Salla e Sportit, 23 maj 1999, brenda mureve ishim ne të gjallët dhe kufomat e të burgosurve shqiptarë të vrarë

26 maj 2021 | 13:45

Rrëfime nga i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Sapo ka zbardhur dita dhe koha ishte e vranët, qielli i mbushur me re të dendura. Një ftohtësi pranvere, që jepte të kuptonte se pranvera do të vonohej, por do të vinte sigurt me lulet të cilat ishin ujitur nga vesa dhe gjaku. Lulet merrnin  ngjyrë të fortë të kuqe që nuk e lante as vesa e as nuk e thante era e njomë që rrinte lule gjaku mbi barë në fushën e sportit. Duke parë këtë madhështi hyjnore në natyrën e gjelbër të pranverës dëgjohen thirrjet e gardianit me maske dhe automatik në duar. Sikur ta prishin qetësinë e ëndërrimeve duke parë me dhembje trupat që ishin në fushë të shtrirë sa andej sa këndej te gjymtuar nga predhat e granatat e ditës së djeshme, që nën përbirmini e dritës nën re, një rreze e diellit shkëlqente në vese në lulëkuqet që kishin mbuluar trupat e pajetë që në fytyrë u jepte një bukuri të ngrirë me aureole të argjendtë.

Thirrja për se dyti me shpejt, ishte alarmi që duhej të shpejtonim hapat drejt eskadronit të vdekjes, që na priste te dera. Si në tunele duhet të kaloje përmes tyre, sikur bisha te çartura na shikonin që donin të na shqyenin e të na s’skërmitnin si pren e tyre duke ju shkuar jargët për gojë.

Por kjo heshtje, kjo nguti për të na shtyrë të hyjmë në sallë, fshihte diqka të rëndë në vete për ne. Shihnim fytyra me ngjyra, uniforma të gjelbër armë të kalibrave te ndryshëm të gatshëm për sulm. Shihja filmin e Ana Frankut dhe kampin Nazist dhe ecnim të dërrmuar duke shikuar qiellin, hapat ishin aq të rëndë e koka anonte, sa andej sa këndej e që luhatej pa vullnetshëm.

Hyrja në sallë. Në secilën dritare kishte ushtar e policë, që na kishin zënë dritën dhe gardiani na shtynte të hynim më shpejt, të zinim vend. Salla ishte bërë Kamp e kampi dukej si sallë. Ishte mbushur përplot të burgosur, nga të gjitha pavijonet, secili me  fytyrë të zbehur, me frikën, me heshtjen, në pritje  të më së keqes. Ne zumë vend si turmë që ishim di kund në mes të sallës, pasi që anash murit më nuk kishte vend për ty strukur. Të gjithë u ulëm dhe pritnim plumbat mbi ne. Në heshtje asnjë zë, një gardian me maskë te dera, herë hynte here dilte jashtë, “salla kamp” duket e errët dhe nga gardianet dhe nga vranësirat që kishin ra shumë poshtë bjeshkëve të Istogut, në atë dritë të zbehtë aty me disa shokë të burgosur nga xhepi nxorëm disa foto dhe shikonim prindërit, të fejuarën vëllezërit e motrat, shihnim shtëpinë dhe shoku aty shihte foton e të fejuarës dhe me gishte me thoshte kemi qenë bashkë të dënuar, bashkë na kanë marrë, tashmë ajo ishte jashtë dhe ky në heshtje mendonte jetën me të, të ardhmen bashkë. Shikonin fotografitë dhe mendja ishte e lirë sa në këtë anë sa në anën tjetër të Kosovës, sa në malet e Berishës sa në Dukagjin, sa në Llap e Drenicë kudo ishim me shpirt me ushtarët e UÇK-së. Sa shpresonim në vdekjen e bukur që do të vijë shpejt nën breshëritë e plumbave.

Në atë çast më doli para Themistokli Germenji (viti 1916) në Selanik, kur e vunë para trekëmbëshit, duke ja mbyllë sytë e ia vendosën litarin në kokë. Germenji u tha: Ndaluni nuk dua të mi lidhni sytë, jam shqiptar dua të shohë  vdekjen me sy. Xhelatët e pyeten për dëshirat e tij të fundit. Germenji u tha që i ka tri dëshira: Me jepni një krehër që të kreh flokët e të vdes i bukur, një gotë ujë që mos të shkoj i etur dhe një duhan që të ndjej në mushkëri tymin që davarit retë dhe mjegullën. Ne çast një zë ka bërtitur, ishte zëri i gardianit që na kthej në sallë në kamp, kush do duhan me pi, dhe na ka gjuajtur shishet me ujë për të pirë me hequr etjen, vetëm na mungonte krehri për tu krehur. Dhe prisnim vetëm krismat që do ta thyenin heshtjen dhe sipas planit në pavijonin C, që kur të gjuanin me plumba për te na pushkatuar të bërtas unë i pari e të bërtasim bashkë si në kor mes plumbave e zjarrit e barotit: “Rroftë Pavarësia e Kosovës!”.

Po duke pritur të realizohej plani i tyre dhe i yni, heshtja zgjati, ajo zgjati shumë që nuk kishte masë kohore që ta maste e heshtja vriste, vriste ngadalë.

Sa ka zgjatur kjo nuk mund ta thotë askush. Përsëri gardiani tashmë pa maskë ka hyrë në sallë. Ka thirr për dëgjim urdhri. Të gjithë e kthyem kokën nga ai me fytyra te zbehta me shikim te përhumbur.

Jeni të lirë, jeni të lirë, jeni të lirë, gjenduni jepjani ndihmën të plagosurve, a po e shihni çka u ka bërë NATO-ja.

Ushtonin fjalët atëherë dhe sot pas njëzetë e dy vitesh: “jeni të lirë, gjinduni si të mundeni, NATO-ja u ka vra”.

Secili nga ne nuk u besonte syve, nuk u besonte veshëve që vërtetë jemi të lirë të lëvizim të gjendemi dhe te u japim ndihmën të plagosurve.

Policet, ushtarët dhe gardianët me serbët që ishin të burgosur dolën jashtë mureve të burgut. Brenda mureve ishim ne dhe kufomat e burgosura shqiptar të vrarë nga serbët. Kështu ë bëmë natën në sallën e sportit dhe në pavijonet që ishin më pak të dëmtuara, por me një kujdes se a mos po na hyjnë prapë natën e po na vrasin. (Vazhdon…)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qëndrim Morina   (In memoriam)   E dashur vjehërr, eja…