Rrugëtimi i një brezi drejt lirisë
Shkruan: Lulzim Sahiti
Jehona e pushkëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nisi të kumbojë fuqishëm në Drenicë, Llap e Dukagjin, ishte zëri i shumëpritur i lirisë për shqiptarët kudo që ndodheshin. Ky zë nuk u dëgjua vetëm në malet dhe fshatrat e Kosovës, por depërtoi thellë në zemrat e shqiptarëve në mërgim, të cilët prej vitesh e kishin pritur me padurim momentin kur do t’i dilnin zot atdheut. Ishte thirrja e ndërgjegjes kombëtare, një thirrje që nuk mund të shpërfillej: “Atdheu në rrezik – Vendlindja thërret.”
Kësaj thirrjeje iu përgjigjën me qindra të rinj e të reja shqiptare, duke u rreshtuar vullnetarisht në radhët e UÇK-së, por edhe duke e mbështetur luftën çlirimtare financiarisht përmes Fondit “Vendlindja Thërret” dhe fondeve të tjera atdhetare. Nuk mbeti anë shqiptare pa dhënë kontributin e saj, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e vise të tjera etnike shqiptare, e deri te mërgata e largët në Evropë, ShBA dhe më gjerë.
Në këtë radhë nderi u rreshtuan edhe shumë bashkatdhetarë nga komuna e Shtimes, të cilët, si gjithmonë në momentet vendimtare të historisë, dëshmuan se sakrifica për liri nuk njeh kufij. Njëri prej tyre ishte edhe 28-vjeçari nga fshati Reçak, Isak Musliu, i cili jetonte dhe punonte përkohësisht në qytetin Neustadt të Republikës së Bavarisë, në Gjermani. Edhe pse Perëndimi i kishte ofruar kushte më të mira jetese dhe siguri materiale, për Isakun ato nuk kishin asnjë peshë përballë thirrjes së vendlindjes. Ai e kuptoi se kishte ardhur koha për t’i dalë zot tokës ku ishte lindur dhe rritur, tokës së njomur me gjakun dhe mundin e brezave të tërë.
Me këtë bindje të thellë, Isaku mori vendimin e madh: të linte gjithçka pas dhe të kthehej në Kosovë, aty ku historia po shkruhej me pushkë e sakrificë. Gjatë qëndrimit në Gjermani, ai ishte njohur me veprimtarin e çështjes kombëtare Ramiz Qeriqin nga Krojmiri i Lipjanit, i cili kishte vepruar ilegalisht në Kosovë për vite me radhë. Pikërisht përmes Ramizit, Isaku, në nëntor të vitit 1996, ra në kontakt me veprimtarë të tjerë të UÇK-së nga Drenica, si Abedin Rexha, Ilaz Kodra, vëllezërit Fehmi e Ramiz Lladrovci, më pas me Qerim Kelmendin nga Llabjani i Pejës dhe shumë luftëtarë të tjerë të përkushtuar ndaj idealit të lirisë. Rrjeti i atdhetarëve po zgjerohej, besimi po forcohej dhe vendimi për t’u kthyer në atdhe po bëhej i pakthyeshëm.
Kah mesi i muajit mars të vitit 1998, Ramiz Qeriqi, Isak Musliu dhe Halil Olluri nga Gjermania, Afet Bilalli nga Zvicra, Shefket Muhadini nga Holanda dhe bashkëveprimtarë të tjerë vendosën që rrugën drejt Kosovës ta merrnin përmes Republikës së Shqipërisë. Ishte një rrugë e vështirë, e mbushur me rreziqe, por edhe me shpresë të madhe. Në Tiranë, grupin e priti komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, i njohur si “Daja i madh” dhe ky takim rezultoi i rëndësishëm për koordinimin e veprimeve të mëtejshme. Në këtë rast, Azem Syla i dorëzoi Ramiz Qeriqit një letër për t’ia dërguar shefit të Drejtorisë Operative të UÇK-së, Rexhep Selimit në Kosovë. Përmbajtja e letrës mbeti e panjohur për anëtarët e grupit, por të gjithë ishin të vetëdijshëm se ajo mbante peshën e një misioni të rëndësishëm për luftën çlirimtare.
