Sahiti: Vëllaznimi synon Superligën dhe Kupën

15 mars 2019 | 17:53

KF Vëllaznimi është duke treguar një sezon të mirë në Ligën e Parë, kurse Samir Sahiti ka bërë me dije se kuqezinjtë synojnë inkuadrimin në Superligë dhe triumfin në garën e Kupës.

Futbollisti Samir Sahiti për “Epokën e re” ka thënë se synim i Vëllaznimit është inkuadrimi në Superligë pa pasur nevojë t’i luajë ndeshjet e barazhit. Aktualisht skuadra kuqezi pozicionohet në vendin e pestë në Ligën e Parë dhe ka tetë pikë më pak se skuadra lidere, Vushtrria. “Kemi shumë besim se do të inkuadrohemi drejtpërdrejt në Superligë, por edhe nëse do të mbetemi në barazh nuk është tragjike ngaqë e dimë forcën tonë dhe besojmë se prapë do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Sahiti.

Synimet e Vëllaznimit të Gjakovës nuk janë të mëdha vetëm në kampionat, por edhe në Kupën e Kosovës ku janë kualifikuar deri në gjysmëfinale. Sahiti ka thënë se fillimisht synohet triumfi ndaj Trepçës ’89 dhe kualifikimi në finale e më pas edhe luftimi për trofeun që e dërgon skuadrën fituese në garat e Ligës së Evropës. “Në gjysmëfinale të Kupës përballemi me skuadrën e Trepçës ’89 dhe këtë skuadër e respektojmë shumë, por Vëllaznimi nuk ka frikë dhe hyjmë në çdo ndeshje për fitore. Synimet i kemi të mëdha si në kampionat, po ashtu edhe në Kupë. Fillimisht synojmë finalen, pastaj të shpallemi edhe fitues. Do të ishte diçka e bukur për tifozët kuqezi dhe qytetin e Gjakovës të ktheheshim në Superligë dhe ta fitonim Kupën”, ka shtuar Sahiti, raporton “Epoka e re”.

Në ndeshjen e fundit në Ligën e Parë, Vëllaznimi triumfoi ndaj Dukagjinit të Klinës (1-0), kurse ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Ramiz Sadikut. Synimi edhe në këtë ndeshje për djelmoshat që drejtohen nga Ismet Munishi janë pikët maksimale. “Në ndeshjen ndaj Ramiz Sadikut, si në çdo ndeshje tjetër, do të hyjmë për fitore ngaqë çdo trepikësh ka rëndësinë e njëjtë si ndaj Dukagjinit apo edhe ndaj Ramiz Sadikut”. KF Vëllanzimi në nëntëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Parë ka regjistruar njëmbëdhjetë fitore, katër barazime dhe katër humbje.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm para pak javësh, Amal dhe George Clooney dukej se…