Sakrifica deri në flijim e Mervete Maksutaj për shokët e luftës

04 dhjetor 2021 | 15:24

Ajo mori pjesë në aksione sulmi mbi policinë serbe në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit. si në Broliq, Çallapek, Bellacerkë, Jabllanicë e Gjakovës e të tjera. Në sulmin e organizuar mbi postbllokun policor në fshatin Çallapek, më 15 shtator të vitit 1998, e cila datë shënonte edhe përvjetorin e rënies së të vëllait, Mervetja kishte qenë në krye të njësitit.

Në shtator të vitit 1991, Mervetes dhe familjes së saj i erdhi një goditje e rëndë nga pushtuesi. Radhëve të të rinjve shqiptarë, që atë kohë likuidoheshin në armatën jugosllave, iu shtua edhe vëllai i madh i Mervetes, Enveri.

Heroizmi i Mervetes, i denjë për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ato ditë bëri një jehonë të madhe kudo në Kosovë. Ai u bë shembull i flijimit për idealin e lirisë së atdheut, por edhe shembull i ndjenjës së sakrificës për të shpëtuar shokët e luftës.

Më 4 dhjetor të vitit 1998, Mervetja kishte marrë përsipër edhe misionin për lirimin nga duart e armikut të disa bashkëluftëtarëve të saj, të cilët, pas plagosjes në betejë me trupat serbe, kohë më parë, ishin kapur nga këta trupa dhe ishin dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku po mbaheshin nën mbikëqyrje policore.

Në mesin e këtyre bashkëluftëtarëve ishin Afërditë Zekaj, Naim Lushaj e të tjerë. Më parë, Mervetja e kishte përgatitur terrenin për lirimin e këtyre bashkëluftëtarëve, duke i njoftuar ata për planin, në mënyrë që të qëndronin në gjendje gatishmërie.

Atë ditë dimri, Mervetja ngjesh armët, bombë e revole, dhe niset në aksion. Si stërmbesë e vërtetë e Shotës, pa iu trembur syri fare, ajo sulmon rojën policore në hyrjen kryesore të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, me ç’rast arrin të depërtojë te roja tjetër policore në korridorin e katit të dytë ku ndodheshin të shtrirë bashkëluftëtarët e saj. Mervetja sulmon, sakaq, policinë me bombë dore, por pastaj edhe me revole.

Aty zhvillohet një dyluftim i vërtetë, ndërkohë që disa prej të plagosurve të arrestuar arrijnë të dalin nga Spitali.

Gjurmët e shpërthimit dhe gjaku i mbetur në korridorin e këtij spitali, të cilat janë parë më vonë nga dëshmitarët, kanë dëshmuar se Mervetja kishte vrarë disa policë serbë, kurse vetë kishte arritur të tërhiqet dhe të dalë nga Spitali duke shpërthyer edhe rrethimin policor të organizuar në korridorin e katit të dytë. Mirëpo, ndërkohë që ajo kishte mësyrë të tërhiqej në drejtim të Grykës së Rugovës, armiku i alarmuar kishte organizuar pritën tjetër në oborrin e Spitalit.

Në tërheqje e sipër, disa dhjetëra metra larg udhëkryqit të Spitalit, Mervetja goditet në ballë nga një plumb i armikut dhe aty bie në fushën e nderit, pa rënë e gjallë në duart e tij.

Mbrëmjen e asaj dite mjetet serbe të propagandës, aksionin e Mervetes e përshkruan si një sulm të paparë “terrorist”, që i kishte tmerruar forcat e pushtuesit.

?LAVDI?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra njerëz mes lotëve dhe dhimbjes u mblodhën në një…