Rritet frikshëm numri i grave të vrara në Irlandë

26 nëntor 2026 | 08:12

Kosova nuk është e vetmja që po përballet me rritjen e vrasjeve të grave. Edhe në Irlandë, numri i grave të vrara nga burrat është pothuajse dyfishuar brenda një viti, sipas një raporti të publikuar sot.

Këtë vit në Irlandë janë vrarë 13 gra, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin vrarë shtatë. Raporti është përgatitur nga organizata irlandeze Women’s Aid, raporton The Guardian.

Pas dy dekadash rënieje, vrasjet e grave nisën të rriten sërish në vitin 2021. “Kjo duhet të na alarmojë të gjithëve,” tha Sarah Benson, drejtuese e organizatës.

Shumica e grave u vranë nga dikush që e njihnin. Më shumë se gjysma u vranë nga partneri ose ish-partneri, ndërsa dy të tretat humbën jetën në shtëpinë e tyre.

“Irlanda është një nga vendet më të pasura në botë dhe kemi ligje të mira. Megjithatë, gratë ende vriten nga burrat më të afërt të tyre,” tha Benson.

Sipas saj, këto vrasje rrallë ndodhin papritur. Ndarja, kontrolli, kërcënimet për vrasje dhe përndjekja janë shenja paralajmëruese. Rreziku rritet shumë pas ndarjes dhe mbetet i lartë për rreth një vit.

Edhe në Kosovë, që nga fillimi i vitit 2026 janë vrarë tetë gra. Si në Irlandë, autorët janë më shpesh partnerët ose ish-partnerët e tyre.

Raporti irlandez u publikua në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Sipas tij, që nga viti 1996 në Irlandë janë vrarë 291 gra nga burrat. Bashkë me to janë vrarë edhe 25 fëmijë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Stuhitë e fuqishme që kanë përfshirë të dy brigjet e…