Rukiqi: Deputetë e zyrtarë qeveritarë po kërcënojnë bizneset private, njëjtë si në sistemet diktatoriale

05 gusht 2023 | 10:53

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, aktualisht anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, duke kritikuar politikat ekonomike të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, ka thënë se deputetë të shumicës dhe zyrtarë qeveritar po linçojnë dhe kërcënojnë biznese private, dhe sipas tij një gjë e tillë është parë vetëm në vende të cilat funksionojnë me sistemin diktatorial.

“Jo ndërhyrje, por ka kërcënime dhe linçime. Shikoni statuset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kompanive private, janë thirrje për linçim, janë edhe thirrje për mbyllje të bizneseve, e etiketime si piramida mafioze”.

“Kjo është gjuhë e cila është parë vetëm në vendet të cilat kanë një sistem diktatorial dhe ne e dimë se si kanë përfunduar ato vende, ne e dimë se si ka përfunduar ekonomia e tyre, ne e dimë se si kanë përfunduar qytetarët e atyre vendeve, të cilëve një mundësi më e vogël që ju është dhënë kanë lënë vendin dhe kanë ikur. Nëse nuk kemi edhe këtu ndryshime, nëse nuk i ndërpritet rruga e pa krye e kësaj qeverie, edhe ne do t’i kemi këto pasoja”, tha Rukiqi për “EkonomiaOnline”.

Ndërkaq, ai u shpreh i shqetësuar edhe për mungesën e investimeve të huaja, dhe për këtë akuzoi qeverinë, pasi që sipas tij ekzekutivi kosovar me veprimet e tij, “duke shkaktuar kriza” po ndikon që Kosova të mos jetë atraktive për investitorët e jashtëm.

“Që një vit kryeministri ka folur për luftë, pastaj ka shkuar në Amerikë ka bërë thirre për investime, pastaj ka thënë që ne jemi vendi me demokratik. Paralel me këtë ka bërë politika që pastaj sot kanë reflektuar në mënyrën e mediumeve, apo në tendencën për mbylljen e mediumeve. Pastaj kriza pas krize. Nëse i sulmon bizneset këtu që janë, çfarë mesazhi dërgon tek investitorët e huaj?”.

Sipas Rukiqit, imazhi Kosovës në botë momentalisht, paraqitet si një vend me rrezikshmëri të lartë politike,  “shto këtu edhe këtë që disa po shohin mundësi edhe të ndonjë konflikti”.

“Realisht këto janë probleme serioze, qeveria ka thënë që me shkop magjik do ta sjellë sundimin e ligjit, do ta luftojë korrupsionin, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit e thotë të kundërtën, ku ndër të tjera thotë se edhe në këtë pikë kemi dështuar. Ka shumë faktorë derteminues që kjo qeveri ka dështuar, dhe kjo ka ndikuar edhe në atë që në të mos jemi fare atraktiv për investime të huaja”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Meçi i shumëpritur i boksit mes boksierit të suksesshëm shqiptar…