Rusia paralajmëron Suedinë dhe Finlandën kundër anëtarësimit në NATO

11 prill 16:02

Rusia ka paralajmëruar Finlandën dhe Suedinë kundër anëtarësimit në NATO, duke thënë se ky hap nuk do të sjellë stabilitet në Evropë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve më 11 prill se “aleanca mbetet mjet i orientuar drejt konfrontimit”.

Kjo deklaratë vjen pasi zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë se pushtimi rus i Ukrainës ka qenë “gabim i madh strategjik”, i cili pritet të ndikojë në zgjerim të NATO-s.

Zyrtarët amerikanë presin që fqinjët nordikë të kërkojnë anëtarësim në aleancë, potencialisht deri në muajin qershor të këtij viti.

Uashingtoni besohet se mbështet këtë hap, çka do të ndikonte që aleanca e Perëndimit të rritej në 32 vende anëtare.

Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë javën e kaluar se ka diskutime mes liderëve të NATO-s dhe ministrave të Jashtëm nga Helsinki dhe Stokholmi. Para nisjes së pushtimit të Ukrainës, Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos zgjerohet më, mirëpo lufta ka bërë që më shumë trupa të aleancës të angazhohen në krahun lindor.

Ndërkohë është rritur mbështetja publike për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në këtë institucion.

Finlanda ndan një kufi 1,340 kilometra të gjatë me Rusinë. Peskov ka thënë se NATO-ja “nuk është ai lloj i aleancës që siguron paqe dhe stabilitet, dhe zgjerimi i saj më i mëtejmë nuk do të sjellë siguri shtesë në kuantitetin evropian”. Ai ka thënë javën e kaluar se Rusia duhet të “ribalancojë situatën” përmes masave të saj, nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja U16 e Kosovës në hendboll (vajzat), grumbullohet të martën…