
Sali Bislimi u shkruan letër ambasadorëve të Quintit
Sali Bislimi, drejtor i OJQ “Zëri Perëndimor i Kosovës” u ka shkruar ambasadorëve të shteteve anëtare të Quintit, të akredituar në Kosovë.
Bislimi ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me fillimet e punimeve për të ndërtuar Xhaminë e Madhe në lagjen Dardania të Prishtinës.
“Lokaliteti i caktuar, arkitektura e projektit, financuesit e dyshuar për ekstremizëm fetar nga Turqia, momenti në të cilin gjendet Kosova dhe qëllimi më së paku fetar për ndërtimin e saj, është një lajm i keq për perspektiven evropiane dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës. Tendencat për restaurimin e Perandorisë së Re Osmane në Kosove, përhapja e ekstremizmit dhe islamit politik, nuk i kontribuojnë paqes, tolerancës, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, thuhet mes tjerash në letrën e Bislimit, drejtuar ambasadorëve të Quintit, letër të cilën e ka publikuar në gjuhën angleze në llogarinë e vet në “Facebook”.
Bislimi ka kërkuar nga ambasadorët që të kërkojnë nga liderët e institucioneve të Kosovës, autoritetet e Prishtinës dhe nga kreu e BIK-ut, Naim Tërnava, që ta rivlerësojnë dhe rishqyrtojnë këtë vendim, siç thotë ai “të dëmshëm dhe të nxituar për të ardhmen e Kosovës”.