Rritje drastike e rasteve të reja me Covid në Gjilan, Haziri kërkon respektimin e masave
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për medie është shprehur se në këtë komunë në javën e fundit ka rritje drastike të infeksionit me Covid-19.
“Sot i kemi 247 raste aktive dhe është rritje drastike e infeksionit me Covid-19 në javën e fundit. Kemi trefishim të rasteve të vizitave në shtëpi te pacientët e prekur nga virusi. Pra, janë deri në 50 vizita shtëpiake që ekipet e Qendrës së Mjekësisë Familjare i realizojnë. Ndërkohë, të hospitalizuar të konfirmuar me Covid-19 janë 47 pacientë, të cilët po trajtohen në spitalin e përgjithshëm, 6 prej të cilëve në gjendje më të rëndë”, ka thënë Haziri, pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Ai ka thënë se burimi i infeksionit në Gjilan janë vizitat për ngushëllime dhe ahengjet e vogla familjare, por jo edhe institucionet shkollore e ato publike.
“Po punojmë për një Gjilan pa virus, por deri në ardhjen e vaksinave, duhet të kemi kujdes sipas rekomandimeve të IKShPK-së. Rritja e infeksionit është tregues i qartë që duhet t’i kushtojmë rëndësi masave mbrojtëse, përdorimit të maskës dhe distancës, në mënyrë që ta preventojmë përhapjen”, ka deklaruar Haziri.