Rritja e punësimit, Shqipëria kryeson në rajon

28 shtator 2018 | 20:40

Statistikat ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri punësimi është rritur në një trend më të lartin në gjithë rajonin.

Kështu deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se këtë e dëshmojnë jo vetëm statistikat e institucioneve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare.

“Ne po e rrisim punësimin dhe ky është fakt, por nuk po rriten aq sa ne do të donim rrogat e ulëta. Kjo sepse rritja ekonomike, e cila sot është në përmirësim mbi 4% nga pak % mbi 0% në 2013 reflektohet më ngadalë mbi rrogat në sektorin privat, por gjithsesi reflektohet”, ka deklaruar Rama, raporton ATSH.

Ai theksoi se janë 20 763 njerëz të futur në punë nga janari në gusht 2018, vetëm nga Zyrat e Punës.

“Rrogat e ulëta në sektorin privat i kanë edhe vende të tjera në rajon si Serbia, Maqedonia etj. Ne e dimë se se në Gjermani e vendet e BE-së, rrogat e ulëta janë shumë të larta se te ne, por ne nuk jemi Gjermania, Franca apo Anglia”, tha Rama, duke theksuar se “duhet të kujtojmë nga kemi ardhur dhe t’i afrohemi standardeve hap pas hapi”.

“Ne jemi mësuar të quajmë punë vetëm punën në shtet dhe ‘skllavëri’ punën private. Është e vërtetë që ka ende probleme për punën private, por ne kemi nxjerrë nga puna e zezë dhe kemi detyruar kompanitë të sigurojnë dhjetëra mijëra njerëz. Por ndërkohë ka kompani që kanë paga edhe 400, 500 dhe 800 mijë lekë dhe nuk gjejnë punonjës”, ka shtuar Rama.

Në kuadër të reformave sociale të ndërmarra, ai theksoi po ashtu se edhe pse ndihma ekonomike është ende e ulët, duhet të kujtojmë se “ndihma ekonomike është 3-fishi i asaj që ka qenë para 4 vitesh”. “Nga 10-35 mijë lekë të vjetra sot është 45-80 mijë lekë”, tha Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot…