet të përfundojë brenda pak kohe. Edhe në këto ditë të ftohta dimri po punohet me intensitet të lartë.

“Me implementimin e këtij projekti, konsumatorët tanë në atë zonë do të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe siguri në rrjet. Më vonë do të bëhet edhe eliminimi i rrjetit aktual, i cili si një rrjet i trashëguar në gjendje jo të mirë, deri më tash është mobilizuar e mirëmbajtur nga ekipet e mirëmbajtjes së KEDS-it”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.

Vetëm përgjatë vitit 2023, në mbarë Kosovën janë realizuar rreth 400 projekte nga të cilat kanë përfituar qindra mijëra banorë të Kosovës. Ndërsa, në 10 vjet ekzistencë të kompanisë janë investuar mbi 200 milionë euro, të cilat e kanë avancuar rrjetin distributiv në një stad më të avancuar. Kjo ia mundëson KEDS-it të shpërndajë energji të qëndrueshme, të sigurt, pra shërbime më të avancuara, elemente këto që përbëjnë edhe misionin e kompanisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të…