
Rrustem Mustafa: Konfrontimi i mentalitetit të së kaluarës me realitetin që jetojmë sot
Konfrontimi i së mirës me të keqen.
Kosova ende nuk e ka ndërtuar elitën politike të mendësisë së lirë. UÇK-ja nuk bëri vetëm luftë për çlirim – ajo largoi përfundimisht mendësinë e robit dhe sistemet politike që na kishin mbajtur të shtypur. Ajo solli frymën e dinjitetit dhe të vullnetit të lirë.
Por në rrugën tonë për shtet ndërtim, ende përballemi me individë e struktura që ishin dhe mbeten të lidhur me të kaluarën. Ata mbartin zakonet e një kohe të keqe, e vazhdojnë të krijojnë pengesa për zhvillimin tonë. Mentaliteti i vjetër politik dhe social që formësoi breza të tërë në nënshtrim, e ka të vështirë të pranojë ndryshimet që solli UÇK-ja dhe liria jonë. Ata e shohin të mirën si kërcënim për privilegjet që kishin në sistemet e së keqes.
Ne, si bashkësi politike e frymëzuar nga vlerat e luftës dhe aleancës me SHBA-në, kemi ndërtuar modelin e suksesit. Por ky model është sulmuar pandërprerë në këto 20 vite nga të njëjtat mendësi që u mundën në luftë, por kurrë nuk u larguan nga skena. Sot, detyra e përbashkët është ta mbrojmë modelin e së mirës – dhe të përballemi me guxim me çdo formë të së keqes që rishfaqet me maska të reja.
Aleatët tanë, me në krye SHBA-në, duhet të ndihmojnë në ndarjen e qartë: kush është në krah të së mirës dhe kush punon për interesa të errëta, shpesh nën petkun e institucioneve apo diplomacisë. Ata duhet të ndalojnë veprimet e tyre kundër modelit të mirë – pa marrë parasysh përfitimet, financimet apo detyrimet që mund të kenë pasur nga struktura armiqësore, sidomos ato që janë pozicionuar kundër Pavarësisë së Kosovës.
Tani është koha për ndarje të qartë. Për rreshtim me të mirën.