Me organizim të Azem Sylës, nga Tirana deri në Krumë, grupi u shoqërua nga ai dhe djali i axhës së tij, Hysni Syla, i njohur si “Daja i vogël”. Në Krumë vendosen në shtëpinë e Qen Qenajt. Këtij grupi iu bashkua edhe Naser Krasniqi – “Bashkim Fino” nga Banja e Malishevës, Gani Imeri nga Dumnica e Vushtrrisë, Muhameti Istrefi nga rrethi i Klinës dhe Sabir Hoxha nga Dushkaja e Gjakovës.Atje nga fshati Vlahën dy herë u përpoqën të kalonin kufirin përmes bjeshkëve të Pashtrikut, por për shkak të terrenit të vështirë dhe rrezikut të madh, përpjekjet e para nuk patën sukses. Megjithatë, vendosmëria e tyre nuk u thye. Herën e tretë, nën shoqërimin e vëzhguesve të UÇK-së: Qen Qenaj, Haki Drenica, Luan Cahani dhe një person tjetër janë përcjellur deri te vendi i quajtur “Stanet” në Pashtrik, në zonën neutrale ndërmjet kufirit shtetëror të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Mandej, vazhdojnë rrugëtimin vet dhe pas shumë peripecive, ata arritën të thyejnë kufirin e hekurt, një kufi që për dekada kishte ndarë padrejtësisht shqiptarët, por që tashmë po kalohej nga bijtë e tij me armë në dorë dhe idealin e lirisë në zemër. Udhëheqës i grupit ka qenë Ramiz Qeriqi, kurse zëvendës i tij, Isak Musliu.
Gjatë rrugëtimit, grupi arriti deri në malin mbi fshatin Kojushë të Hasit, ku u pritën nga Hoxha i Açarevës së Drenicës. Në fshatin Gjonaj të Hasit, pak pa mbërritur te ura mbi lumin Drini i Bardhë, gjatë rrugës së vështirë, Afet Bilalli u lëndua në këmbë. Që nga ajo ditë, mes shokëve të luftës, atij iu vu nofka “Qopa”, ndërsa më herët kishte pasur pseudonimin “Kastrioti”, një emër që simbolizonte vazhdimësinë e qëndresës shqiptare ndër shekuj. Edhe ky lëndim nuk e ndali rrugëtimin. Me dhimbje, por me zemër të fortë, grupi vazhdoi udhën në këmbë deri në Landovicë, ku kalojnë post-bllokun e policisë serbe. Mandej, hipin në një kamionetë me çadër dhe vazhdojnë rrugën nëpër zonën e kontrolluar nga forcat armike deri në fshatin Drenoc të Rahovecit.
Më pas, nga Drenoci, përcjellësit i dërguan në shtëpinë e Xhavit Ferizit – “Raketa”, ku ishte i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në Likovc të Skenderajt, zemra e rezistencës së armatosur dhe simbol i krenarisë kombëtare. Aty i priti, Rexhep Selimi, i njohur si “Dhjetëshi” dhe në Likovc qëndruan rreth dy javë. Më pas, Isak Musliu dhe Ramiz Qeriqi, në Likovc takohen rastësisht me Fatmir Limajn me të cilin, shkuan në Kleçkë, në shtëpinë e Hafir Shalës, ku takuan Ismet Jasharin, Sadik Shalën dhe Haxhi Shalën. Ndërkohë, Shefket Muhadini, Afet Bilalli dhe shokë të tjerë mbetën në Likovc për të vazhduar veprimtarinë nëpër Drenicë.
Të nesërmen, nga Kleçka, Ramiz Qeriqi bashkë me Isak Musliun shkuan në fshatin Ngucat, te dhëndri i tij, Ferat Shala. Prej andej vazhduan për në Krojmir, te familja e tij, ku qëndruan ilegalisht.
Aty, pas disa vitesh mërgimi, Ramizi u përball me nënën e tij, Hatixhen. Sytë iu mbushën me lot sapo e pa, ajo i preku fytyrën me duar që i dridheshin, si për t’u bindur se ishte vërtet djali i saj. Nuk folën shumë; malli i grumbulluar prej vitesh foli vetë në heshtjen e përqafimit të tyre. Afër qëndronin edhe dy vëllezërit, Isa dhe Idriz Qeriqi, me zemrat që u rrihnin fort nga gëzimi i kthimit të tij…

P.S. Fotografi e realizuar në muajin mars të vitit 1998, në shtëpinë e Qen Qenajt në Krumë të Shqipërisë. Ulur nga e majta në të djathtë: Ramiz Qeriqi, Isak Musliu dhe Shefket Muhadini, ndërsa në këmbë: Afet Bilalli, Muhamet Istrefi me mortajë të dorës, Hysni Syla, Azem Syla, Halil Olluri, Sabir Hoxha dhe Vesel Selimi, xhaxhai i Rexhep Selimit.



