Rrugët e rrezikshme të Zvicrës

19 prill 2022 | 15:48

Nga: Daut Dauti

Në filmin ‘Goldfinger’ të James Bondit, rolin e të cilit e luan aktori legjendar Sean Connery, në rrugën e rrezikshme malore, e cila quhet Furka Pass, shihen tri vetura duke e ndjekur njëra tjetrën. Njëra është, natyrisht, Aston Martin e James Bondit, e dyta Ford Mustang të cilën e nget bukuroshja (Bond Girl) Tania Mallet në rolin e Tilly Masterson. Në veturën e tretë, Rolls Royce, janë dy personazhet negative dhe armiqtë e James Bondit. Rruga është e ngushtë me shumë kthesa të pjerrëta dhe me asfalt të dobët. Mbi hotelin ‘Belvedere’ nuk ka fare asfalt.

Nën hotel, kah gjysma e rrugës, shihet Rolls Royce i ndalur dhe dy personazhet blejne pemë të cilat i shesin fëmijët fshatarë zviceranë. Fëmijët kanë një gajbe dhe dy shporta me pemë, por vetëm në gajbe shihen dardhat sarih si dukati. Me këtë pamje të fëmijëve është kompletuar skena idilike rurale zvicerane. Kjo skenë ka për qëllim paraqitjen e rrezikut për James Bondin përmes pamjeve të bukura që i kërkon ky zhanër filmik. Qëllimi tjetër ndoshta është edhe hijeshia që krijojnë tri vetura, ikona të automobilizmit botëror me origjinë britanike dhe amerikane. Ford Mustang është prodhuar atë vit (1964), por për herë të parë shihet në këtë film. Të merremi vesh, përkundër suksesit që do të tregonte Mustang, nuk mund ta matet me Aston Martinin, veturë e cila është e pajisur edhe me navigator. Në atë kohë vetëm kerri i James Bondit ka mund të ketë navigator.

Sidoqoftë, për shkak të filmit vendi është popullarizuar dhe është bërë turistik. Dashamirët e veturave dhe filmit shpesh organizojnë pelegrinazhe për t’i përsëritur skenat e filmit. Madje, vendi ku është incizuar pamja kryesore, është emëruar James Bond str.

Edhepse që moti kam planifikuar t’i bie kësaj ane të Furka Passit, disi, kurrë nuk i ka ardhë reni. Por, unë, më shumë se tri dekada pas James Bondit, e kam kaluar një rrugë tjetër të rrezikshme të Zvicrës, e cila quhet Klausen Pass.

Në Glarus i pyeta disa të familjes për këtë rrugë pasi që dëshiroja të dilja në Altdorf (diku rreth 45 km), e nga aty të vazhdoja për Schwyz ose për Luzern.

‘Është rrugë e keqe’ më thanë edhepse nuk kishin udhëtuar asnjë herë atypari. (Shih fotografinë e tretë).

Disa kilometra kur largoheni nga Glarusi, rruga fillon të ngjitet një kodreje, në anën e majtë të së cilës shihet një lumë i vogël. Sa më lart që ngjiteni, lumi zvogëlohet në përroskë. Drunjë më nuk ka dhe tërë natyra është gjelbërim për kullota ku mund t’i shihni lopët zvicerane me ato kumonat e mëdha në qafë. Pa mbërri në kulmin e kodrave, në shpatije shihen kasolla të drunjta që përngjajnë me stanet tona në Rugovë ose gjetiu. Pastaj, lajmërohet një freski që përcillet me pamjen e borës plloha-plloha edhepse mund të jetë stina e verës së hershme. Pamje e mrekullueshme.

Nga pika më e lartë ku rruga fillon të ngushtohet me rënien pingule, dhe me 136 kthesa deri në Altdorf, pamja bëhet edhe më e bukur. Nga kjo pikë duhet të vozitni vetëm duke frenuar. Diku duhet ndalur dhe skajuar për t’ia lëshuar rrugën atij që është duke u ngjitur nga ana e kundërt. Dhe, kështu, me këmbë duke e shtypur pedalen e frenave, shpesh e ktheja kokën anash që të mos më iknin pa i shijuar sekuencat e pamjes së bukur.

Në një moment, derisa unë vazhdoja t’a shijoja bukurinë e natyrës, papritmas u dëgjua një krismë e hollë dhe mjaft e thekshme nga rrotat e para të veturës. Krisma ishte sikur e ndonjë hekuri apo teli të trashë kur këputet nga tërheqja. Vetura mori hov përkundër faktit që frenat i mbaja nën kontroll. U mor vesh, frenat e lëshuan veturën dhe nuk kishte vend më të keq se ky për të ndodhur kjo gjë. Nga instikti e kam shtypur pedalen edhe më shumë dhe njëkohësisht i kam ngritur frenat e dorës duke e orientuar veturën nga shpati. Vetura doli nga asfalti në një hapësirë që qëlloi me zhavor (sikur me porosi) dhe duke u zhagitur disa metra u ndal kur rrotat e prekën shpatin. Zemra dhe dridhjet e trupit u normalizuan.

