Rrugëtimi epik për liri

29 nëntor 2020 | 12:52

– Me rastin e 28 Nëntorit!

Shkruan: Gjergj Dedaj, ambasador i Republiksë së Kosovës në Maqedoninë e Veriut

Nuk pyetem a është dimër apo acar, a ka forca serbe të armatosur deri në dhëmbë, nuk pyeti kurë Kosova a do jetojmë apo do të vritemi, sepse kishim një ideal, një betim dhe një mision, për ta çliruar Kosovën nga sundimi i egër dhe diktatorial i Serbisë!
Çdo mëngjes i yni ishte një dhuratë për t’u përshëndetur në heshtje me fëmijët tanë, me mendje se nuk do t’i shohim më kurrë.
Secilin nga ne e priste arrestimi, dhuna serbe dhe vrasja, por neve nuk na bënin përshtypje sepse ishim të vendosur në rrugën tonë.
Donim që edhe Kosova ta kishte 28 Nëntorin e saj.
Asnjëherë nuk prita të më thërret Kosova, para, gjatë dhe pas lufte, isha në të gjitha betejat e saj për liri dhe pavarësi.
Isha në krye të demonstratave gjithëpopullore kundër sundimit serb me 1998, në krye të Kuvendit të Kosovës gjatë luftës, në krye të shumë rreziqeve për jetë a vdekje.
Por isha edhe në krye të diplomacisë së para luftës, me status më të avancuar të një politikani në Ballkan, ngase isha zgjedhur zëvendëspresident i Internacionales Liberale me seli në Londër, që përfshinte mbi njëqind parti politike të botës.
Isha përpilues i dhjetëra rezolutave në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, kur gjithë të tjerët nuk e kishin bërë asnjë.
U prita në Kongresin dhe Departamentin e ShBA-së në Uashington, në OKB, në Nju Jork, në Këshillin e Evropës, në Parlamentin dhe Komisionin Evropian, në selinë e NATO-s, në Bruksel, në Parlamentin Britanik, në Bundestagun Gjerman, në Dhomën e Lordëve në Londër, në parlamentet dhe ministritë e jashtme të Austrisë, Italisë, Francës, Suedisë, Danimarkës, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Irlandës, Bullgarisë, Spanjës, Sllovenisë, Kroacisë, Andorës, si dhe të gjitha vendeve të Evropës dhe botës.
Takova qindra burrështetas në qendrat ndërkombëtare të botës, për t’i lutur të mbështesin lirie dhe pavarësinë e Kosovës.
Organizova dy Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, njërën në Bruksel dhe tjetrën në Strasburg.
Anëtarësova një subjekt kosovar, me të drejta të plota, në familjen liberal demokratike të Evropës me seli në Bruksel dhe në atë të botës, në Internacionalen Liberale me seli në Londër, para luftës, kur Kosova nuk njihej nga askush, atë e bëra subjekt ndërkombëtar, me të drejtë vote.
Isha i nderuar të marrë pjesë me delegacionin e Rambujesë, me rastin e nënshkrimit historik në Paris, që i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s dhe shporrjes së forcave kriminale serbe nga Kosova.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, vizitova fshatin tim të lindjes në Gjakovë, të djegur nga forcat serbe, ku kishin vrarë mizorisht edhe 25 djem e burra të fshatit e 12 të familjes sime të ngushtë, për t’u marrë pastaj me gjetjen e trupave dhe rivarrimet e mbetjeve mortore të këtyre heronjve dhe martirëve të lirisë.
Përjetuam çdo gjë, i thoshim vdekjes çdo ditë mirëmëngjesi dhe çdo mbrëmje natën e mirë.
Prapë, nuk u ndalem dhe do të vazhdojmë, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, paqen, lirinë, demokracinë dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës legjendare.
Në disa nga betejat isha në ballë të tyre, jo pse ishim trima, por ishim të përkushtuar dhe të vendosur, qe edhe jetën t’ia dhurojmë, si një tufe lule, lirisë së Kosovës!
Edhe kur na arrestonin forcat serbe, edhe kur na fyenin e na kërcënonin, ne vazhdonim në gjakim të lirisë!
Edhe tash vazhdojmë betejën tonë, kur disa “gazetarë e analistë”, të lindur pas lufte, apo në ndonjërin prej kampeve të refugjatëve në ekzil, apo fëmijë të ish-pushtetarëve të diktaturës, e kam fjalën vetëm për ata të cilët shkojnë nëpër studiot televizive me xhipa të shtrenjtë e flokët e lyer me gel, nuk pushojnë të na kafshojnë si hijenat dhe të bëjnë baltosjen tonë skizoide, të mjerë dhe dinakë!
Para syve me dalin bizonët e vrarë nga luajte, e pasi luajte të ngopën, mbetjet i hane hijenat tinzare, me dhembët plotë gjak.
Por ne prapë vazhdojmë betejat e pareshtura, deri në ditën e fundit të jetës sonë, sepse ne këtë e kemi amanet, mision dhe betim, për Kosovën tonë kreshnike dhe martire!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 150 persona u arrestuan gjatë demonstratave të mbajtura…