Rusia e përdor UNMIK-un për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin

07 janar 2022 | 09:09

Rusia po e përdor Misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për t’i strehuar agjentët e saj në mënyrë që ta destabilizojë vendin dhe rajonin, është shprehur këshilltarja politike e Presidencës së Kosovës, Donjeta Miftari.

Miftari me anë të një shkrimi në Twitter ka theksuar se është pradokasale që Rusia të akuzoj Kosovën për rëndim të marrëdhënieve ndëretnike.

“Rusia po përdor UNMIK-un si një strehë të sigurt për agjentët e saj që përpiqen në mënyrë aktive të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, ka theksuar Miftari.

Sipas saj, Kosova është ajo që dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon.

“Është çmendurisht paradoksale që Rusia mund të akuzojë këdo, e lëre më Kosovën, për ‘rëndim të marrëdhënieve ndëretnike’. Kosova dëshiron paqe dhe stabilitet, kjo është e gjitha”, ka përfunduar ajo.

Ditë më parë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte bërë të ditur se ka nxjerrë vendimin për shpalljen persona non-grata të zyrtarit rus të UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov me arsyetimin se ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës.

Siç merr vesh RTK nga burime brenda organizatave nderkombëtare në Kosovë, Antonov në kohën kur është shpallur non grata gjendej në pushim vjetor dhe nuk gjendej në vendin tonë.

Pavarësisht që Rusia e kundërshron vendimin, Antonov do ta zbatojë atë, duke mos provuar që të kthehet më në Kosovë.

Antonov ka qenë i angazhuar në zmadhimin e elementit pro-rus në bllokadat që ishin bërë në veri të Kosovës në shtator të 2021-së, kur serbët po kundërshtonin masat për reciprocitet me targa.

Zyrtari rus për herë të parë në Kosovë kishte ardhur në vitin 2001, si pjesë e misionit me policisë ruse, i cili kishte qëndruar vetëm rreth një vit. Më pas, ai ishte kthyer në vitin 2005 deri në vitin 2008, për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2011 për të jetuar në vendin tonë më bashkëshorten e tij Natasha, pasi kishte blerë shtëpi në Graçanicë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skeptikja më e madhe për heqjen e vizave për Kosovën…