Sahiti: Vëllaznimi shumë shpejt do të dalë nga kjo krizë

26 shtator 2019 | 18:19

Futbollisti Samir Sahiti është rikthyer në KF Vëllaznimi pasi i ka kaluar dënimi për moslejim të paraqitjeve në ndeshje zyrtare nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ai ka shprehur optimizëm se skuadra kuqezi do të dalë nga kjo krizë. 

KF Vëllaznimi është duke kaluar nëpër një periudhë jashtëzakonisht të vështirë pasi, përveç mungesës së rezultateve pozitive, ka edhe probleme financiare. Kjo nuk e ka penguar futbollistin Samir Sahiti të rikthehet në këtë klub. Ai ka thënë për “Epokën e re” se është rikthyer për ta ndihmuar klubin kuqezi për të dalë nga kjo situatë. “Të gjithë janë të njoftuar me situatën nëpër të cilën po kalon Vëllaznimi. Unë kam pasur një dënim nga Federata e Futbollit nga ndeshja e barazhit dhe ky dënim më ka kaluar dhe kam vendosur të rikthehem për t’i ndihmuar Vëllaznimit për ta kaluar sa më shpejt këtë krizë. Nganjëherë edhe ne si futbollistë duhet që t’i qesim në plan të dytë kushtet financiare”, ka thënë Sahiti.

Ish-futbollisti i disa skuadrave në Kosovë dhe jashtë saj ka thënë se skuadra gjakovare ka traditë të madhe në futbollin e Kosovës dhe shumë shpejt do t’iu rikthehet rezultateve pozitive. “Vëllaznimi është një klub me traditë të madhe dhe shumë shpejt do ta gjejë rrugën për të dalë nga kjo krizë. Klubi e as qyteti i Gjakovës nuk e meritojnë këtë gjendje”, ka shtuar ai. “Momentalisht nuk jam në gjendjen më të mirë fizike, sepse më duhet të përgatitem edhe pak që të jam në formën maksimale dhe me pas synojë të jap kontributin tim për klubin e Vëllaznimit”, ka deklaruar Sahiti, i cili me skuadrën e Ligës së Parë ka kontratë deri në janar të vitit 2020. Skuadra e Vëllaznimit ndeshjen e fundit e humbi në derbin e Rrafshit të Dukagjinit kundër Besës së Pejës (2-0), kurse në përgjithësi nga pesë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar tri barazime dhe dy humbje, duke u renditur në pozitën e parafundit me tri pikë. Ndeshjen e radhës kjo skuadër e zhvillon të dielën nga ora 15:00 ndaj Malishevës në Gjakovë.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Ferat…