RTK-ja pa paga të plota, sindikatat paralajmërojnë protesta nga e hëna nëse s’ka zgjidhje
Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar të martën para objektit të RTK-së, si reagim ndaj mosalokimit të plotë të pagave për punëtorët e RTK-së, raporton Ekonomia Online.
Kërkesa kryesore e protestës ishte ekzekutimi i menjëhershëm i pjesës së mbetur të pagave dhe respektimi i të drejtave themelore të të punësuarve.
Përfaqësuesi i sindikatave, Veton Rugova, tha se protesta është organizuar për mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve të RTK-së.
“Sot tri sindikatat e RTK-së janë bashkë për të protestuar për mospagesën e plotë të pagës nga RTK-ja. Kjo nuk është çështje e një grupi. Kjo është çështje e çdo punëtori që me mund dhe përkushtim ka dhënë kontributin e tij për këtë institucion. Ne sot jemi mbledhur këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë si punëtorë. Për muaj e vite me radhë, punëtorët e RTK-së kanë qenë në krye të detyrës. Kemi raportuar në ditë të vështira. Kemi informuar opinionin në kohë krizash, zgjedhjesh, fatkeqësish dhe ngjarjesh të rëndësishme për vendin. Kemi mbajtur gjallë transmetuesin publik me profesionalizëm dhe përkushtim. Sot, pikërisht ata njerëz që kanë mbajtur RTK-në në këmbë, po përballen me pasiguri për pagat e tyre. Kjo është e padrejtë dhe e papranueshme”, tha ai.
Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave dhe veprimeve sindikale nëse deri të premten nuk ka reagim konkret nga menaxhmenti dhe bordi i RTK-së. “Nëse deri të premten nuk ka veprime konkrete nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, atëherë nga e hëna do të vazhdojmë me protesta dhe veprime të tjera sindikale”, tha Rugova.



