
Salih Zyba tregon momentin se si ia shpëtoi jetën Albin Kurtit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka treguar një moment gjatë protestës së 10 shkurtit, ku ka thënë se liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti, i ishte rrezikuar jeta dhe se ka qenë ai që e kishte shpëtuar.
Në një intervistë për “ATV”, Zyba ka thënë se gjatë asaj proteste, ai e kishte devijuar armën e gjatë, e cila ishte drejtuar kah Kurti.
“Ka pas një moment kritik. Momenti kritik ka qenë kur kemi mbetë një grup apo individë të shpërndarë prej turmës që u zmbraps, aty persona të uniformuar, në këtë rast që ka ardhë në përfundim që përdorimi i armës ka qenë nga prestarët e Njësisë Speciale Romune. Aty në përdorim të armës ka qenë qitje individuale, këdo që e kanë synuar si cak e kanë gjuajt disa herë në forma të shpërndarjes. Momenti kur është mbush arma dhe është drejtuar te z. Kurti, kam ndodhë në afërsi të saj dhe e kam devijuar armën e gjatë, për të cilën ka qenë e çastit dhe ka qenë me gatishmëri dhe vetëdijen tonë se aty shkaktohet rrezik real dhe ai ka qenë kontributi i çastit”, ka thënë Zyba.
Sipas tij, distanca ka qenë më pak se katër metra dhe se plagët nga kjo distancë janë vdekjeprurëse.
Ndryshe, gjatë kësaj proteste ishin vrarë dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.