Rubin: Thaçi kishte prioritet mbështetjen amerikane, i hetuam akuzat ndaj tij, asnjë nga ato marri s’ishte e vërtetë

15 shtator 2025 | 13:26

James Rubin, ish-ndihmëssekretar i  Amerikan i Shtetit dhe ish-zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se për ShBA-në, Kosova ka qenë çështje primare gjatë luftës dhe se marrëdhëniet me Thaçin ishin të veçanta dhe të jashtëzakonshme.

Rubin ka folur për takimin me Thaçin. Ai ka thënë se e kishte krijuar përshtypjen se ish-udhëheqësi i delegacionit shqiptar në Rambuje e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe si pasqyrim të asaj që ai e konsideronte si shtet i fortë dhe i besueshëm.

“Sipas meje, prioriteti i tij më i madh ishte të kishte mbështetjen e udhëheqjes amerikane”, ka thënë Rubin gjatë dëshmisë së tij.

Më tutje, Thaçi, ka thënë Rubin, nuk kishte ndonjë sjellje apo qasje që do ta rrezikonte mbështetjen amerikane për Kosovën.

“Jo. Thaçi gjithmonë dëshironte të sigurohej që Amerika do të qëndronte në krah të tij dhe të Kosovës”, ka thënë Rubin.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, ka thënë se ShBA-ja ka bërë përpjekje shumë të mëdha dhe të thella për të vërtetuar akuzat anonime ndaj Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së për krime.

Lidhur me artikullin e një gazetari të “New York Times”, Rubin ka thënë se “ishte i keqinformuar nga burime serbe”.

“Ne kemi konstatuar në mënyrë të përsëriste thashetheme pa prova, por pasi punonte për ‘New York Times’, ne duhej të bënim hetime të thella për to, pasi ajo ishte gazetë shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.

Rubin ka thënë se gazetari bënte pretendime që inteligjenca amerikane dhe ekspertët e jashtëm nuk mund t’i konfirmonin.

“Unë u kërkoja komunitetit, agjencive të inteligjencës, ekspertëve të jashtëm, zyrtarëve ushtarakë, të gjithë njerëzve pra që mund të më jepnin informacione lidhur me veprime kriminale apo gjëra të tilla, pyesja ekspertët për krime ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur, dhe nuk kemi marrë asnjë konfirmim të këtyre komenteve shpifëse”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në Departamentin Amerikan të Shtetit “ka qenë një zyrë që merrej apostafat me krimet e luftës”.

Disa pretendime, Rubin ka thënë se i ka hetuar edhe personalisht.

“Asnjë prej akuzave lidhur me rolin e tij dhe udhëheqësit e UÇK-së, apo akuza të tjera të marra, asgjë s’ishte e vërtetë”, ka thënë ai.

Rubini ka thënë se ShBA-ja kishte ndihmuar shqiptarët e Kosovës dhe ata dhe udhëheqësit e UÇK-së ishin “shumë mirënjohës”.

“Unë e di që ne kishim shumë influencë ndaj tyre”, ka thënë ai.

Akuzat ndaj Thaçit dhe udhëheqësisë së UÇK-së, Rubin ka thënë se ishin “të rreme, të fabrikuara” dhe se ato “synonin të ndikonin në mbështetjen tonë dhe ta cenonin marrëdhënien tonë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afaristi dhe ish-kandidati për deputet, Shahin Dervishaj, është parë sot…