Sali Berisha tregon për takimin me George H. W. Bush dhe çka biseduan për Kosovën

02 dhjetor 2018 | 20:38

Ish kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer takimin që ka patur me të ndjerin George H.W. Bush në zyrën ovale vite më parë si dhe bashkëbisedimin në lidhje me situatën në Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Berisha tregon se Bush ishte një njeri i thjeshtë pavarësisht faktit se ishte Presidenti i SHBA-ve.

“Për mua lajmi i ndarjes nga jeta të presidentit Bush ishte një lajm i hidhur. Presidenti Bush ka qenë politikani me të cilin unë kam patur marrëdhëniet më miqësore gjatë gjithë karrierës time politike, që nga dy muajt e parë të qenies time president deri para pak muajsh kam ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me të, kam patur privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij.

Takimi i parë me presidentin Bush, përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën më priti. Bush i përkiste fisnikërisë më të lartë të kohës, por nga ana tjetër ishte njeriu më tokësor që mund të takoje në SHBA. Ftesa në dhomën ovale ishte një moment historik për mua, por gjithçka u bë shumë e thjeshtë. Presidenti Bush foli për Kosovën, mori një atlas dhe u ulëm folëm për Kosovën.

Më pyeti çfarë mendon, unë i thashë që plani i Millosheviçit ishte spastrimi etnik, dhe ndarja e Kosovës, në atë kohë plani i tij ishte pak më i madh se këta Millosheviçët e rinj. Unë kam patur shumë takime pas kësaj pritjeje. Presidenti ishte mjaft i keqardhur kur mësoi atë se çfarë kishin hequr shqiptarët gjatë diktaturës.

Interesi dhe mbështetja e tij politike kishte një rendësi shumë të madhe. Presidenti Bush ka vendosur themelet e reja të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka patur një marrëdhënie shumë intensive mes dy vendeve. U krijuan bazat e një bashkëpunimi shumë të mriz edhe në marrëdhëniet e sigurisë, nuk duhet të harrojmë se dronët e parë u vendosën në Gjadër. Para se të vinte në Vlorë presidenti erdhi në Tiranë, ai ka ardhur dy herë në Shqipëri.

Në të dy herët ka ardhur në mbështetje të demokracisë. Në vizitën e tij në Tiranë unë i kam akorduar medaljen e Lirisë, pastaj më ftoi në Teksas shkova në shtëpinë e tij, e ftova të vijë sërish, erdhi në Vlorë bashkë me familjen e tij.-tha Berisha.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Infrastrukturës (MI), ka bërë të ditur se në…