
Rrëzohet avioni, vdes arkitekti me famë botërore
Arkitekti i famshëm kinez Kongjian Yu ka humbur jetën në një aksident ajror të martën vonë në ligatinat e gjera braziliane të shtetit Mato Grosso do Sul, thanë autoritetet braziliane të mërkurën.
62 vjeçari Yu, fitoi rëndësi globale si arkitekt peizazhi dhe planifikues urban pasi qeveria kineze miratoi konceptin e tij të “qyteteve sfungjer” duke përdorur zgjidhje të bazuara në natyrë për të thithur dhe mbajtur ujin në vend të infrastrukturës së betonit për ta kanalizuar atë.

Koncepti është miratuar që atëherë në qindra vende në Kinë, si dhe në zona urbane nga SHBA-ja në Rusi.
Autoritetet braziliane konfirmuan se Yu dhe tre persona të tjerë, piloti dhe dy regjisorë vendas, u vranë kur avioni me të cilin po udhëtonin u rrëzua në një zonë rurale pranë qytetit të Aquidauana, në ligatinat e Pantanal.
“Me trishtim dhe zhgënjim mora lajmin për aksidentin e avionit,” tha Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva në një deklaratë.
“Në kohë ndryshimesh klimatike, Kongjian Yu u bë një referencë globale me qytetet sfungjer që kombinojnë cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e mjedisit,” shtoi ai.
Yu mori pjesë në programin hapës të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Sao Paulo javën e kaluar. Gazeta Estadao raportoi se ai më pas iu bashkua një udhëtimi me regjisorë që xhironin një dokumentar rreth punës së tij.
Yu themeloi dhe e drejtoi si profesor dhe dekan Kolegjin e Arkitekturës dhe Peizazhit i Universitetit të Pekinit dhe Turenscape, një firmë dizajni me seli në Pekin që Yu e themeloi në vitin 1998.
Yu e ka udhëhequr Turenscape si projektuesi kryesor i firmës, duke e rritur atë në një ekip prej më shumë se 500 specialistësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.