Rusia përmes Serbisë dhe Republikës Srpska po ushqen destabilitetin në Ballkan

18 shtator 2025 | 08:21

Rusia nuk ka interes të vërtetë për serbët në Serbi apo në Republikën Srpska, por i përdor ata si instrument për të realizuar interesat e veta strategjike në Ballkanin Perëndimor, kryesisht për të dëshmuar forcën e saj dhe për të bllokuar integrimin euroatlantik të rajonit. Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe ushtarakë nga rajoni, të cilët theksojnë se qëllimi i Moskës nuk është stabiliteti, por përkundrazi, nxitja e krizave dhe tensioneve.

Ish-ambasadori i Kroacisë në Rusi dhe analist i politikës së jashtme, Bozho Kovaceviq, theksoi se “Rusia nuk shqetësohet për serbët në RS apo në Serbi – ata janë vetëm mjete për të realizuar interesat e saj gjeopolitike”. Sipas tij, Federata Ruse synon të tregojë se mund të ndikojë në vendet e Ballkanit dhe të pengojë afrimin e tyre me BE-në dhe NATO-n.

“Moska dëshiron të destabilizojë Bosnjë e Hercegovinën sepse në një ambient të qëndrueshëm nuk mund të realizojë interesat e saj”, deklaroi Kovaceviq për agjencinë FENA.

Kurse analisti ushtarako-politik, Djuro Kozar, vlerëson se Rusia po luan një lojë të dyfishtë në Bosnjë dhe Hercegovinë – në njërën anë, thotë se mbështet integritetin e vendit, ndërsa në anën tjetër, përkrah hapur tendencat separatiste të Republikës Srpska.

“Moskës i intereson një Bosnje e paqëndrueshme, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kontrollojë RS-në, ta shndërrojë atë në një zonë ndikimi ku udhëheqësit lokalë i binden verbërisht”, tha Kozar. Ai përmendi raste konkrete të pranisë së agjentëve rusë dhe individëve të dyshimtë në RS, përfshirë oficerë të inteligjencës që janë dëbuar ose kërkuar nga Interpoli.

E Dragan Shormaz, themelues i Këshillit Euroatlantik të Serbisë, thekson se Rusia përdor Serbinë si një “mbajtëse aeroplanmbajtëse” për të shtrirë ndikimin e saj në rajon – por gjithmonë për interesat e veta.

“Serbia nuk po çlirohet nga përqafimi rus sepse elitat politike përfitojnë nga ky raport përmes frikës, gënjeshtrave dhe korrupsionit. Kjo po përhapet edhe në Malin e Zi dhe Banjallukë përmes konceptit të ‘botës serbe’”, deklaron Shormaz. Ai shton se Rusia nuk dëshiron as NATO-n dhe as BE-në në rajon, duke përdorur pengesa si “çështja bullgare” për të bllokuar integrimin e vendeve si Maqedonia e Veriut.

“Rusia po ndjek një strategji të qartë destabilizuese. Vuçiq është vetëm një element i kësaj strategjie, dhe ndryshimi i tij nuk mjafton – duhet ndryshim i plotë i kursit politik, në të cilin ndihmë mund të japë Bashkimi Evropian”, përfundon Shormaz. /Oslobodjenje

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Paul Williams,…