Sami Lushtaku: PDK-ja është e fortë në Drenicë

16 gusht 2021 | 16:15

Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur pa kandidat për kryetar të Skenderajt. Hysen Mehani, të cilin e emëroi dega e këtij subjekti atje, u tërhoq nga gara dhe konfirmoi mbështetjen për kryetarin aktual të Skenderajt, njëherësh deri dje ish-kundërkandidatin e tij, Bekim Jashari.

Kjo s’po e tremb fare rivalin e tyre nga radhët e PDK-së, Sami Lushtakun.

Ky i fundit në një prononcim për “Front Online” i paralajmëroi të dy se do t’i mposht, madje goxha bindshëm në garën zgjedhore për Skenderajn.

“Ne jemi në garë. Frikë nuk kam as nuk kam pasur kurrë. PDK-ja është e fortë në Drenicë. Besojmë fuqishëm që i kemi 70 për qind të votave. Po presim fitore”, ka thënë Lushtaku.

Hysen Mehani i LV-së, për numrin një të PDK-së në Skenderaj, është i panjofshëm. “Kush është ai”, pyet Lushtaku.
Skenderaj ka qenë bastion i PDK-së që prej se në Kosovën e pasluftës janë organizuar zgjedhjet. Ramadan Gashi e udhëhoqi për gati tetë vjet, e më vonë, pas pavarësisë, Sami Lushtaku.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, ato të 2017-s, subjekti nuk garoi fare në këtë komunë, pasi e mbështeti Bekim Jasharin.

Meqë tash për zgjedhjet lokale të këtij viti, që do të mbahen më 17 tetor, i kanë ndarë rrugët, gara në Skenderaj mes Jasharit dhe Lushtakut pritet të jetë njëra nga më të nxehta politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel tha për gazetën…