Rrethanat politike kërkojnë një qeveri më stabile

22 shtator 2020 | 11:34

Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, ka bërë me dije se Kosovës i duhet një qeveri më stabile.

Ai ka thënë se një qeveri të tillë e bëjnë të nevojshme rrethanat politike dhe të sigurisë në të cilën ndodhet Kosova.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Berisha ka deklaruar se kjo nuk duhet të ndodhë sepse qeveria aktuale është jostabile.

“Besoj se në situatën politike në të cilën gjendet Kosova, kërkohet një qeveri më stabile, pra edhe në kuptimin e numrave, ideve dhe vizioneve që kanë subjektet politike. Rrethanat në të cilat gjendet Kosova, zhvillimet politike dhe të sigurisë rreth Kosovës e bëjnë të nevojshme krijimin e një stabiliteti më të madh qeverisës. Kjo duhet të ndodhë jo pse kjo qeveri nuk ka stabilitet, por për shkaqe të tjera”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, një ndër arsyet është edhe faza përfundimtare e dialogut me Serbinë. “Tani jemi në momente përfundimtare të zgjidhjes së problemit me Serbinë, i cili e ka përcjellë çdo qeveri pas zgjedhjeve në këto 20 vjet. Prandaj, duke i parë këto zhvillime, qeveria aktuale duhet të forcohet në mënyrë që disa problemeve një herë e përgjithmonë t’u japë fund”, ka deklaruar ai.

Berisha ka folur edhe për funksionimin e koalicionit aktual qeverisës. Sipas tij, ky koalicion nuk është në nivelin e duhur. “Sido që të jetë, koalicioni qeverisës ndoshta nuk është në nivelin e duhur, por ja që ky është realiteti në Kosovës tash e sa vite. Funksionimi i koalicionit është çështje e nivelit të liderëve politikë”, ka vlerësuar ai.
Duke mos dashur t’i komentojë përplasjet në mes të LDK-së dhe AAK-së, Berisha ka thënë se Nisma në këtë koalicion është duke u sjell në përputhje me përgjegjësitë që ka marrë.

“Mund të them me përgjegjësi se Nisma Socialdemokrate me hapësirën që ka brenda qeverisë është në përputhje me përgjegjësitë politike dhe konform besueshmërisë që ka marrë në zgjedhjet e fundit. Përndryshe, përplasjet midis subjekteve politike kur ato bëhen për të mirën e qeverisë dhe të vendit, natyrisht se reflektojnë dhe krijojnë pozitivitet”, ka thënë Berisha.

Berisha, i cili ushtron edhe detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, gjendjen e sigurisë në vend e ka vlerësuar të mirë. “Mendoj se niveli i sigurisë në vend është aty ku duhet të jetë për arsye se një pjesë të kompetencave të sigurisë i kanë mekanizmat ndërkombëtarë si KFOR-i. Por, në përputhje me mandatin ligjor që ka Ministria e Punëve të Brendshme, gjendja e sigurisë është në nivelin e duhur. Kur marrim statistika nga vendet e tjera të rajonit, llogarisim se në aspektin e sigurisë Kosova është në nivelin e duhur”, ka deklaruar Berisha.

“Epoka e re”: Z. Berisha, ju jeni pjesë e qeverisë Hoti. Si po e shihni funksionimin e këtij koalicioni qeverisës?
Berisha: Unë më tepër jam i përqendruar në angazhimin profesional, pra në përgjegjësitë politike në fushën e sigurisë që kam në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sido që të jetë, koalicioni qeverisës ndoshta nuk është në nivelin e duhur, por ja që ky është realiteti në Kosovë tash e sa vite. Funksionimi i koalicionit është çështje e nivelit të liderëve politikë.