Problemi ishte i madh se unë në veturë e kisha gruan dhe tre fëmijët. Ata e diktuan që diçka nuk është në rregull, por nuk e dinin përmasën e rrezikut sikur unë. Iu thashë të dilnin nga aty dhe të hynin në veturën e vëllaut tim që na vinte pas. Pastaj, e thirra shërbimin e ndihmës së automjeteve (AA) në Londër. U dashtë të telefonoja disa herë derisa i ata morën të gjitha informatat që duheshin për ta angazhuar shërbimin e tyre simotër në Zvicër që ata e quajnë Touring. Në atë kohë ka qenë shumë shtrenjtë të flasësh me telefon mobil nga Zvicra në Angli.

Sidoqoftë, ndihma që më premtuan se do të vinte brenda një ore, nuk erdhi as pas tri orëve. Në këtë rast zviceranët nuk dolën të përpiktë, për të cilën gjë janë të njohur. Nga monotonia e pritjes vendosa ta vazhdoj rrugën në atë gjendje pasi që më poshtë, pas disa kilometrave shihej një rrafsh dhe aty një ndërtesë që më dukej si hotel. Dhe, ashtu rashë në rrafsh, sërish me frena të dorës dhe këmbëve. Tashti vetura nuk e kishte peshën e mëparshme e as rrezikun. Por, nga rrotat e para filloi të dilte tym që dendësohej gjithnjë e më shumë. Kur mbërrina para ndërtesës e cila doli të ishte hotel siç e parashihja, mekanizmi i rrotës së djathtë ishte skuqur aq shumë sa që mendova se do të digjej goma e pastaj e tërë vetura. Shpejtova kah hoteli dhe në hyrje doli një grua, kamariere me siguri, duke më shikuar me habi. I kërkova ndonjë kovë me ujë, por ajo nuk kuptonte anglisht. Por, kur e pa tymin e mori vesh porosinë time dhe shpejt shkoi diku, me siguri në kuzhinë, dhe doli me një bidon me ujë të cilin unë me shpejtësi ia hodha rrotës. Siç e mora vesh më vonë, ky ishte një gabim i madh i imi.

Sidoqoftë, rreziku kaloi dhe unë u ula në terrasën e hotelit dhe porosita një kafe derisa të vinte ndihma. Zviceranët i kanë shumë të mira ‘cafe creme’. Nga terasa vështroja se si vapa e asaj dite filloi t’ia lëshonte radhën freskisë së mbrëmjes. Të vështrosh ardhjen e muzgut në pjesët rurale të Zvicrës është përjetim i veçantë. Pamja nga malet është pafundësisht e thellë dhe shoqërohet me zëra të kafshëve dhe zogjve në natyrën e ruajtur nga njeriu.

Kaluan ma shumë se tri orë kur erdhi ndihma teknike. Ishte vetëm një mjeshtër me një veturë të zakonshme e jo me kamion apo kombi, siç pritja unë sikur që është zakon në Angli. Mjeshtri zviceran doli dhe u ndal të vetura ime pasi që e njohu nga regjistrimi i tabelave. U soll nja dy herë rreth veturës dhe i shikoi të katër gomat me radhë. Nuk dinte anglisht dhe filluam të komunikonim me gjermanishten time të varfër. E kuptova kur më tha se disku i frenave të rrotës së parë të djathtë ishte këputur.

‘Ani, a do me ndreqë?’ i thashë.

‘Jo, se nuk kam mjete’ më tha.

‘Pra, a pe qon dikund ku munden me ndreqë?’ i thashë.

Përsëri tha ‘Jo’ se nuk ishte i përgatitur për këtë punë.

‘E pse ke ardhë, pra?’ ishte pyetja ime e domosdoshme.

Zvicerani u nervozua pak nga pyetja ime dhe me shpejtësi më tha që tjetër herë, nëse më përsëritet ky rast, të mos i hudhja ujë rrotës. Pastaj, ma spjegoi pse ishte këputur disku. Hyri në veturë dhe e preku ndërruesin e shpejtësive që ishte automatik. E kapi ndërruesin dhe duke ma krijuar pjerrtësinë e rrugës me dorë, më tha:’No D. Nur D1’.

Mjeshtri zviceran nuk ofroi asnjë ndihmë për veturën, por më mësoi se kur pjerrtësia është në rënie të madhe, shpejtësia e automatikut duhet të jetë D1 kurse D është vetëm për rrafsh. Dhe, natyrisht të mos i hidhja ujë diskut edhe nëse është skuqur. Pasi u largua, u kthye sërish që të më tregonte me dorë se ku gjendej një automekanik. Nejse, ndihmë ishte edhe kjo.

‘Danke, danke’ i thashë.

‘Welcome, welcome’ ma ktheu.

Si përfundim, mua më është dashur të shkoj në Zvicër që të mësoj se si duhet me i grahë kerrit automatik kur rruga është shumë teposhtë.

Edhe rrugën ‘Furka Pass’ do ta kalojë një ditë. Nuk është e domosdoshme që kjo të bëhet me Aston Martin, Ford Mustang dhe Rolls Royce, sikur në filmat e James Bondit. Edhe me BMW apo Mercedes nuk është keq.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja U16 e Kosovës në hendboll (vajzat) i ka luajtur…