“Epoka e re”: Kemi parë se shpeshherë ka mospajtime të partnerëve të koalicionit qeverisës. Këto mospajtime e dëmtojnë funksionimin e koalicionit qeverisës?
Berisha: Mund të them me përgjegjësi se Nisma Socialdemokrate me hapësirën që ka brenda qeverisë është në përputhje me përgjegjësitë politike dhe konform besueshmërisë që ka marrë në zgjedhjet e fundit. Përndryshe, përplasjet midis subjekteve politike kur ato bëhen për të mirën e qeverisë dhe të vendit, natyrisht se reflektojnë dhe krijojnë një pozitivitet. Ndërsa ambiciet personale, pozicionet, përfitimet e ngushta nuk i takojnë botës time personale dhe botës së subjektit që përfaqësoj.

“Epoka e re”: Edhe gjatë mbledhjeve të qeverisë kemi parë që AAK-ja ka votuar disa herë kundër vendimeve të qeverisë?
Berisha: Mendoj se përgjigjen më të mirë për këtë mund ta japin përfaqësuesit e AAK-së. Ne sot me ministrin Agim Veliu kemi koordinuar angazhimet tona në fushën e sigurisë së vendit. Tani për tani ky është prioritet për ne.

“Epoka e re”: Pas aksionit të policisë në Karaçevë janë paralajmëruar edhe aksione të tjera të këtij niveli. Mund të na thoni se në cilën pjesë të Kosovës mund të presim aksione të tilla?
Berisha: Ministria e Punëve të Brendshme ka përgjegjësi kryesore për të krijuar një ambient të sigurt dhe stabil në vend. Mendoj se fusha e sigurisë ndikon edhe në zhvillimin e fushave të tjera. Në një vend ku nuk ka siguri, natyrisht se do të ngecin të gjitha çështjet e tjera. Prandaj, në këtë drejtim përgjegjësia jonë politike dhe institucionale është që dukuritë devijuese, si krimi i organizuar, ngado që është do ta luftojmë deri në fund.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për gjendjen e sigurisë në vend?
Berisha: Mendoj se niveli i sigurisë në vend është aty ku duhet të jetë për arsye se një pjesë të kompetencave të sigurisë i kanë mekanizmat ndërkombëtarë si KFOR-i. Por, në përputhje me mandatin ligjor që ka Ministria e Punëve të Brendshme, gjendja e sigurisë është në nivelin e duhur. Kur marrim statistika nga vendet e tjera të rajonit, llogarisim se në aspektin e sigurisë Kosova është në nivelin e duhur.

“Epoka e re”: Mirëpo vazhdimisht kemi kritika të dy partive opozitare për mungesën e legjitimitetit të kësaj qeverie dhe për mospunën e saj?
Berisha: Opozita është opozitë dhe ka për detyrë ta kritikojë qeverinë. Nuk do ta komentoja qëndrimin e opozitës. Megjithatë, mendoj se edhe opozitën duhet ta ndajmë në dy pjesë. Kemi një opozitë deri-diku konstruktive dhe një pjesë të opozitës e cila është e lindur për destruktivitet.

“Epoka e re”: Është folur shumë për mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Berisha: Besoj se në situatën politike në të cilën gjendet Kosova, kërkohet një qeveri më stabile, pra edhe në kuptimin e numrave, ideve dhe vizioneve që kanë subjektet politike. Rrethanat në të cilat gjendet Kosova, zhvillimet politike dhe të sigurisë rreth Kosovës e bëjnë të nevojshëm krijimin e një stabiliteti më të madh qeverisës. Kjo duhet të ndodhë jo pse kjo qeveri nuk ka stabilitet, por për shkaqe të tjera. Tani jemi në momente përfundimtare të zgjidhjes së problemit me Serbinë, i cili e ka përcjellë çdo qeveri pas zgjedhjeve në këto 20 vjet. Prandaj, duke i parë këto zhvillime, qeveria aktuale duhet të forcohet në mënyrë që disa problemeve një herë e përgjithmonë t’u japë fund.

“Epoka e re”: PDK-ja ka hedhur poshtë çdo mundësi se mund t’i bashkohet qeverisë. A pritet që në të ardhmen të jetë pjesë e këtij koalicioni?
Berisha: Nuk dua të komentoj këtë, por po them se forcimi i kësaj qeverie do t’i shërbente interesit të Kosovës.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka dënuar manjatin e patundshmërisë, Ren Zhiqian, njëherësh kritikun…